Franc Bekenbauer donte Spanjën. Kajzeri i Gjermanisë i trembet Italisë për shumë e shumë arsye, historiket mbi të gjitha. "Si me Spanjën, ashtu edhe me Italinë ne nuk kemi regjistruar rezultate shumë të mira në kompeticionet e fundit.
Por unë do të doja Spanjën, sepse ata do ishin një kundërshtar shumë më fleksibël dhe neve do na shkonte shumë më mirë për shtat. Italia na ka mundur shpesh, edhe pa qenë skuadra më e mirë. Por në këtë turne Gjermania nuk i trembet askujt", deklaroi legjenda e futbollit gjerman gjatë një komenti për "Bild".
Franca favorite
Në fakt, përpara duelit të Francës me Irlandën në 1/8-at, Bekenbauer mendonte se organizatorët e eventit ishin favoritët për ta fituar trofeun, por pas ndeshjes, edhe pse "gjelat" u kualifikuan në çerekfinale duke përmbysur me Grizmanin, nuk e kanë bindur 70-vjeçarin: "Fillimisht mendoja se francezët ishin skuadra favorite. Por, pas paraqitjes që bënë me Irlandën, i pashë pak të ngathët. Megjithatë, ata arritën që të kualifikohen në çerekfinale".
Gjermania
Por, kur pa Gjermaninë që e dominoi në atë mënyrë Sllovakinë, "Perandori" u bind se kampionët e botës kanë ende shumë për të dhënë në këtë Europian: "Por, pas Francës unë pashë skuadrën tonë. Në fitoren ndaj Sllovakisë mund të themi vetëm: 'Respekt'. Dominuam që nga minuta e parë. Për një kohë të gjatë, gjatë ndeshjes mendova se kjo skuadër mund të merrte përpara çdo kundërshtar. Fakti që Lëv e zëvendë- soi Mario Gëcen me Julian Drakslerin nga ndeshja me Irlandën e Veriut, ishte diçka e habitshme. Por Jogi mori vendimin e duhur.
Për mua, Draksleri ishte mes më të mirëve dhe goli ishte shpërblimi më i mirë për punën që tregoi". Por kampioni i botës si lojtar dhe trajner me "pancerat" është i kënaqur edhe me paraqitjen e skuadrës në pjesën e dytë, e cila e uli disi ritmin, por nuk e lëshoi kurrë dominimin në fushë: "Edhe pse në pjesën e dytë gjërat u zhvilluan me qetë. Kjo nuk e ndryshon aspak mendimin tim pozitiv për atë që pash në fushë".
Përgatiti: ANDROKLI DRALO