Kalaja e Drishtit monumenti kulturor qe po shuhet

Kalaja e Drishtit, monumenti kulturor qe po shuhet
Vetëm rreth 15 km nga qyteti i Shkodrës ndodhet Kalaja e Drishtit, ndër të paktat kala në Shqipëri në të cilat ende banohet. Në një lartësi rreth 800 mbi nivelin e detit, në ambjentet e brendshme të saj ndodhen disa shtëpi banimi. Kalaja e Drishtit është ngritur në shekullin XIII si një fortesë bizantine dhe mban statusin “Monument Kulture” që nga viti 1948. Gjendet në një distancë prej 6 km nga Ura e Mesit mbi lumin Kir, një tjetër monument kulture tepër i njohur në Shqipëri dhe jashtë saj.

Si Kalaja e Drishtit, ashtu dhe Ura e Mesit përfshihen në territorin e komunës Postribë në Shkodër. Fshati i sotëm ndodhet poshtë vendgërmimit të Drivatiumit të lashtë. Ai u ngrit në periudhën romake si një vendbanim në rrugën Shkodër – Kosovë dhe në antikitetin e vonë ishte njëra prej fortesave zinxhir të cilat mbronin Shkodrën. Në shek IX. Drishti u kthye në një fortifikim të rëndësishëm të mbretërise së Zetës dhe varej nga Dioqeza e Tivarit. Qyteti arriti kulmin e zhvillimit në shek XIV derisa arriti edhe pavarësi nga Shkodra. Në vitin 1442 Drishti ra në duar të Venedikut, më pas u mor nga Skënderbeu dhe më në fund u pushtua nga turqit në vitin 1478.

Kalaja gjendet në një kodër 800 metra të lartë. Brenda mureve të kalasë gjenden 11 shtëpi të fshatit të cilat formojnë një lagje. Edhe pse objekt me vlera të veçanta historike e kulturore, deri para pak vitesh rruga për në kala ishte e pamundur të bëhej me mjete, ndërsa pas një investimi të fondit shqiptar të zhvillimit ajo është e asfaltuar dhe në parametra normalë.

Veli Buhaj, banori më i vjetër i lagjes brenda mureve të Kalasë, shprehet se “ne jemi këtu shumë vite para pushtimit osman, të ardhur nga Anadolli. Kalaja është pushtuar nga turqit nga një grua, e cila e detyruar të kërkoj ujë të pijshëm veshi djalin si grua. Ky u kam nga turqit dhe u mbajt rob më pas u çua ushtar. Për të shpëtuar djalin ajo tregoi se kalaja merr tek maja dhe tek muri në fund. Toka shkëmbore dhe e pamjaftueshme, me rreth 300 metër katror të punueshme, ato pak bagëti që kanë apo mbledhja e pak bimë medicinale të zonës, shërben vetëm sa për të mbajtur frymën gjallë.

Ndërkohë, investimi i bërë kohët e fundit për rrugën e kalasë, por edhe ndërtimi i muzeumit brenda mureve të saj, u kanë dhënë atyre shpresë banorëve të këtushëm se do të ketë një rritje të fluksit të vizitorëve, gjë që do t’u krijonte mundësi më të mira jetese nëpërmjet ndonjë aktiviteti tregtar. Arben Buhaj, banor i të vetmes familje që vazhdon të jetojë brenda mureve të kalasë së Drishtit, shprehet se këtu turistët nuk kanë as hotel, as vend ku të pinë një kafe pasi nuk ka lokal.

Për banorët e kalasë së Drishtit nuk është e mjaftueshme vetëm ndërhyrja në rrugë, pasi duhen investime të mëdha dhe në muret e kalasë për t’i dhënë asaj afërsisht pamjen që ka pasur dikur. “Këtu ka shtëpi karakteristike, tipike të ruajtura që mund të tërheqin vizitorë, por mungon mundësia ekonomike për të investuar dhe inkurajimi nga shteti apo organizma të ndryshëm”, shprehet Buhaj.

Në qendër të fshatit është edhe çesmja e tij, ku gratë e kalasë në mungesë të aksesorëve të nevojshëm për larje të rrobave këtë gjë e bëjnë me dorë. Mungesa e ujit në ambjentet e kalasë dhe varfëria e banorëve të Drishtit ndikon në stepjen e tyre për të bërë investime. Jeta në këtë vend dikur me lavdi, sot është shumë e vështirë. Edhe pse gjatë sezonit veror ka numër të madh vizitorësh vendas dhe të huaj, banorët e kalasë nuk arrijnë që të marrin asnjë të ardhur.

Kalaja e Drishtit është një nga monumentet e rëndësishme të Shkodrës i piketuar për t’u pasur në konsideratë nga politikat për turizëm kulturor në këtë zonë, pavarësisht dëmtimit të skajshëm të saj. Zona e Drishtit njihet për rëndësinë e saj ekonomike dhe kulturore që në kohët e hershme. Historia është e errët, nuk ekziston ndonjë dokument që të tregojë kohën e themelimit të saj. Duke u mbështetur në gërmimet arkeologjike mendohet se Drishti ka themel ilir ose romak. Por dhe pse pjesë e një kompleksi turistik kulturor me shumë vlera, të përbërë nga Ura e Mesit dhe Kalaja e Drishtit, kjo e fundit mbijeton mes lavdisë së dikurshme dhe mjerimit të sotëm.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama