Muret anësore vazhdojnë të shemben dhe po sjellin degradimin e vlerave historike të tyre
Edhe përse pak muaj më parë, si rezultat i rrëshqitjeve në pjesën veriore të kalasë së Lezhës pati një protestë nga përfaqësues për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, akoma deri tani nuk është ndërhyrë për të kryer rikonstrukturimin e saj. Ndërsa është nga objektet që mban mbi “supe” një pjesë të historisë kombëtare shqiptare, kalaja e Lezhës është “braktisur” nga institucionet që e kanë në vartësi atë, duke rrezikuar edhe shkatërrimin e trashëgimisë së saj. Muret anësore vazhdojnë të shemben dhe nga dita në ditë, gjithnjë e më shumë, po sjellin degradimin e vlerave historike të tyre.
Shembja e këtyre mureve, e cila ka vijuar qetë në fillim të këtij viti, nuk ka marrë interesimin e institutit të monumenteve të kulturës e për pasojë e ka përkeqësuar akoma më tepër situatën. Bashkia e Lezhës është vetëkënaqur me ndërtimin e rrugës së kalasë, por nuk ka menduar në asnjë rast të jetë zëdhënëse dhe mbrojtëse e historisë së këtij qyteti, për të ngritur zërin ndaj Ministrisë së Kulturës për ndërhyrje të menjëhershme.
Drejtori i Turizmit në Bashkinë e Lezhës, Bardh Dedëgjonaj, ka bërë të ditur se janë të njohur me problematikën, të cilën ia kanë referuar ministrisë përkatëse, por edhe vetë ka pranuar se vazhdojnë të jenë në pritje të ndërhyrjes. Sipas Dedëgjonajt, duke qenë se turizmi mbetet shtylla kryesore e zhvillimit të qytetit, janë hartuar politika për gjetjen e donatorëve, por siç duket këtu nuk bën pjesë kalaja e Lezhës, e cila edhe në këtë pikë ndihet e braktisur.
Shembjet e mureve të kalasë së Lezhës janë bërë prezent prej muajsh, por ka pasur vetëm deklarata dhe asnjë reagim konkret për t’i dhënë fund situatës problematike në këtë monument të historisë lezhjane dhe asaj kombëtare.
Pak kohë më parë reaguan edhe përfaqësues të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore për rrezikun që i kanoset kalasë së qytetit. Kalaja, nga Instituti i Monumenteve, është konsideruar si një projekt rivitalizimi. Gjatë vizitës në kala, edhe specialistë të monumenteve e intelektualë, kanë kërkuar të tërheqin vëmendjen në dëmtimin e vazhdueshëm të këtij monumenti, duke iu referuar edhe shembjes së një gjatësie të konsiderueshme të murit të kalasë.
Kalaja e Lezhës ngrihet në majë të një kodre me lartësi 186 metra, në lindje të qytetit. Kalaja ka origjinë ilire. Në vitin 1440, ajo iu nënshtrua një rindërtimi nga venedikasit, ndërsa në vitin 1522 pas pushtimit osman, u rindërtua edhe nga ana e tyre. Këtu mund të shikohen gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine dhe osmane. Objektet më interesante për t’u vizituar janë rrënojat e ndërtesave osmane brenda kalasë, xhamia, kulla në murin juglindor me një hark romak dhe kulla ilire në murin jugor. Kalaja e Lezhës është monument kulture. Prej saj shihet një pamje mjaft e bukur e fushës së Lezhës dhe e detit Adriatik.
Lashtësia: Kalaja e Lezhës dëshmon për gjurmët e një qytetërimi të lashtë prehistorik qysh në shekullin IV p.e.s.