Kalkuta zgjimi i bukuroshes se fjetur

Kalkuta, zgjimi i bukuroshes së fjetur
Grija që mbizotëron në Bangladesh vjen merr ngjyra sapo kalon kufirin. Në vend të fasadave të zbehta e të rrjepura të ndërtesave, syri të zë reklamat shumëngjyrëshe që shndrisin si të ishin ekrane kompjuterësh. Në Daka, trafiku dominohet nga makina që mezi mbahen në këmbë, ndërsa në Indi sheh të gjitha markat më luksoze të botës të pasojnë njëratjetrën në rrugët e gjera me një shpeshtësi e shpejtësi marramendëse. E megjithatë në Indi, pavarësisht këtyre rrugëve e makinave të bukura mund të vesh re çmenduri që nuk i gjen dot në Bangladesh, të tilla si njerëz që u japin biçikletave pa duar, apo që mbajnë në biçikletë gjithë familjen, pavarësisht se të ndërmarrësh një udhëtim të tillë në rrugët e stërmbushura me trafik të çmendur, mund të thotë vdekje e sigurt. Kolkata është qyteti gjigand i kontrasteve gjigande. Në të të jepet rasti të shohësh dy lloj realitetesh krejtësisht të ndryshme brenda disa sekondash. Mund të ndodhesh në lokalet luksoze buzë rrugëve e kur të dalësh jashtë të përballesh me lypsët që shtrijnë pafundësisht duart e gjata, në zhegun gjithmonë përvëlues që mbizotëron klimën e qytetit. Të ecësh nëpër rrugë duhet të kesh kujdes që të mos shkelësh me këmbë familjet që flenë nëpër kartona, apo kthesa.

Mund të të ndodhë që nëse je person me pamje perëndimore të të vijnë pas njerëz që nuk kërkojnë para, por punë. Zakonisht janë të rinj me nga një cv në dorë, që të kapin prej xhakete për të të mbushur mendjen se janë të dobishëm në profesione të caktuara dhe se nuk do të të lenë të ikësh derisa t‘u kesh gjetur punë. Këtu mungojnë agjencitë e punësimit dhe telegazetat dhe njerëzit dalin nëpër rrugë për të gjetur punë. Ashtu sikurse Bombei, edhe Kalkuta ka një dendësi popullsie ndër më të lartat në botë. Varfëria është mitike edhe pse shumë gjëra kanë nisur të ndryshojnë. Në një tjetër qytet të Indisë, Bombei, situata është më e rëndë, por atje barakat dhe njerëzit e varfër nuk janë përhapur në të gjithë qytetin, por janë pozicionuar larg lagjeve qendrore dhe të pasura. Në Kolkatë nuk ka ndarje. I pasuri me të varfrin rrinë në të njëjtën rrugë dhe lypësi i bën karshillëk godinës shumëkatëshe të një kompanie multimilionere. Ashtu si Bombei edhe Kolkata ka një dendësi popullsie ndër më të lartat në botë. Duke qenë se klima është shumë e ashpër në vend, veçanërisht në periudhën e munsonit veror, që është një vapë e madhe e pasuar nga shira të rrëmbyeshëm, një pjesë e mirë e qytetit merr frymë nën ajrin e kondicionuar dhe qyteti ndahet në dy realitete, në atë me ajër të kondicionuar dhe atë pa një ajër të tillë. I pari i përket "njerëzve të civilizuar" vendas dhe ndërkombëtarëve, ndërsa i dyti miliona banorëve vendas që jetojnë në mjerim realitetin e ashpër të rrugëve. Rreth 2 milionë lypsarët, të varfrit e të pastrehët që "banojnë" në rrugë, ndodhen vetëm pak hapa nga realiteti i ajrit të kondicionuar por pa pasur mundësinë e përdorimit të tij, madje as të shijimit të një thithjeje.

Jeta e njerëzve të rrugës që flenë në kartona, apo në skuta të ndryshme është e tëra punë dhe gjumë. Burrat i lënë krahët dhe forcën e tyre në sektorin e ndërtimit, ndërsa për gratë vendet e vetme ku mund të punojnë janë lokalet, si kamariere dhe pastruese të shtëpive. Por pavarësisht tmerrit të jetëve që nisin e përfundojnë në trotuare, historia e re e Kolkatës është ajo e një transformimi të madh e shndërrimit në një qytet global. Emigrantët rikthehen në vendin e tyre për të hapur qendra tregtare dhe restorante, duke aplikuar standartet e shërbimeve të Perëndimit. Në fillim të këtij viti u inagurua një qendër tregtare prej 300 mijë metrash katrorë, një ndër më të mëdhatë e Indisë. Pjesa që po përjeton zhvillimin dhe transformimin më të madh është pjesa lindore e qytetit. Në të ndodhen edhe lagjet luksoze me shtëpi të bukura. Duke qenë se ishte nën sundimin britanik, Kolkata, në atë kohë kryeqyteti i Indisë, ishte një vend i famshëm para se qytete të tilla si Singapori apo Kuala Lumpuri të kishin dalë në dritë. Sot ajo çka ky qytet po bën është të fitojë kohën e humbur dhe të rikthejë të shkuarën. Pikërisht për shkak të globalizimit, ky qytet gjigand me shumicë hindushë feston me madhështi edhe Krishtlindjet dhe madje shumë persona mbushin kishat duke i dhënë qytetit një pamje kozmopolitane. Sigurisht që ritmi i ndryshimit të Kolkatës nuk mund të përqaset me atë të Kinës, por të dy vendet po ecin në të njëjtin drejtim. Bota e pasanikëve të mëdhenj që rrinë duarkryq është në zhdukje e sipër në këtë qytet, duke qenë se klasa e re e të pasurve e bazon jetën në punë e veprimtari. Të pasurohesh sot është shumë më e vështirë se në të shkuarën, e ta ruash atë pasuri të duhet punë. Por zemra e ndryshimit nuk mund të matet vetëm me qendrat e mëdha tregtare, por edhe me zhvillimin e biznesit të vogël, me funksionimin e dyqaneve e tregjeve të ndryshme të vogla e të mesme, apo me punën e zanaçinjve, të cilët e kanë filluar me riparime të vogla, për të vazhduar me rritjen e biznesit të tyre pak nga pak, por në bazë të sigurt. Njerëzit që punojnë gjatë gjithë kohës kanë nisur të vënë para mënjanë me punën e tyre dhe të vazhdojnë zgjerimin e biznesit pak nga pak. Një nga problemet më të mëdha të Kolkatës ka qenë edhe transporti. Distancat e mëdha dhe numri i jashtëzakonshëm i banorëve kanë krijuar gjithmonë situata kaotike në këtë qytet, që dikur kishte një rrjet transporti shumë të dobët. Sot kjo gjë po rregullohet së pari me shtimin e numrit të veturave personale, por mbi të gjitha me zgjerimin e rrjetit të autobuzave dhe trenave brenda dhe jashtë qytetit. Bëhet fjalë për trena të shpejtësive të ndryshme. Ka disa terminale trenash që nuk mund t‘i gjesh as në Perëndim. Kolkata ndër të tjera është edhe një vend transit si Turqia. Njerëzit grumbullohen në këtë qytet përkohësisht për t‘u nisur më pas diku tjetër, por duke qenë se Kolkata është shumë më e varfër se Turqia, edhe njerëzit e kanë më të vështirë që të largohen brenda një kohe të shkurtër. Sidomos vitet e fundit ka pasur një dyndje të madhe të banorëve që vijnë nga zona të ndryshme të vendit, një fenomen ky i përmasave të mëdha që nuk është vënë re më parë.

Njerëzit vijnë në Kolkata nga Uttar Pradesh, Bihar, Orissa apo nga Bangladeshi. Ata hyjnë në qytet pa pasur një vend të sigurt për të jetuar dhe mbi të gjitha një vend pune. "Qytetet" e mëdha të barakave lindin nga mjerimi dhe varfëria, por zhvillimi ekonomik e ka bërë situatën më të lehtë dhe ai është në ndryshim e sipër. Qytetet e barakave nuk kanë më atë pamjen e lagjeve dikensiane të Londrës së shekullit të 18-të. Dhe vetë Kolkata po i afrohet gjithnjë e më tepër në pamje një qyteti në zhvillim e sipër, ku ka shumë pabarazi por që ndërkohë shënohen edhe rritje. Në Perëndim ka ekzistuar gjithmonë një ide më shumë negative për Kolkatën dhe perëndimorët i kanë dhënë më shumë rëndësi anës së varfër e të keqe të qytetit sesa tendencës së tij për zhvillim. Në fund të fundit kjo është një tendencë gjithnjë e në rritje dhe tanimë është realitet, sikurse janë realitet edhe barakat dhe të varfërit e qytetit. Mundësia që u jepet njerëzve për të punuar është edhe një nga shkaqet e uljes së numrit të krimeve dhe kriminalitetit në përgjithësi. Njerëzit nuk sulmojnë kur kanë një punë dhe kanë një të ardhur. Hapja e vendeve të reja të punës e ka qetësuar shumë situatën dhe mund të thuhet se Kalkota është një qytet relativisht i qetë. Në këtë qytet ka lagje që janë shumë të sigurta, ku jetojnë disa nga pasanikët më të mëdhenj. Por këto lagje pasanikësh, të fortifikuara e të rrethuara me roje ngado janë ngritur edhe për një tjetër arsye. Të pasurit refuzojnë që të shohin situatat ekstreme të varfërisë dhe duan që të kenë rreth vetes vetëm njerëz të pasur dhe të kamur, pra njerëz të serës së tyre. Kjo është një nga arsyet që ata grumbullohen për të qenë bashkë në lagje të vogla e shumë të sigurta, por të shkëputura tërësisht nga jeta reale e për më tepër nga realiteti i rëndë. Indianët e pasur janë sjell gjithmonë sikur të varfrit të ishin të tejdukshëm, të mos ekzistonin. Një nga rrugët që të pasurit nuk duan ta shohin me sy është një rrugë e quajtur rruga e fshatarëve, që ndodhet në mes të qytetit dhe që është mishërim i varfërisë, por edhe i luftës për mbijetesë, i përpjekjeve për të punuar dhe për të jetuar.

Gratë vihen në rresht para shatrivaneve për të mbushur kovat me ujë, sikur të ishin në çezmën e fshatit. Edhe jeta personale këtu zhvillohet krejtësisht e hapur e pa asnjë lloj rezervimi. Gjithçka bëhet në sytë e të tjerëve, madje edhe nevojat personale. Për shkak të zhegut të madh, njerëzit dalin në rrugë gjysmë të zhveshur e madje lahen edhe në rrugë pa e pasur aspak problem se ndodhen në mes të vështrimit të të tjerëve. Të pasurit e rinj janë shumë të sëkëlldisur nga ky riprodhim i jetës rurale në rrugët kryesore të qytetit, aty ku në qytete të tjera mund të kishte parqe, dyqane, apo zyra. Me gjithë problemet e mëdha që duan zgjidhje radikale, Kolkata synon që të shndërrohet në një qytet global. Në vitin 2001 ndryshoi edhe emrin e saj. Arsyeja ishte për të ndjellë fat të mirë dhe për t‘iu përshtatur shqiptimit bengalez. Ajo synon që të shndërrohen në portën Juglindore të Azisë, por për këtë, i duheshin rrugë, autostrada që ta lidhnin me qytete të tjera të rëndësishme të zonës. Imagjinoni një rrjet autostradash që do të lidhte Kolkatën e Indisë me Dakën e Bangladeshit e më pas me Mandalayn e Birmanisë apo Kunmingun e Kinës. Kjo mund të bëhet në një të ardhme të afërt, ndërkohë që kufijtë kombëtarë po zbehen gjithnjë e më shumë, ndërkohë që po forcohen identitetet kombëtarë. Në këtë kohë, që do të vijë shpejt, edhe Kolkata mund të shndërrohet në atë që ka qenë njëherë e një kohë: një qytet Indian dhe në të njëjtën kohë një pjesë e rëndësishme e zonës juglindore të kontinentit.

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama