Kallezim penal per Folie dhe Living Room

Kallëzim penal për
Banorët do të depozitojnë paraditen e sotme kallëzimin në prokurori për veprën penale prishje të qetësisë publike


TIRANË- Banorët e pallateve pranë "Living Room" dhe "Folie" kanë përgatitur ditën e djeshme një kallëzim penal që do ta dorëzojnë sot në Prokurorinë e rrethit Tiranë në lidhje zhurmat shkatërruese që po i shqetësojnë çdo natë.


Ata kanë kontaktuar disa herë me përfaqësuesit e policisë së rendit, asaj bashkiake si dhe zyrtarë të lartë shtetërorë por askush prej tyre nuk ka mundur që t'i japë zgjidhje.
Në këto kushte banorët kanë ndërmarrë aktin e fundit, atë të kallëzimit penal.


Të kontaktuar nga "Shekulli", banorët e rezidencës "Torre Drini" shpjeguan se kallëzimi që do të depozitohet sot në prokurori bazohet në nenin 274 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.


Në këtë nen përkufizohet prishja e qetësisë publike dhe tregohet qartë se krijimi i zhurmave shqetësuese është kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Si provë banorët do të depozitojnë dëshmitë e tyre për vite të tëra stres të shkaktuar nga zhurmat e lokaleve.


Madje ata kanë kërkuar që të gjithë njerëzit që banojnë në atë zonë dhe që kanë shqetësime nga zhurmat e larta të lokaleve gjatë natës të bashkohen në këtë nismë dhe të japin dëshmitë e tyre për stresin që po kalojnë.


Banorët kanë pohuar se kanë kontaktuar disa herë me pronarët e lokaleve por pa asnjë rezultat. Madje ata kanë dërguar edhe letra tek krerët më të lartë të shtetit si kryeministri Berisha, kryebashkiaku i Tiranës Rama apo kryetarja e parlamentit Topalli. Letra të veçanta janë dërguar nga ambasadorët e Kroacisë dhe Rumanisë por sërish asnjë zgjidhje.


Diplomatë të tjerë janë bashkuar në këtë shqetësim duke i kërkuar shtetit shqiptar të njëjtin trajtim që marrin diplomatët tanë në vendet e huaja por në të gjitha rastet nuk kanë marrë asnjë përgjigje.


Dy ditë më parë, biznesmeni Geri Selenica ka njoftuar krerët e policisë për situatën e rëndë të zhurmave dhe përgjigjja që ka marrë është se lokaleve u është dhënë leje deri në orën 02.00 të natës. Por edhe pas kësaj ore lokalet "Living Room" dhe "Folie" kanë vazhduar të mbajnë muzikën e lartë duke kthyer të gjithë zonën në një disko gjigante.

Neni 274
Prishja e qetësisë publike


Hedhja e gurëve apo sendeve të tjera në banesën e shtetasit, krijimi i zhurmave shqetësuese si, me anë të shkrepjes së armëve apo plasjeve të ndryshme, të përdorimit jashtë rregullave të sirenave të automjeteve, apo çdo lloj tjetër sjelljeje të papëlqyeshme, në rrugë, sheshe e vende publike, që cenojnë dukshëm qetësinë e moralin apo tregon mospërfillje të hapët për mjedisin, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

"Living Room" betonon kalanë e Tiranës


TIRANË- Paraditen e djeshme "Folie" ka nisur ndërtimin e një lokali tjetër, shumë pranë atij ekzistues.


Banorët e zonës që kanë kontaktuar me pronarët e "Folie" pohuan se bëhet fjalë për një lokal që do të funksionojë edhe në dimër pasi lokali aktual është vetëm për në verë.


Do të jetë një lloj çadre e mbuluar dhe brenda saj do të zhvillohet sërish aktiviteti i "Folie". Por ky lokal ka një problem jo të vogël. Ndërtimi ndodhet në zonën e mbrojtur nga Instituti i Monumenteve të Kulturës pasi aty janë rrënojat e kalasë së Tiranës. Ky monument kulture është zbuluar së fundmi dhe ende nuk dihet se sa shtrihet nën tokë.


Pikërisht mbi të, paraditen e djeshme, është hedhur beton që do të jetë edhe themeli i lokalit të ri. "Shekulli" publikon sot foton e betonieres pikërisht mbi monumentin e kulturës...


Lokali "Living Room" ndodhet në rrugën "Xhorxh Bush" në kryeqytet në një ndërtesë dykatëshe. Ai ka nisur punë në këtë zonë në fund të vitit 2004 dhe si pronari i lokalit njihet zoti Blendi Bombaj. Fillimisht lokali ka marrë leje për bar-restorant por më pas është shndërruar në pub.

Eshte nje nga lokalet qe perhap zhurme ne nje rreze shume te gjere me banore qe nuk munden te flene naten. Muzika eshte shurdhuese, ne nje nivel, qe nese nuk jeton vete ne ate zone nuk e beson dot.


Vec te tjerash Living Room eshte lokali i nate si preferuar nga politikanet. Te gjithe banoret i shohin makinat dhe truprojat e tyre, por vetem nje prej tyre eshte aq i guximshem sa te na thote duke u identifikuar emrat e politikaneve qe :kotribuojne" ne zhurmat e nates ne lokalet ne zona te populluara.


Sipas Ilir Sopotit, banor i zonës, në këtë lokal janë parë shumë shpesh ish-ministri Blendi Klosi dhe ministri aktual Sokol Olldashi. "Unë e kam parë personalisht shumë herë në orët e vona të natës Z. Blendi Klosi duke dale nga "Living Room" dhe kam parë edhe fuoristradën e tij të deputetit (Mitsubishi ngjyre blu) të parkuar në rrugicën "Myrteza Kelliçi". Persona të tjerë më kanë thënë se ai është përnatë në lokal.


Ndërsa thuhet se duke filluar nga Shtatori 2005 dhe deri me sot është parë vazhdimisht ta frekuentoje këtë lokal edhe Z. Sokol Olldashi",- thotë Ilir Sopoti. I kontaktuar nga "Shekulli" për këtyë gjë Blendi Klosi ka pohuar se nuk është më klient i atij lokali. "E kam frekuentuar kohë më parë por tani jo më. Kam kohë që nuk shkoj aty dhe nuk kam asnjë lidhje me këtë lokal",- tha Klosi. Ndërkohë Sokol Olldashi nuk i është përgjigjur telefonave dhe sms-ve të gazetarëve të "Shekullit".


Në maj 2005 "Living Room" nisi zgjerimin duke kryer punime në tarracën e ndërtesës dykatëshe. Aty u vendosën konstruksione metalike dhe pedana, karrige, tavolina dhe bokse të mëdhenj muzike. Sipas banorëve, në këtë kohë nisi edhe stresi i lokalit. Pak muaj më pas banorët i kanë dërguar letra edhe kryeministrit Berisha por pa marrë asnjë përgjigje. Në muajt prill dhe maj të vitit 2006 në këtë lokal u kryen punime shtesë por asnjë institucion nuk reagoi. Edhe sot lokali vazhdon që të punojë në dy kate, pjesën brenda dhe tarracë, pa pasur leje për të qëndruar hapur pas orës 23.00 dhe aq më tepër pa pasur leje për të mbajtur muzikën e lartë.

***********



Rrefimi i banorit qe ka pese vjet qe ankohet ne te gjitha instancat e shtetit por pa marre asnje here pergjigje per zhurmat.




z.Ilir ju ankoheni se prej disa vitesh shqetësoheni nga zhurmat e shkaktuara nga një lokal nate që ndodhet pranë shtëpisë suaj, si qëndorn ky problem?

Unë banoj në rrugën Xhorxhi Martini përballë parlamentit. Këtu pranë kemi lokalin "Living Room", prej disa vitesh thuajse çdo natë, mbajnë muzikë me zë të lartë.
Bisedat, fillojnë nga ora 22-23 e natës dhe përfundojnë nga ora 03.00 deri në 05.00 të mëngjesit. Përpiqem të shkoj sa më vonë në shtëpi por ështe e pamundur të flesh. Ndihen dridhje në shtëpi nga volumi i lartë i muzikës. Zhurma ështe shumë shqetësuese për njerëzit në një rreze deri 200 metra larg.
Zhurmat në këtë lokal kanë filluar që në Nëntor - Dhjetor 2004 por për arsye se nuk ishin aq shqetësuese per mua mendova se ata qe e kishin problem do te ankoheshin dhe do ta zgjidhnin. Se banorët e lagjes ishin ankuar por askush nuk ia kishte marrë parasysh.
Kishin shkuar t'i ankoheshin njërit nga bashkëpronarët e "dukshem" por ai dhe nena e tij i kishin përzënë brutalisht. Po kështu ka pasur raste kur banorët u kishin prerë furnizimin me energji elektrike ose u kishin prishur pompen e ujit, etj., por ky lokal kishte vazhduar punë normalisht.

Po për sa i përket organeve të rendit, pushtetit qëndror apo lokal, i jeni drejtuar ndonjerit prej tyre?

Unë kam disa vite që e kam trajtuar këtë problem duke iu drejtuar jo nga një herë por disa herë të gjitha organeve që t' përmende më sipër. I jam ankuar edhe zotit Kryeministër, por ai ia dërgoi çështjen prefektit dhe prefekti ia dërgoi policisë së ndërtimit, duke mos gjetur zgjidhje asnjëherë. Jam ankuar edhe në Minisrinë e Mjedisit, Komisariatin nr.2, Bashkinë e Tiranës, Institutit të Shëndetit Publik, etj. Këtë e kam bërë direkt por edhe me postë pasi, një pjesë e tyre nuk pranonin ta protokollonin. Asnjë nga organet e mësipërme nuk ka marrë masa për përmirësimin e gjëndjes në lagjen tonë. Deri në vitin 2006 kam punuar në minstrinë e Mjedisit, në vitin 2005 na është kërkuar një program për 100 ditët e para të qeverisjes së Kryeminstrit Berisha, ku unë propozova që të hartohej një ligj për zhurmat urbane.
Mirë që nuk ma moren parasysh po një funksionar i kësaj ministrie që ka lidhje me pronarët e "Living Roomit", më ka thënë, "Unë e di se përse e propozon ti këtë, se do të mbyllësh aktivitetin e "Living Roomit".

Po nga Kryeminstri Çfarë përgjigje moret?

Atij i jam drejtuar me një letër në 22 Tetor 2005, ku i parashtroja të gjitha sa u thanë më lartë për "Living Room-in" duke i përmendur edhe korrupsionin dhe bashkangjitur ankesën, e firmosur nga 22 persona pjesa më e madhe e të cilëve ishin kryefamiljarë. Jo që nuk mora përgjigje por, problemin tim ia kishin dërguar Prefektit, por edhe ky ia kishte dërguar Policisë Ndërtimore. Për të gjitha këto veprime me mbajtën në kontakt me letra por për sa i përket problemit asgjë nuk u zgjidh.

Pak më lartë më thatë që një pjesë të ankesave i keni dërguar me postë dhe jo direkt, përse?

Ankesen e kam dërguar shoqëruar edhe me firmat e banorëve të lagjes, në Komisariatin Nr.2, Drejtorisë së Policisë së qarkut Tiranë, Ministrisë së Rendit, Agjencisë Rajonale të Mjedisit , Inspektoriatit, Ministrisë së Mjedisit, Bashkisë së Tiranës, etj.
Me postë ia ka dërguar Komisariatit nr.2 dhe Drejtorisë së përgjithshme të Policisë pasi nuk pranuan ta protokollojnë.
Kishin shkuar ata të Agjencisë Rajonale të Mjedisit dhe më vonë vetë Kryeinspektori, siç me tregoi, dhe ju kishte thënë atyre të "living Room" se do t'u vendoste gjobë. Mirëpo të nesërmen më tregoi se një funksionar Ministrisë së Mjedisit kishte ndërhyrë për mos vënien e saj.

Po me pronarët e lokalit a jeni përpjekur të kontaktoni?

Kemi kontaktuar por pa zgjidhje. Mua me çduti fakti se megjithëse ka shumë ankesa për këtë lokal, kam parë që ai frekuentohet nga politikanë të lartë, si deputeti Blendi Klosi, ministri Sokol Olldashi, etj. Madje një herë ka qenë edhe kryeministri Berisha. Ky i fundit ka qënë kur ministri Olldashi festoi ditëlindjen në këtë lokal, aktiviteti është pasqyruar në faqet e RD-së.

Si mendoni ta zgjidhni këtë çështje?
Vetëm me gjyq. Duhet hapur një process gjyqësor. Me sa di unë ky lokal ka pasur aktivitetin e tij në zonën e "Shallvareve", por dikush e hodhi në gjyq dhe me vendim gjykate u zhvendos nga aty. Këtë duhet të bëjmë edhe ne, duhet të ngrihen të gjithë banorët e lagjes.


**********

Lokalet që kanë bërë zhurmë natën e djeshme


"Magic 4", "Baroque", "Folie" dhe "Living Room" kanë mbajtur muzikën në nivel shumë të lartë deri në mëngjes

TIRANË- Mesnata mes së premtes dhe të shtunës ka shndërruar pothuajse të gjithë Tiranën në një disko gjigante. Lokalet e zonës së ish-bllokut i janë rikthyer ritmit normal të muzikës së lartë dhe ahengut që i ka karakterizuar për muaj me radhë. E njëjta situatë është ndjerë edhe në zonën e përballë Parlamentit. Banorë të ndryshëm të kryeqytetit kanë telefonuar në redaksinë e "Shekullit" duke denoncuar raste zhurmash të forta pothuajse në të gjithë Tiranë e re.


Në zonën e bllokut zhurmat më të mëdha janë shkaktuar në rrugën "Ismail Qemali". Lokalet "Magic 4" dhe "Baroque" kanë mbajtur nivelin e lartë të zhurmave edhe disa orë pas mesnatës. Zhurmat e tyre forcoheshin edhe më shumë sa herë që hapeshin dyert e lokalit. Dhe në zonën përballë këtyre lokaleve ndodheshin dhjetëra njerëz të vendosur në rrugë që vazhdonin ahengun e nisur brenda.


Vetëm dhjetë metra më larg qëndronin efektivët e policisë bashkiake të kryeqytetit, të cilët nuk kanë marrë asnjë masë për të ndaluar zhurmat, qoftë edhe duke u thënë lokaleve që të ulin nivelin. Policët bashkiakë kanë qëndruar deri rreth orës 01.30 dhe më pas janë larguar në një rrugicë tjetër të bllokut, aty ku nuk kishte pothuajse fare zhurmë pasi lokalet e hapura mbanin nivel të ulët muzike. Zhurmat e larta kanë vazhduar deri rreth orës 04.00 të mëngjesit.


E njëjta situatë është hasur edhe në zonën përballë parlamentit. Lokalet "Living Room" dhe "Folie" kanë mbajtur një nivel tepër të lartë zhurmash. Të dy këto lokale kanë shfrytëzuar tarracat e tyre dhe muzika është shpërndarë në një zonë me rreze 300 metra. Banorët e pallateve përreth kanë kontaktuar me pronarët e tyre duke i kërkuar që të ulin muzikën por kanë marrë përgjigje negative. Muzika në këto dy lokale ka vazhduar në nivele shumë të larta deri në orën 04.30 të mëngjesit. Në asnjë rast policia bashkiake dhe ajo e rendit nuk kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën.

Mare nga : Shekulli Online

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama