Kallezimi i KLSH per 12 punonjes te Mbrojtjes/Qeveria Procedurat konform ligjeve ne fuqi

0501-KLSHTiranë, 6 Nëntor /ATSH/ - Qeveria reagoi sot ndaj raportit të KLSH-së për kallëzim penal ndaj 12 zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes me pretendimin se kanë kryer abuzime me disa tendera.

Bazuar në këtë raport, disa portale kanë raportuar se kompania fituese e tenderit për rikonstruksionin e godinës së MM, është një firmë pastrimi.

Gjithashtu tenderi për blerje, furnizim, instalim dhe vënie në punë të Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare, pretendohet se është zhvilluar i mbyllur dhe fitues është shpallur "Ideal" sh.p.k., që në artikujt e portaleve cilësohet si një dyqan që ofron celularë.

Në reagimin përballës të publikuar në portalin Transparenca.al, thuhet: "Sa i përket tenderit për rikonstruksionin e Ministrisë së Mbrojtjes, procedura e zhvilluar ka qenë e hapur për të gjithë operatorët e interesuar si dhe konform kuadrit ligjor në fuqi. Në këtë garë kanë marrë pjesë 17 firma, ndërsa fituesi nuk është një shoqëri ashtu si pretendohet në artikujt e portaleve, por bashkimi i dy operatorëve ekonomik, operatorit "Rei" sh.p.k. dhe operatorit "Infinit Construction" sh.p.k..

Së pari, pretendimet se kompania e shpallur fituese nuk përmbush kriteret dhe nuk ka përvojën e nevojshme në fushën e ndërtimit janë të pabazuara. Konkretisht, si shoqëria "Infinit Construction" sh.p.k. ashtu edhe "Rei" sh.pk., kanë si objekt të veprimtarisë së tyre tregtare ndërtimin dhe rikonstruksionet e objekteve të ndryshme. Së dyti, bazuar në aktivitetin e deklaruar në QKR, të dyja shoqëritë janë të pajisura me licencë për ushtrim veprimtarie ndërtuese zbatimi, për të gjitha kategoritë e kërkuara në zbatimin e kontratës si dhe drejtuesit teknikë për çdo kategori punimesh të parashikuar në preventiv.

Lidhur me tenderin për blerje, furnizim, instalim dhe vënie në punë të Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare, ndryshe sa pretendohet në artikuj, kompania e përzgjedhur është përfaqësuesi zyrtar i kompanisë "GEM Elektronika", prodhues i këtyre radarëve. Po e njëjta kompani, është marrë me mirëmbajtjen dhe riparimin e pajisjeve përgjatë periudhës 2010 - 2011. Ajo është çertifikuar nga DSIK që në vitin 2010, kohë në të cilën ofronte riparimin e radarëve pranë Forcave të Armatosura. Fakti që e njëjta kompani me eksperiencë vazhdon të mirëmbajë rrjetin përbën një avantazh, i cili nuk u shfrytëzua në vitet 2012-2013 dhe si pasojë i gjithë vëzhgimi i hapësirës detare u la në errësirë të plotë./b.k/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama