Miratohet pas 9 orësh debat në Kuvend ligji për Arsimin e Lartë. Rama: Universitetet publike dhe ato private duhet të konkurrojnë. Nikolla: Do ndryshojë modeli si mësojnë studentët. Berisha: Kjo reformë mbyll dyert për të varfrit
Reforma në Arsimin e Lartë në Shqipëri kalon. Është miratuar dje në mesnatë ligji i shumëdebatuar “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
Pas 9 orë debatesh, Kuvendi ka miratuar projektligjin e arsimit të lartë me 78 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Ndërkohë, opozita braktisi votimin në shenjë proteste për atë që e cilësoi si “pazarin me universitet”.
Por ikja e demokrateve u shoqërua me një defekt të votimit elektronik, gjë që detyroi votimin me kartonë.
Por para se të votohej, mazhoranca dhe opozita janë përfshirë në një debat të gjatë, ku nuk kanë munguar as akuzat e ndërsjella për përdorimin e ligjeve për qëllime politike.
Debatin e ka hapur ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila ka bërë dhe prezantimin e plotë të ligjit në fjalë. Më pas deputetët e të dy krahëve janë përfshirë në një debat të gjatë, ku opozita u është përmbajtur qëndrimeve të bëra të ditura dhe më parë, sipas të cilave ligji është klientelist, nuk respekton autonominë e universiteteve, rrit tarifat e shkollimit duke mbyllur dyert për të varfërit.
Ndërkohë që mazhoranca nga ana tjetër ka këmbëngulur se ligji i jep fuqi departamentit të kërkimit shkencor, fut konkurrencën mes universiteteve publike shtetërore dhe atyre private, si dhe çon paratë e shtetit atje ku është studenti, duke stimuluar më të mirët dhe duke mbrojtur më të varfërit.
Rama
Në këtë debat është bërë pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili në rreth 50 minuta fjalim ka replikuar ashpër me opozitën, së cilës i ka kujtuar se me diskutimin për këtë ligj është kthyer në një organizatë të Partisë së Punës të viteve para ‘90. “Ju jeni katandisur në një organizatë bazë të ’89-s, sikur kanë ardhur disa këtu dhe po ju marrin universitetet dhe po i çojnë jashtë shtetit. Ju jeni katandisur nga partia e madhe demokratike në partinë që ngopet me disa bashki të vogla. Si nuk ju vjen zor që nga partia e lirisë keni një muaj që jeni kthyer në organizatë partie të ’89-s, ikën 25 vjet mundime që bëtë për demokraci dhe e kthyet veten para ’90-s me këtë diskutim për këtë ligj”, – tha Rama.
Ndërkohë që duke u ndalur te përmbajtja e ligjit, ai i shpall një luftë të hapur injorancës duke futur konceptin e konkurrencës. “U çua këtu një engjëllushe dhe përmendi djallin. Por djalli nuk është kërcënimi real i kësaj bote, por budallallëku. Ndaj na duhet një kryqëzatë ndaj budallallëkut. Sistemi i arsimit të lartë duhet të jetë fusha e konkurrencës dhe meritës, dhe jo sistemi ku ata të nënës bëjnë pallë me paratë e babës. Ju kujtohet shprehja; ‘paratë e piramidave janë të pastra, janë gjaku dhe djersa e shqiptarëve, ndaj futini paratë nëpër piramida?! Njësoj është edhe kjo. Është një plagë që vazhdoi dhe do të vazhdojë gjatë në ekonominë e vendit”, – tha Rama.
Sipas tij, ligji në fjalë sanksionon në mënyrë përfundimtare që universitetet duhen trajtuar si të mira publike dhe nuk mund të jenë institucione apo aktivitete për përfitime në kuptimin financiar. “Nuk ka më pas këtij ligji universitete që nxjerrin para për qëllime përfitimi, çdo gjë kthehet në të mirë të universiteteve. Kushdo që do të qëndrojë në arsimin e lartë duhet t’i shërbejë atij si e mirë publike”, – tha më tej Rama. Gjithashtu ai ka hedhur poshtë edhe akuzat e opozitës se me këtë ligj paratë e buxhetit të shtetit do shkojnë tek universitetet private. “Ne nuk çojmë para tek asnjë universitet privat dhe nuk japim lekë qyl në asnjë universitet shtetëror, ne i çojmë paratë te studenti. Universitetet publike dhe ato private duhet të konkurrojnë”, – u shpreh Rama. Duke mbetur te çështja e tarifave, Rama ka deklaruar gjithashtu se nuk bëhet fjalë për rritje të tyre, por vetëm për një ridimensionim të mënyrës sesi shteti shpërndan paratë e veta, duke mbështetur më të mirët, degët që s’kanë kërkesë, si dhe më të varfërit.
“Dy herë zdrugim nga populli dhe vazhdoni thoni që ishte më mirë kur ishim më keq. Pse gënjeni kur thoni që ky ligj rrit tarifat dhe është për të varfërit? Ky ligj përcakton që ku investojmë ne si shtet. Ne investojmë si shtet në tri kategori, te të shkëlqyerit, tek ata që stimulojmë te degët jotërheqëse dhe jokompetitive dhe te të varfërit, që nuk kanë mundësi të paguajnë, por që paraprakisht duhet të vërtetojnë se janë të aftë. Pra janë të aftë, por s’kanë mundësi”, – theksoi kryeministri Rama. Gjithashtu, një tjetër risi sipas tij e këtij ligji është edhe futja e konceptit të menaxhimit dhe e ndarjes së tij nga bota e profesoratit. “Nuk është shteti, nuk është qeveria dhe ministria që organizojnë dhe menaxhojnë punën e përditshme të sistemit universitar. Iu jepet mundësi disa agjencive të specializuara që të bëjnë menaxherin. Ju keni bashkuar botën akademike me menaxhimin. Kjo nuk mund të ndodhë. Ligji krijon një sistem menaxhimi. Pra fusim konceptin e menaxhimit në universitete”, – tha Rama.
Ai ka mbrojtur dhe hartuesit e këtij ligji, të cilët sipas tij, pavarësisht bindjes politike kanë bërë një ligj që u përgjigjet kërkesave të kohës. “Ia kemi dorëzuar pushtetin tonë një grupi ekspertësh dhe nuk i kemi parë fare ça tesere partie kanë në xhep, disa nga ata i kemi parë dhe në fushatë”, – tha Rama.
Nikolla: Do ndryshojë modeli si mësojnë studentët
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, si nismëtare e projektligjit për Arsimin e Lartë ishte dje e para nga mazhoranca që nisi debatet në seancën e posaçme. Pasi renditi një sërë shkeljesh të gjetura kur mori detyrën në krye të institucionit që drejton, Nikolla tha se ka një mundësi mes mazhorancës dhe opozitës që ta miratojnë me konsensus këtë projektligj. Sipas saj, drafti i dorëzuar në Kuvend për miratim është produkt i një procesi të gjatë dhe gjithëpërfshirës.
Ajo tha se ky ligj është hartuar me një konsultë të gjerë dhe se pjesë e hartimit të tij kanë qenë profesorë të nderuar vendas dhe të huaj. Ministrja e Arsimit tha se gjatë diskutimit të projektligjit janë zhvilluar mbi 30 forume me pjesëmarrjen e mbi 2 mijë pedagogëve. “Kjo është reforma më e papolitizuar në këto 20 vite. Deputet e opozitës heshtën prej një viti e gjysmë. Nuk e kuptoj se cila është arsyeja e kësaj sjelljeje. Para mediave bëni gjë tjetër dhe në diskutime gjë tjetër”, tha Nikolla.
“Tre elementët: cilësia, transparenca dhe përgjegjshmëria janë investimi më i madh. Prindërit shqiptarë që kanë sakrifikuar tërë jetën për edukimin, kanë mundësinë që këtë sakrificë të madhe ta bëjnë kundrejt një cilësie krejt të re. Të nderuar pedagogë, pjesë e reformës do të jeni edhe ju. Ky ligj mundëson që shoqëria të mobilizohet që të sigurojë më shumë burime financiare për edukimin në arsimin e lartë, fuqi dhe resurse nga të gjitha drejtimet, para publike dhe private, donacione biznesesh e me radhë do të krijojnë kushtet që kapacitetet e burimeve njerëzore dhe ato shkencore në arsimin e lartë të rriten”, – tha ministrja Nikolla.
Por projektligji has në kundërshtimin e një grupi pedagogësh dhe studentësh, që sipas ministres Nikolla po shantazhojnë Kuvendin më kot. “Nuk mund të na ndalë një grup i vogël që përpiqet të shantazhojë Kuvendin se, nëse kalon ky projektligj sot, atëherë është fundi i arsimit të lartë. Të nderuar profesorë dhe pedagogë, më keq se ç’ka qenë dhe ç’e keni bërë nuk do të bëhet më”, – deklaroi Nikolla. Më tej, ministrja e Arsimit u ndal te disa pika të ligjit, që nga e drejta e studimit, që tha se u garantohet të gjithë të rinjve që dëshirojnë të ndjekin studimet e lartë, puna akademike dhe çështja e financimit.
Duke i bërë thirrje opozitës që ligjin ta kalojnë me konsensus, Nikolla theksoi se politika më e mirë për zhvillimin është arsimi. Ligji, tha ajo, është një vizion i ri për sistemin arsimor universitar. “Politika më e mirë për zhvillimin është arsimi. Keni shansin që këtë ligj ta kalojmë me konsensus. Ky ligj nuk është thjesht një nevojë për të përmirësuar arsimin e lartë, por është vizion i ri për të ndryshuar modelin se si mësojnë studentët. Nuk duhet të gënjemë veten se këto janë universitetet që na duhen”, – u shpreh ministrja.
Nikolla tha se standardet në universitetet shqiptare janë të një niveli të mjerueshëm. “Ky projektligj, edhe pse nuk është i përsosur, është ligji më i mirë për Arsimin e Lartë, se u jep përgjigje të gjitha problemeve. Studentët do të edukohem me sensin e meritës dhe të garës. Ligjin e bën më të drejtë financimin publik për studentin”, tha ministrja.
Ajo bëri të ditur se ligji i ri krijon fond të posaçëm burse për studentët që ndjekin degët me prioritet dhe dekurajon mungesën e cilësisë edhe te studenti. Nikolla po ashtu tha se ligji i ri i jep autoritet të qartë senatit akademik.
“Rritet liria akademike, duke fokusuar akademikët në detyrën e tyre akademike dhe rrisim administrimin duke mbështetur administratorë profesionistë”, tha ajo.
Ministrja gjatë fjalës së saj në Kuvend theksoi se “ky ligj nuk çon çdo para publike te universitetet private, përkundrazi privatët do të ofrojnë më shumë shërbim publik dhe tarifa më të ulëta”.
Ndër ndryshime të tjera që sjell ligji i ri për Arsimin e Lartë, Nikolla tha se krijohet agjencia e financimit të arsimit të lartë, riorganizohet agjencia kombëtare e teknologjisë dhe inovacionit, duke e bërë përgjegjëse për kërkimet shkencore dhe riorganizohet agjencia e akreditimit ,duke e kthyer në agjenci të ruajtjes së cilësisë, pasi do të vlerësojë performancën e çdo institucioni të lartë universitar.
Berisha: Kjo reformë mbyll dyert për të varfërit
Ish-kryeministri Sali Berisha e konsideroi antikombëtar draftin për Arsimin e Lartë. Sipas tij, reforma ul numrin e studentëve që do të ndjekin universitetin, bën të pamundur që të varfërit të diplomohen, si dhe rrit korrupsionin.
“…Përsa i përket ligjit, unë e konsideroj këtë seancë dhe këtë ligj të një rëndësie kapitale për vendin, të një rëndësie kushtetuese për atë që Jean Jack Russo e ka quajtur problemin më serioz të shoqërisë, që është arsimi i lartë. Jam marrë me këtë ligj personalisht, me këtë koncept, dy vite me radhë, me dëshirën më të madhe që të adaptojmë këtë sistem. Pse? Ky është sistemi i një vendi që ka universitetet pa diskutim më të mira të Europës dhe nga më të mirat e botës, ky është sistemi i Britanisë së Madhe. Por nuk kam patur një këshilltar si ai Gjonçaj, që u bë famoz për shëndetësinë falas që ju solli ju, por zotin Hatinson, këshilltarin e Megi Thatcher për arsimin, këshilltar i Bankës Botërore për arsimin. Pse unë arrita në përfundimin se ky koncept dhe ky ligj do ishte një aventurë për Shqipërinë, ndonëse kisha dëshirën më të madhe të ecnim drejt tij, por gjeta një mur të pakapërcyeshëm. Sepse, nëse procedohej në këtë formë, do bënim një gabim të tmerrshëm, të krahasuar me të pakrahasueshme. Të krahasonim qytetarin e Britanisë së Madhe, i cili ka tre shekuj e mos më shumë, që ka dhe ujë të nxehtë brenda shtëpisë, me qytetarin shqiptar që akoma nuk ka ujë të pijshëm në shumë zona brenda shtëpisë…”, tha ai.
Më tej, Berisha shtoi: “Isha kundër dhe u vendosa kundër sepse konstatova se ky parim, kjo reformë mbyll dyert e universiteteve për të varfrit e vendit. Isha kundër, absolutisht, sepse që në vitet ’80 janë nga vitet më të rëndësishme në arsimin e botës, universitetet hapën dyert dhe numri i studentëve u tre-katërfishua me shpejtësi në botë…Mos harroni se Shqipëria para 5-6 vitesh kishte gjithsej më pak se 3 % të popullatës me diploma universitare, në një kohë kur kjo përqindje ishte dhjetë herë më e madhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte 8 herë më e madhe në gadishullin skandinav, ishte shumë herë më e madhe në të gjitha vendet përveç Shqipërisë. Isha kundër, sepse ne do të kapnim kohën e humbur. Unë absolutisht mbështes dhe do mbështes çdo hap drejt cilësisë dhe ka nevojë të madhe të plotësohet, por jo të mbyllen dyert”, tha ai, duke sqaruar më tej. “…Nuk jam kundër kontrolleve në mënyrë absolute, por s’duhet të harrojmë një gjë tjetër, arsimi ka një funksion themelor, qytetërimin e personit, ka një funksion themelor edukimin. Imagjinoni ju se sa dënojmë ne në këtë mënyrë, duke ua bërë atyre përshesh, duke ua shkatërruar ëndrrën universitare. Një njeri që jeton mes maleve, që njeri që jeton në zona të varfra, dhe ti i thua s’mund të ndjekësh shkollën, sepse edhe po të shesë lopën e parë, po të shesë lopën e dytë, po të shesë çfarë ka, nuk paguan dot borxhin e kredisë. Kush e bën këtë? E bëjnë këta zotërinjtë, të cilët pa asnjë ndjenjë njerëzore duan të përjashtojnë të varfrit nga universitetet, duan të përjashtojnë nga shkollimi, edukimi dhe gjithë ato funksione. Kjo është antikombëtare, e theksoj me bindjen më të thellë se është antikombëtare”, – tha ai. Berisha kishte objeksionet e tij edhe për vendosjen e mesatares. “Përsa i përket cilësisë. E keni ekzekutuar që në fillim. Vutë mesataren, vutë ryshfetin. Rikthyet panairet e korrupsionit, do të merrni raportin për to. Ai nuk duhej kthyer kurrë, sepse ishte shëmtia më e madhe e korrupsionit në publik. Do t’i shikoni tani. I përdorët metodat për të blerë votat. Kurrë ndonjëherë ndaj arsimit shqiptar nuk është bërë një batërdi e tillë. Unë po lexoj edhe dy gjëra. Jan de Groof pyet se cili është roli i shtetit? Çfarë është autonomia? Cilat janë funksionet e shtetit? Është dramatike thotë, sepse ky ligj interferon në kompetencat e ministrisë dhe kjo është shokuese. Duhet të respektohet autonomia e universiteteve dhe ky është vërtet problemi kryesor. Kur i merr dhe i emëron të gjithë kryeministri, autonomia është një top futbolli…”, – tha ai.
Berisha foli sërish mbrëmë në Kuvend si replikë pas fjalës së kryeministrit Edi Rama për arsimin, duke kundërshtuar këtë të fundit. “…Po e lini këtë proces jetik për kombin në dorë të një njeriu që nuk ka konceptet më elementare të shkollimit dhe arsimit, të një njeriu që vjen dhe thotë gjëra se nuk di se çfarë thotë, që përgënjeshtron veten e tij. Nuk ka fatkeqësi më të madhe se ky. Thirrja ime është që të mos e votojmë ligjin, të shqyrtohen modalitetet dhe qëndrimin që do të garantojë aksesin e plotë në universitete, natyrisht mbi bazën e kërkesave të caktuara…”, – tha ndër të tjera Berisha.
Topalli: Ligji kthen luftën e klasave
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi dje se drafti për Arsimin e Lartë zhduk shanset e barabarta për shkollim duke kthyer luftën e klasave. “E njëjta mendësi si e etërve diktatorë. Asnjë meritë. Nëse nuk je i pasur, nuk shkollohesh.
Ka një rrugëdalje. Të marrësh kredi, të hysh në borxh, t’i ngjash Edi Ramës. Ndryshimi është se 1 miliard dollarët që ky ka marrë borxh për dy vjet, i paguajnë shqiptarët, ndërsa borxhin e panevojshëm që ky ju detyron të merrni për të paguar shtrenjtë shkollën e lartë, do ta paguani vetë, kur të hyni në punë…”, – tha dje Topalli. Ajo shtoi se ligji është antikushtetues, sepse në këndvështrimin e saj përmbyset garancia kushtetuese e nenit 57, që garanton autonominë universitare dhe liritë akademike. “…Gjithçka shitet dhe blihet. Pothuajse të gjithë janë të gatshëm për Pazar. Fatkeqësia është që pazari bëhet me paratë publike të shqiptarëve. Prandaj ky ligj është klientelist dhe korruptiv”, – tha Topalli. “Nëse ky ligj kalon, – shtoi ajo, – kjo është një nga arsyet pse ky regjim meriton të përmbyset”.
Tabaku: Po shkatërrohet liria akademike
Deputetja demokrate, Jorida Tabaku tha dje se ligji për arsimin do të shkatërrojë demokracinë e arritur deri më tash. “Sot, duhet të ngriheni mbi përcaktimet tuaja partiake. Nuk do ju drejtohesha me këto fjalë nëse, realisht, edhe unë në vendin tuaj nuk do ta bëja diçka të tillë dje, sot apo edhe nesër. Por, nëse ju të nderuar kolegë, e keni vendosur tanimë që me verbëri të votoni një ligj që shndërron në një kloun Universitetin Publik, një ligj që e trajton si të njerkës Universitetin Publik. Nëse ju keni vendosur që të votoni një projektligj që shkatërron lirinë akademike, që e vendos nën thundrën qeveritare atë, që cenon haptazi të drejtën kushtetuese; një ligj që penalizon mobilitetin e studentëve, që nuk ofron mundësi të barabarta, por dënon të pamundurit me një borxh që do duhen breza për ta paguar; që e trajton arsimin publik si një mall tregu të dorës së dytë dhe jo si një vlerë për shoqërinë tonë, këto janë arsye përse dje dhe sot jam në krah të studentëve dhe pedagogëve…”, – tha dje Tabaku. Ajo shtoi se kundër këtij drafti janë 140 pedagogë dhe mijëra studentë. “…Ju mund ta miratoni sot këtë ligj, duke shkelur më këmbë universitetet publike, por nuk mund të na ndaloni të vazhdojmë betejën ligjore, etike dhe morale për një arsim publik të ndershëm, jopartiak, të pavarur e që gjeneron shkencë! Arsim publik të disponueshëm si një e drejtë dhe jo si një privilegj!”, – tha ajo.
LSI me rezerva, Rama: Ligji nuk ka më mbulesë ligjore për kërkimin shkencor
Megjithëse ka votuar pro, Lëvizja Socialiste për Integrim ka shprehur rezerva për atë që sjell ligji i ri për Arsimin e Lartë, i miratuar mbrëmë në Kuvend. Në emër të LSI-së, deputeti Luan Rama ndërsa ka përshëndetur nismën e qeverisë për të ndryshuar gjendjen aktuale të sistemit arsimor të lartë, ka qenë kritik për disa nga pikat më të debatuara të këtij ligji, që kanë të bëjnë kryesisht me kërkimin shkencor, cenimin e autonomisë së universiteteve, si dhe mbrojtjen e shtresave të varfra. “Dua të theksoj që një ligj, në cilëndo fushë dhe sidomos ky që ka të bëjë me arsimin, nuk bëhet për të na treguar se deri ku ka shkuar e keqja, por për të na treguar se deri ku do shkojë e mira”, – tha Luan Rama në nisje të fjalës së vet.
Sipas tij, debati i zhvilluar deri më tani në komisione dhe fakti që universitet jopublike kanë qenë jopjesëmarrëse në debat, tregon se ligji i arsimit të lartë shkon sipas interesit. “Fakti që ky ligj ka ndryshuar, edhe titulli tregon se një zonë ndërkomunikimi ka funksionuar. Se sa është dëgjuar zëri i profesoratit, kjo nuk është e qartë, sepse asnjëherë nuk na është paraqitur një krahasim”, – tha Rama. Duke u ndalur te çështjet konkrete të ligjit, ai ka ngritur shqetësimin se varianti i paraqitur nga qeveria lë zbuluar pa mbështetje financiare kërkimin shkencor që bëjnë institucionet e posaçme, si Akademia e Shkencave apo Qendra e Studimeve Albanologjike.
“Nuk mund të jem indiferentë ndaj disa vërejtjeve themelore që i janë bërë projektligjit dhe që për çudi nuk kanë të bëjnë me konceptin e sotëm shtetëror për arsimin e lartë, por me raportet e institucioneve arsimore me Buxhetin e Shtetit dhe me njëri-tjetrin, pra me administrimin e arsimit dhe jo me standardet e tij. Praktikisht, me miratimin e këtij ligji nuk ka më mbulesë ligjore për kërkimin shkencor në institucionet që punojnë për të, si Akademia e Shkencave dhe Qendra e Studimeve Albanologjike. Kjo rrezikon shumë statusin e studimeve albanologjike dhe atë të Akademisë së Shkencave. Është arbitrare kjo sjellje nga hartuesit e ligjit. Nuk mund t’ia lëmë rastësisë fatin e shkencave. Kjo është një pabesi e madhe ndaj shkencës kombëtare”, – tha Luan Rama. Gjithashtu ai ka evidentuar edhe shqetësime të tjera, që kanë të bëjnë me atë se ku do shkojë buxheti shtetëror për arsimin dhe kush do e kontrollojë atë.