Me flatrat e krrillave u bart perëndimi
Dhe ra si ndryshku i plugut.
Një bronx i sëmurë në pisk të thëllimit
Larton statujën e muzgut.
Mes malit e fushës, kur jelet e zeza
Të territ të prekin në tokë, -
Zvarrë do ta heqë dikë në varreza
Kalorës’ i Dyrerit galop.
Ti portën e kyç dhe ndjen si përjashta
Statuja e muzgut mësyn: -
Rishmi rikthejnë ndijimet e lashta
Që tjetër Kujtesë përtërijnë.
“Ti nuk m’i nderove altarët e mi,
As Frymët ndër kafshë e natyrë.
Ti engjëjt m’i talle! Më mbetet tani
Demonë të të çoj mysafirë”.
Portën e ndjen si shkallmohet, gjerkur –
Shpirtin ndër lutje përndezë –
Kalorës’ i Dyrerit fytyrëqivur
Ta merr me galop në varrezë..