Kaltrina Selimi Thote “Hajt”!

Kaltrina Selimi Thotë “Hajt”!
Zëri i saj është një nga më të preferuarit dhe më të pëlqyerit nga audienca shqiptare dhe ajo e Kosovës. Dhe kjo jo krejt pa arsye! Kaltrina Selimi është këngëtarja e afirmuar, që me sharmin e saj dhe me zërin e kulluar ka bërë që shumë veta të kapen fort pas imazhit të saj. Hiti i saj më i fundit vjen nën firmën e kompozitorit të mirënjohur Florian Mumajesi dhe ai titullohet “Hajt”. Një këngë e realizuar me sukses dhe një klip që do t’ju pëlqejë pa masë. Tashmë ka ardhur koha të njiheni me Kaltrina Selimin.

 

Një ndërthurje mes baladës dhe ritmit e bën këngën “Hajt” vërtet speciale dhe të veçantë për vetë këngëtaren, e cila është shprehur për “Infopressin” kosovar, se “për mua klipi është vetëm një mjet, i cili mundëson transmetimin e këngës nëpër televizione. Kjo nuk do të thotë që nuk i kushtoj rëndësinë e duhur realizimit të tij, por kënga është ajo që më merr më shumë kohë. Gjithsesi, gjithmonë jam e kënaqur me atë që realizohet. Nuk kërkoj të bëhet diçka shumë e madhe vetëm në klip, fillimisht kënga duhet të punohet profesionalisht, e më pas edhe klipi. Edhe me këtë të fundit jam ndarë mjaft e kënaqur”. Siç duket, çdo realizim kënge i jep forcë për krijimin e radhës, duke u munduar me çdo kusht që secilën këngë ta bëjë hit. Kështu, pas këngës së saj të fundit “Copy paste”, e cila u vlerësua si një këngë mjaft e pëlqyer, gjithmonë duke u bazuar në top-listat e televizioneve dhe radiove të ndryshme, Kaltrina javën që lamë pas ka publikuar këngën më të re. Përtej kufijve, zgjodhi personin për të bashkëpunuar për krijimin e saj më të ri, këngë kjo, e cila pritet të pushtojë emisionet muzikore, sidomos gjatë ditëve të nxehta të verës. Florian Mumajesi duket se është kthyer tashmë në emrin më të kërkuar për momentin nga të gjithë këngëtarët e Shqipërisë dhe Kosovës, kjo jo vetëm për faktin se puna e tij profesionale ka bërë që të mbeten të kënaqur shumë këngëtarë, por sepse edhe sezoni i verës është një nga më të kërkuarit për këngëtarët që mësyjnë të prezantojnë hitet e tyre më të reja, me ritme, me det, diell dhe gjithçka që duhet për ta kaluar në formën më të mirë këtë stinë të nxehtë të vitit. “Kënga titullohet “Hajt” dhe është një këngë e realizuar në Shqipëri. Për tekstin dhe muzikën kam bashkëpunuar me Florian Mumajesin, Florin, dhe jam ndarë mjaft e kënaqur me gjithë realizimin”, tregon Kaltrina. Ajo që përbën risi, jo vetëm për vetë protagonisten këtë herë, por edhe për fansat e saj, është pikërisht fakti se për herë të parë në karrierën e saj të gjatë muzikore si këngëtare, Kaltrina ka sfiduar veten dhe aftësitë e saj, duke u kthyer edhe në një tekstshkruese. Kot nuk thonë, kush guxon fiton! “Hajt” është shkruar nga dora e vetë Kaltrinës dhe të vëllait të saj, dhe kjo ndodhi pas marrjes në demo të kësaj kënge nga kompozitori. “Në këtë këngë kemi disa ndërhyrje nga unë dhe vëllai, dhe më pas është Flori ai që i ka kompozuar, orkestruar dhe e ka shkruar tekstin e saj. Është hera e parë që unë shkruaj tekstin e një kënge, ndërsa herë të tjera nuk kam pasur guximin të shkruaj ndonjë tekst, për arsye se është një përgjegjësi e madhe. Këtë herë më pëlqen shumë dhe e di që do të mbahet në mend”, pohon këngëtarja. Një tekst me temë dashurie ka përmbyllur edhe këngën e saj më të re, ndërsa një ndërlidhje baladë-ritëm kombinojnë mjaft mirë muzikën e krijuar. “Është një temë dashurie. Faktikisht, një djalë largohet nga e dashura dhe ngjarja zhvillohet në këtë kontekst. Kryesisht kënga është ritmike, megjithëse një pjesë e saj është baladë. Është një këngë e veçantë dhe mjaft interesante. Edhe në klip jemi munduar që të ofrojmë atmosferë në të dy zhanret”, tregon ajo. Gjithmonë e kënaqur me atë që realizon, dhe besnikëria e këngëtares ndaj produksionit “Pixels” vazhdon, gjë që shihet edhe në klipin më të ri të saj. Kaltrina tregon se klipi është xhiruar në Prishtinë, në një ambient ku ata kanë pasur mundësi të filmojnë skena të ndryshme. Përveç angazhimeve të shumta rreth realizimit të kësaj kënge dhe klipit, Kaltrina ka vazhduar edhe me mbrëmjet e ndryshme verore, të cilat kanë hyrë në axhendën e saj muaj më parë. “Jam vazhdimisht nëpër mbrëmje të ndryshme dhe jam shumë e kënaqur me publikun tim. Në çdo vend që shkoj, kaloj shumë mirë. Thjesht po kënaqem me publikun gjatë mbrëmjeve muzikore”, thekson këngëtarja. E për të pushuar, ajo ka zgjedhur fundin e muajit gusht, atëherë kur edhe do të përfundojnë mbrëmjet muzikore.

 
Kënga më e re e Kaltrina Selimit vjen nën firmën e Florian Mumajesit, një hit i ri dhe një zhanër i palëvruar më parë nga vetë këngëtarja.

 Për herë të parë ajo vjen edhe si tekstshkruese së bashku me vëllanë e saj, ku ajo ka shkruar tekstin e hitit më të fundit të saj, “Hajt”.

 
Pushimet verore janë një pjesë e rëndësishme për të dhe menjëherë mendon që t’i shijojë ato pas përfundimit të impenjimeve muzikore si koncerte apo performanca live nëpër Kosovë e gjetkë.

Nga : Korrieri

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama