Kam degjuar per Shqiperine dhe shpetimin e hebrenjve

'Kam dëgjuar për Shqipërinë dhe shpëtimin e hebrenjve'
Tashmë është 80 vjeç dhe dëshmitar i asaj që pësuan hebrenjtë. Levy Claude është një nga “fëmijët e fshehur” të Francës, në rrekje për t’u shpëtuar nazistëve. Ai ishte një nga dëshmitarët e pranishëm në konferencën që po organizohet në Tiranë në kujtesë të Holokaustit

Levy Claude: Nazistët më ndanë 11-vjeç nga prindërit

Levy Claude ndodhet në Tiranë në kuadër të konferencës që po organizohet në kujtim të Holokaustit. Nuk bën pjesë në të ftuarit që do të dëshmojnë për mbijetesën, por ai është hebre. Është një dëshmitar i asaj kohe, një nga ata që quhen “fëmijët e fshehur”. Ishte 11 vjeç kur filloi kalvarin e shpërnguljeve, e makthit të mbijetesës, e shkëputjes nga familja. “Unë kam lindur në Strasburg, por me pushtimin e Francës nga nazistët, mua dhe familjen time na shpërngulën në Lion. Ishin kohë shumë të vështira. Mua më dërguan së bashku me fëmijë të tjerë në një shkollë afër Lionit. Qëndruam 2 vjet të fshehur. Ndihesha i braktisur. Nuk kishim shumë për të ngrënë, por mbi të gjitha nuk kishim lajme. Nuk e dija nëse prindërit e mi dhe motrat jetonin akoma.

Një ditë pas çlirimit u vumë në kërkim të njerëzve të familjes. I gjeta prindërit e mi dhe u gëzova shumë që kishin mbijetuar”, thotë Levy Claude. Ai është tashmë 80 vjeç dhe është martuar me Carol Reich-in, drejtuesen e programit “Kujtesa e Holokaustit” pranë Këshillit të Europës. Caeol Reich drejtoi konferencën e djeshme, ku përveç fjalës së politikanëve, takimi i organizuar në kuadrin e presidencës shqiptare në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës, në bashkëpunim me Arkivin e Shtetit dhe Ministrinë e Arsimit, ishin të ftuar edhe dëshmitarë. Levy Claude thotë se nuk flet shumë për atë kohë, sepse po shkruan një libër. Do të botohet frëngjisht e përveç kujtimeve të tij përmban letra e faksimile, ku familjet hebreje kërkonin lajme për njëri-tjetrin, nëse kishin gjallë fëmijët, bashkëshortin, nënën, motrën…”Qe kohë e vështirë, një dramë e madhe.

Kishte shumë nga ata që i hipnin në vagonë dhe i çonin në Aushvic. Ka pasur të njohur të mi që e patën atë fat të keq. Motra ime shpëtoi, sepse u strehua në një kuvend katolik. Njerëzit që na fshehën u treguan shumë të guximshëm. Nëse na zbulonin, atëherë edhe ata do të kishin të njëjtin fat me ne. Edhe pse tashmë jam 80 vjeç, i kam në kokë ato ngjarje. I mendoj nga mëngjesi në darkë. Isha vetëm një fëmijë dhe kanë ndikuar fort në karakterin tim”, thotë Claude. Në këtë takim nuk mund të mungojë kontributi i familjeve shqiptare në shpëtimin e familjeve hebreje.

Dëshmi të këtyre familjeve do të vijnë sot në një takim të dytë, që pason këtë aktivitet në Muzeun Historik Kombëtar. “Kam dëgjuar për Shqipërinë dhe për faktin që ndryshe nga shumë vende të tjera nuk i dorëzoi hebrenjtë. Madje në përfundim të luftës kishte edhe më shumë hebrenj se më parë”, thotë ai. E ndërsa kujtesa e Holokaustit tashmë është një mision për të mos harruar e për të mos përsëritur më akte të tilla, Levy Claude, një prej atyre që e pësuan në lëkurë luftën e ashpër ndaj hebrenjve, tregon se nuk ka qenë gjithnjë kështu. “Tashmë flitet shumë për Holokaustin. Madje shumë më shumë se në vitet e para të pasluftës. Atëherë ishte një dramë e madhe, të cilën shumë nga hebrenjtë e konsideronin personale”, tregon Claude. “Holokausti përbën procesin, aktin më barbar, më çnjerëzor të kryer nga qytetërimi perëndimor ndoshta në shumë e shumë shekuj.

Holokausti nuk ndodhi në skajet e planetit, nuk u realizua nga kombe apo shoqëri gjysmë të qytetëruara apo primitive, Holokausti ndodhi në qytetërimin më të zhvilluar të planetit. Sot nderojmë ata qytetarë nga vende të ndryshme të Europës, familjet e tyre, të cilat, në momentet më të vështira dhe më kritike të qytetërimit tonë, qëndruan në anën e vlerave njerëzore. Shpreh nderimin ndaj bashkëkombësve të mi, që bënë që ky vend të festojë 100-vjetorin e Pavarësisë, si i vetmi vend, ku në fund të luftës numri i hebrenjve ishte disa herë më i madh se në fillim të saj”, tha Kryeministri Berisha gjatë takimit të djeshëm. Të tjera dëshmi, përfshirë pasardhës të familjeve shqiptare që shpëtuan familje hebreje do të rrëfehen sot në Muzeun Historik Kombëtar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama