Kam jetuar si ne nje Big Brother pa telekamera..

Kam jetuar si në një Big Brother pa telekamera..
Arjan Konomin tashmë e njohin të gjithë. Gazetari me shumë vite eksperiencë në supe, tashmë ka një rol të ri, shumë popullor. Për të dytin vit radhazi ai është zgjedhur të jetë opinionisti i reality shout, Big Brother 3.

Për herë të parë për këtë edicion, Arjani ka pranuar të ndajë me ne të SH2 eksperiencën e tij. Në këtë intervistë, ai i tregon lexuesit të Sh2, edhe disa sekrete për veten, siç është p.sh., pasioni për udhëtimet dhe nuk e fsheh dëshirën që nëse do t'i bëhej ftesë të ishte lojtar i një reality-shou, do të pranonte pa nguruar.

Po pse ka pranuar Arjani të jetë analisti i BB? Përgjigja është e qartë: "...Sepse më ftuan të bëja këtë pjesë dhe natyrisht tani më pëlqen. Është një eksperiencë e re dhe shumë e bukur. Më pëlqen që në jetë të bëj punë të ndryshme. Në fillimet e mia si gazetar në Itali, jam marrë me probleme të gjeopolitikës, pastaj me të politikës, me të kulturës dhe të shoqërisë. Është një mundësi njohje e thellë e jetës dhe elementëve përbërës së saj..."

Arjan, për të dytin vit radhazi opinionist i BB...

Padyshim që është një vlerësim i madh që mu bë dhe njëkohësisht edhe një përgjegjësi e madhe për të justifikuar besimin që organizatorët patën tek unë. Kjo të vendos përpara një përgjegjësie dhe të krijon një gjendje emocionale sikur të më ndodhte për herë të parë.

Të jesh opinionist në një spektakël të tillë është fryt i eksperiencës së punës si gazetar, apo më shumë i eksperiencës së jetës në përgjithësi, le të themi... Kush ndikon më shumë...?

Besoj se eksperiencat e jetës. Ato të pasurojnë mendjen dhe shpirtin. Sidomos udhëtimet. Një nga dëshirat e mia më të mëdha në jetë është njohja e vendeve të tjera, e kulturave dhe popujve të ndryshëm. Sa më shumë njeh dhe mëson mbi këto, aq më i ndërgjegjshëm bëhesh për injorancën tënde. Kështu më ndodh edhe mua dhe nga këtu, më rilind vazhdimisht etja për të lexuar e për të njohur më shumë.

Shumë flitet jo vetëm në Shqipëri, për reality-të.. Ka mbështetje të shumtë, masa të mëdha shikuesish, por ka edhe kritika të forta për modele të rreme, famë të pamerituar etj. Për Arjanin çfarë është e veçantë në një reality shou?

Është përzierja e artit dhe realitetit, të bashkuara në një, ku prioriteti është i kësaj të fundit, pra i jetës njerëzore reale, të cilës arti i përkulet dhe i lë vendin duke e vështruar për atë çfarë është...

Reality sot i ngjan neorealizmit në kinematografinë e pas Luftës në Europë, që theu normat e kinemasë, por dhe që nuk u mirëprit dhe u kritikua shumë në fillimet e saj. Visconti, Rossellini, Fellini e shumë regjisorë të tjerë, sidomos italianë dhe francezë, filluan të sillnin në artin e shtatë jetën si të ishte në të vërtetë.

Objektivi i kamerës së tyre në mënyrë të thjeshtë dhe të magjishme njëkohësisht paraqiste copëza jetë, kurdo e të papërpunuara, shumë herë edhe me njerëz të zakonshëm, pa pretenduar kurrë se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar.

Kështu edhe në një reality, jeta reale fotografohet artistikisht nëpërmjet magjisë së telekamerës e mjeshtërisë regjisoriale duke e sjellë tek spektatori. Ndaj dhe ky format televiziv mund të quhet si neorealizëm televiziv. Edhe regjisorët që tani i venerojmë si gjigantë të kinemasë nuk u pranuan nga kritika në fillimet e tyre.

Mendon Arjani se reality-të edhe edukojnë?

Jo. Nuk e mendoj dhe uroj që të mos e bëjnë këtë në kuptimin klasik. Jo, një reality, por edhe televizioni nuk ka për detyrë që të edukojë. Kjo u takon të tjerave institucione dhe të tjerë njerëz.

Ne na ka mbetur nga komunizmi që për një libër, për një shfaqje, për një program televiziv apo për artin në përgjithësi të pyesim se çfarë vlere edukative ka. Kjo është shumë gabim. Ju kujtohet që tek ne nuk vlerësohej piktura moderne, sepse nuk kishte vlera edukative?

Pikërisht këtu qëndron absurditeti i atyre që kërkojnë të edukohen në artin. As televizioni nuk duhet ta bëjë këtë, por duhet të paraqesë dhe të jenë vetëm njerëzit ata që të gjykojnë se çfarë u pëlqen dhe çfarë jo. Ashtu si bënin edhe regjisorët e mëdhenj që përmenda.


Ok, të jemi më konkretë... Si është ky BB shqiptar në krahasim me edicionin e vet, vjet?

Besoj se është më i ndjekur. Nëse vitin e kaluar kishte personazhe me histori personale të veçanta, sivjet më duket se janë karakteret më të veçantë. Shumë të ndryshëm nga njeri -tjetri dhe ku thelbi i spektaklit nuk bazohet shumë në historitë e tyre apo jetët familjare sesa në përplasjen e karaktereve dhe të personaliteteve.
Të dhënat që janë nga klikimet në internet të BB3 janë disa herë më të larta se vitin e kaluar, po ashtu edhe komentet. E kjo tregon se nga viti në vit rritet ndjeshëm numri i madh i njerëzve që e ndjekin dhe e komentojnë.

Tani mund të quheni ekspert në njohjen e karaktereve të këtij zhanri... Si janë karakteret e lojtarëve të këtij BB, sipas Arjanit?

Ekspert, ndoshta është fjalë e madhe. Nuk është e lehtë të njohësh njerëzit e karakteret e tyre. Karakteri është si themeli i një ndërtese. Është pjesa e padukshme. Ajo çfarë ne perceptojmë fillimisht është personaliteti, i cili ndryshon nga i pari.

Ajo çfarë është e rëndësishme për të kuptuar është fakti se karakteri nuk zbulohet nga ato çfarë personi tregon apo mendimet që ai shpreh, sepse niset të thotë më shumë i ndikuar nga ideja se çfarë ai mendon se duhet të dëgjojnë njerëzit për të se nga ai. E rëndësishme është reagimi.

Jeta në përgjithësi nuk është e bërë nga gjërat që ndodhin, por nga reagimet ndaj tyre. Reagimi ndaj një debati, ndaj një konflikti, bisede të thjeshtë, por edhe ndaj një loje, ndaj një shakaje apo situate humori. Pikërisht për të kuptuar karakteret sa më mirë duhen parë reagimet që banorët kanë. Dhe kjo vlen edhe në jetën e përditshme.

Ku qëndron vështirësia tek kjo pjesë?

Tek banorët aftësia që i dallon njeri nga tjetri e që rrjedhimisht bën që dikush të dallohet nga shumica nuk është mënyra sesi vepron.

Ose ndryshe nuk është fakti që të bësh apo të thuash gjënë e duhur në momentin e duhur, por të veprosh drejt, atëherë kur nuk di si të sillesh apo çfarë të thuash.

Cili është mendimi juaj për të përjashtuarit? A ka gjykuar drejt publiku?

Publiku nuk gabon ose kjo mund të ndodhë nga fillimi i jetesës aty brenda kur ndonjë personazh për motive emotiviteti apo ndrojtjeje nuk ka arritur të shfaqë atë që është në të vërtetë. Më kalimin e javëve banorët e shfaqin veten e tyre dhe arrijnë secili të bëjë për vete një numër të madh shikuesish. Dallimi në këtë rast qëndron sesa më i ndryshëm nga të tjerët është ky numër.

Edhe këtu sekreti nuk është tek ata shikues që identifikohen me banorin brenda shtëpisë, por me reagimet dhe veprimet e tij. Më konkretisht, nëse dikush të tërheq në fillim, sepse ngjason me ty apo të duket sikur ai, apo ajo e re të përfaqëson, nëse ky person reagon jo ashtu si do të kishe reaguar ti, atëherë ti nuk e pëlqen më, por preferenca jote shkon tek një tjetër që bën të njëjtin reagim që do të kishe pasur ti, qoftë verbalisht qoftë me veprime.

Pastaj nuk duhet të harrojmë që gjatë javëve të eliminimit na dallim nga finalja nuk votohet i preferuari, por ai që duhet të dalë dhe kjo i ndryshon shumë efektet. Sepse varet me cilët persona ke dalë në nominim, si shpërndahen votat e mbështetësve të dikujt, të cilët nuk votojnë për të preferuarin e tyre, por për atë që mendojnë se kanë shumë shanse për të dalë. Dhe këtu llogaritë humbasin, sepse luajnë shumë faktorë që duhen shumë psikologë t'i analizojnë.


Çiftet brenda shtëpisë (Erjoni- Bertina) mendoni se ka vërtet ndjenjë, apo është një mënyrë për të qëndruar sa më gjatë?

Besoj se ndjenjë, por janë dy karaktere shumë të ndryshëm, që në mënyrë instiktive nuk "bien dakord" se kush është dominanti në lidhjen e tyre, ndaj dhe shfaqet si jo e fortë. Dikush aty edhe mund të mendojë se një lidhje dashurie të bën të qëndrosh më gjatë, por e ka gabim.

Këtë e vërtetoi dalja e Reazartës që edhe pse u dashurua, dhe këtë e them me bindje, nuk arriti të qëndronte më shumë. Apo raporti i Seldit me Domenikën që edhe pse tani janë shokë vazhdojnë të qëndrojnë brenda shtëpisë.

Cilin sheh Arjani si karakterin më të fortë aty brenda?

Më tepër se karakter të fortë aty ka personalitete të forta, njerëz me shumë temperament, prej të cilëve dikush mund të lërë edhe përshtypje jo të mirë për ndonjë gjest të veçantë apo fjalë të tepruar. Nuk është një. Janë shumica e tyre.

Nëse të jepet mundësia të hysh brenda, çfarë do t'u thoshe?

Do t'u thosha që të mos lodhen dhe të mos thyhen nga ndonjë zhgënjim momental. Mendoj që ka disa persona aty, për të cilët do të ishte shumë interesante të dëgjonim eksperiencat e jetës së tyre... Nuk e kanë bërë dhe për këtë më vjen sinqerisht keq, sepse bien në rutinën e thashethemeve dhe të stresit.

Po Arjani vetë do donte të merrte pjesë si një lojtar aty brenda në shtëpi?

Do të më kishte pëlqyer. Pse jo? Unë jam njeri që më pëlqen të kem shumë shoqëri dhe ta kaloj pjesën më të madhe të kohës sime me ta. Unë kam jetuar shumë jashtë dhe me shoqëria studentore që ishte si një Big Brother pa telekamera dhe me shijonte kjo lloj jete. Ashtu si kam pasur gjithnjë etje për të njohur njerëz dhe kombësi të shtresave sociale apo dhe formimeve kulturore të ndryshëm. Kontakti me njerëzit dhe me jetën është një nga vlerat më të rëndësishme për mua.

"Homoseksualizmi i Klodit? Nuk është e rëndësishme të pranohet nga publiku..."

Arjan, këtë vit, BB ka një risi... Një djalë që ka pranuar të thotë publikisht se është homoseksual. Debatet që kanë ndjekur këtë deklarim, dihet tashmë që ishin të shumta... Është gati publiku shqiptar ta pranojë këtë gjë?

Publiku nuk është një person i vetëm, është një masë dhe masat e dimë dhe nga historia nuk bien asnjëherë dakord për asnjë gjë, qofshin çështje politike, ekonomike apo dhe sociale siç është rasti i Klodit.

Tema e seksit është një tabu për ne shqiptarët. Po të kthehemi pak pas në kohë do të kujtojmë që edhe për meshkujt shqiptarë ishte shumë e rëndë mungesa e virgjërisë së një vajze, apo një studente po të kishte një të dashur konsiderohej si imorale dhe familja nuk duhet ta merrte vesh kurrë. Sot gjërat kanë ndryshuar dhe për fat të mirë të rinjtë nuk i mendojnë më këto gjëra si më përpara. Shoqëria ka ndryshuar, sepse e kuptoi që nga mungesa e virgjërisë nuk i vinte asnjë e keqe shoqërisë. Bile, nga bisedat me miqtë më qëllon të vë re se shikohet edhe me dyshim virgjëria. Një djalë mendon se ka një problem tek një person i tillë.

Po kështu edhe me Klodin. E rëndësishme nuk është të pranohet nga publiku, por të flitet. Kështu ngacmohen më shumë mendjet e njerëzve dhe instinktivisht fillojnë të arsyetojnë për një gjë që ndoshta më parë nuk u kishte shkuar mendja. Në shqiptarët jeni njerëz tolerantë. E kemi dëshmuar këtë edhe më fenë edhe me popujt e tjerë. Kjo është tendenca, por natyrisht do kohën e vet.

Për sa i përket Klodit ai ka marrë këtë vendim besoj se për të nuk ka vlerë mendimi i atyre njerëzve, ekzistenca e të cilëve për të nuk përbën ndonjë interes.

Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama