Kam luftuar gjithnje per te drejtat e mia qe te jem e barabarte

'Kam luftuar gjithnje per te drejtat e mia qe te jem e barabarte'

Artistja me origjinë nga Prishtina, Egzona Ademi prej dy vjetësh jeton në Tiranë. Fillimisht ajo u ngjit në skenë si këngëtare te “X factor”, e më pas vazhdoi të punojë si trajnere te “Gjeniu i vogël”, për të vijuar me projekte në teatër, me shfaqjen “Konkursi”. Dje interpretoi në Teatrin e Metropolit rolin e Katerinës, te “Nënat dhe bijat” me regji të Rozi Kostanit. Në një intervistë për “Shekullin”, Egzona tregon rreth qëndrimit të saj në Tiranë, për karrierën artistike, këngën dhe teatrin, por edhe për lidhjen e saj me familjen.

Egzona, si lindi bashkëpunimi yt me regjisoren Rozi Kostani?

Me Rozin kam bashkëpunuar në shfaqjen “Konkursi”, por me të jam takuar përsëri edhe pas shfaqjes, nëpërmjet një mikeshe të përbashkët. Ç'mund të thoni për rolin e Katerinës? Katerina është një vajzë me prindër të divorcuar që ka problemet e saj. Meqenëse ajo ka vendosur të mos jetojë me asnjërin prind, ka mbetur e vetme. Është zhvendosur në një qytet tjetër, ku ka vendosur që të studiojë dhe të punojë. Ajo është një vajzë çapkëne, si të gjitha vajzat e tjera. Por metaforikisht, e ka lëkurën më të trashë, sepse nuk ka qenë e mbrojtur nga prindërit e saj. Prandaj, më pas detyrohet që për shkaqe të ndryshme të prostituojë, derisa në një moment takohet së bashku me të ëmën.

Si punon me një rol Egzona?

Kjo gjë varet edhe nga ngarkesa që ka një rol. Ka ndodhur ndonjëherë që e realizoj një rol duke i gjetur zërin që duhet. Kjo nuk ka pasur ndonjë vështirësi. Nuk e di, por personazhin e shikoj që në momentin që lexoj tekstin. Kam dëshirë që ato të më ngjasojnë me njëri-tjetrin.

Pavarësisht se mund të kenë diçka të përbashkët, këto dy të fundit, të dyja e kanë emrin Katerina, të dyja janë rebele. (qesh) Nëse riktheheni në kohë, a të kujtohet sesi të ka lindur dëshira për t’u marrë me aktrim?

Mamin tim e quajnë Fatime Ademi dhe është aktore. Ajo më ka marrë nëpër shfaqje, qysh kur isha e vogël. Nga kjo mendoj se më ka lindur edhe dëshira që unë të merrem me teatër. Mami im qysh prej viteve ’70, ende edhe sot vazhdon të punojë në skenë.

Cili ka qenë roli i parë në skenë?

Kam qenë në vit të parë të Akademisë së Arteve, kur në skenë do të prezantohej shfaqja “Mbreti Lir”. Rolin e Kordelias do ta interpretonte një aktore, që asokohe sëmuret dhe i ndalojnë që të ngjitet në skenë. Mua më ftojnë për të interpretuar rolin e Kordelias përkrah profesorit tonë të ndjerë, Faruk Begollit. Ka qenë një emocion shumë i madh, sepse profesori ishte edhe një njeri shumë i mirë, për këtë ne duhet të mburremi që e kemi pasur. Më pas krahas viteve në Akademi kam pasur edhe aktivitete të shumta në teatër, në film më pak etj. Cilin rol do të veçoje nga ata që ke interpretuar deri më tani? Rolet që kam realizuar deri më tani kanë qenë role që kanë ndihmuar në zhvillimin e imagjinatës sime. Unë shikoj filma të animuar, sepse përdor shumë zërin dhe mimikën, normalisht që tiparet janë të personazhit. Rolin që do të veçoja është te “Kuzhina e viktimave”, shkruar nga Ilir Gjocaj. Ne gjatë dy javëve kemi bërë intervista me gra që kanë qenë të dhunuara gjatë luftës. Një grua ishte nga Kroacia, një nga Kosova dhe një nga Bosnja. Unë interpretoja rolin e një gruaje, që e vetme kishte arritur të luftonte bashkëshortin, që e kishte dhunuar sistematikisht, sepse ai shkonte me të tjera dhe këtë vetëm e dhunonte. Ndërkohë, që shumë gra të tjera nuk e kanë përballuar dot këtë.

Sa luftëtare është Egzona si femër?

Unë jam minorancë në shtëpi, sepse jemi me gjithë babin katër me një. Unë kam luftuar gjithnjë për të drejtat e mia, kam pasur dëshirë që të jem gjithnjë e barabartë. Pavarësisht se ne mund të jemi të barabartë në shumë gjëra, sepse dihet se meshkujt nuk kanë mundësi që të lindin, ndërsa gratë janë fizikisht shumë të dobëta dhe nuk mund që të ngrenë dot pesha. Mendoj se gratë janë të zonjat dhe mund të bëjnë punë të përmasave të mëdha, ashtu sikurse bëjnë edhe meshkujt. Mund të jenë kryetare shteti, madje shumë më mirë se një mashkull. Gruaja udhëheq në familje e në shoqëri, ndërsa meshkujt bëjnë vetëm punë individuale.

A është Egzona e dashuruar?

Hëë. A ta bëj një hëëë. (qesh) Unë mendoj se ekziston dashuria, kam shumë qejf që sa të rroj të dashuroj, sepse të gjithë kemi dashuruar, ndonjëherë na kanë dashuruar, apo edhe e anasjella. Unë nuk jam zhgënjyer nga dashuria, por shpresoj që një ditë ta takoj personin që më bën për të qeshur, që ka sens humori, sepse jeta njëlloj është e mërzitshme. Ai duhet të jetë person i pastër e të më mbështesë. Si ka qenë fëmijëria jote? Unë jam rritur në Prishtinë, në një periudhë që do të doja të rikthehesha përsëri, e që të mos rritesha më asnjëherë. Pavarësisht se Kosova ka qenë në rrethanat e luftës dhe ne nuk kemi qenë shumë të lirë. Mbaj mend lojërat që bëja me shoqet, i kujtoj të gjitha me detaje, më merr malli për to. Sa e bindur ke qenë përballë këshillave që të jepnin prindërit? Në familjen time jam fëmija i vogël, kam edhe tre vëllezër më të mëdhenj. Marrëdhëniet më të afërta i kam pasur me vëllanë e vogël, me të jam grindur dhe kam kaluar çdo gjë. Por unë e kam respektuar po-në dhe jo-në e prindërve të mi. Ata gjithmonë më kanë dhënë argumente se përse duhet të bëhet një gjë, dhe përse nuk duhet të bëhet një gjë tjetër.

Kush të ka qëndruar më pranë?

Unë jam njeri shumë familjar, vlerat e familjes sime për mua janë shumë të rëndësishme. Tri gjërat më të rëndësishme në jetë që nuk zëvendësohen asnjëherë janë perëndia, nëna edhe vendlindja. Unë përherë mbështetem pas këtyre. Jam shumë e lidhur pas prindërve, pas vëllezërve, nipërve dhe mbesave. Unë vuaj shumë pjesën që vëllezërit i shikoj një herë apo dy herë në vit, por rëndësia ka që ne duhemi aq shumë, saqë jemi shumë të lidhur njëlloj, sikur të mos na kishte kaluar asnjë ditë në mes. Edhe pse vëllai im i madh ka rreth 20 vjet që jeton larg meje dhe unë jam bërë hallë kur kam qenë 8 vjeçe, përsëri flas shumë me ta.

A ka një pikë të dobët Egzona?

Pika ime e dobët është nëna ime. Asaj ia kushtoj të gjitha arritjet dhe sukseset e mia. Unë i përulem asaj, sepse çdo gjë që kam arritur nuk është meritë vetëm e imja, por edhe falë mbështetjes që ajo më ka dhënë. Ndërsa, babanë e kam shumë shok. Kur kam qenë pesë vjeçe kam pasur mamin të sëmurë. Ka qenë një nga momentet më të vështira të jetës sime, mu duk se iku, dhe që nga ajo periudhë unë i kam fobí vendet e mbyllura dhe kam kuptuar shumë gjëra. Nuk shpresoj shumë, sepse nuk dua që zhgënjimi të jetë i madh.

Keni ndonjë projekt muzikor në duar?

Aktualisht, jam duke menduar për të bërë një këngë të re, me klip. Por unë jam shumë pro këngëve të vjetra qytetare, së bashku me kitaristin tim i interpretojmë shpesh. Mendoj se njerëzit duhet që t’i dinë këngët shqiptare, sepse ne kemi një melos shumë të rëndësishëm, përpos kësaj është një mënyrë shumë e rëndësishme për të prezantuar identitetin tonë. Ne jemi larguar nga shtëpia në Kosovë në 3-4 prill, kam qenë vetëm 14 vjeçe. Mbaj mend se kemi shkuar në një vend në kufi me Maqedoninë, e më pas kemi ndenjur në kamp. Nuk e harroj asnjëherë atë periudhë të tmerrshme, nuk i harroj asnjëherë momentet që na kanë dëbuar nga shtëpia ushtarët me maska.

 

Kur u ktheva nisa shkollën e mesme për muzikë “Prenk Jakova”. Kam qenë një nxënëse shumë e mirë në gjimnaz dhe në Akademi, nuk kam lënë asnjë orë mësimi dhe mesataren e kam pasur 9.5.Për herë të parë në Shqipëri kam qenë me korin e kishës në vitin 2002, morëm pjesë në Festivalin e Këngës Kishtare në Shkodër dhe fituam vendin e parë, me grupin “Harmonia”. Ndoshta kjo është rastësi, por sipas tim ati, ne kemi orgjinë nga Shkodra. Më parë nuk kishim ardhur në Shqipëri, sepse pushimet i kemi bërë gjithnjë në Ulqin. Më pas kam ardhur në Tiranë për të shoqëruar shoqen time.

 

Nuk mendoja që të rrija gjatë këtu, por pas njohjes me “X Factor”, qëndrova. Mbaj mend se në edicionin e dytë, një shoqja ime më ka shkruar dhe më ka thënë se kishin filluar audicionet në Prishtinë. Unë shkova dhe ata më ftuan që të vija në Tiranë. Zgjati aq sa zgjati e më pas në momentin që unë duhet të kthehesha më ofrojnë që të jem trajnere te “Gjeniu i vogël”. Pasi bëra një test fillova punë si trajnere vokali. Më pas, filloi puna me shfaqjen “Konkursi”, dhe aktualisht “Nënat dhe bijat”. Nëse do të kem punë, do të qëndroj këtu. Sepse e di që Kosovën e kam aty dhe mund të kthehem kur të dua.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama