Kam nenshkruar 600 kontrata se me duheshin para. Mos me coni ne burg se do me dhunojne

'Kam nenshkruar 600 kontrata se me duheshin para. Mos me coni ne burg se do me dhunojne'

Ashtu si edhe pritej, 29-vjeçari Ledjan Muçaraku, tashmë i njohur në gjithë vendin si një supermashtrues që ka krijuar një skemë të re piramidale, ka shfaqur dje në Gjykatën e Fierit kompleksitetin e karakterit dhe personalitetit të tij. Këtë herë nuk ka qenë i veshur me kostumin e tij ngjyrë gri dhe kollaren e zezë, por sërish këmisha e bardhë nuk i ka munguar. Rreth orës 13:30 është shoqëruar për në Gjykatën e Fierit ku nuk e ka pritur asnjë i afërm apo avokat mbrojtës. Gjithashtu, është vënë re edhe mungesa e “viktimave” të tij, të cilët janë mashtruar prej 29-vjeçarit Muçaraku, i cili jo vetëm që u ka marrë shuma të konsiderueshme parash, por edhe i ka proceduar penalisht e civilisht, e disave u është dashur të qëndrojnë në burg për muaj të tërë, ndonëse kanë qenë të pafajshëm.

Seanca

Prokurorja e çështjes, Marjola Mërtiri, i ka paraqitur gjykatës akuzat e ngritura ndaj Muçarakut, të cilat nuk janë pak. Ai akuzohet për skemat mashtruese dhe piramidale, kallëzimit të rremë, dëshmisë së rreme para gjykatës, falsifikimit kompjuterik të dokumenteve dhe pastrimit të parave. Prokurorja Mërtiri, pasi i ka parashtruar gjykatës edhe provat e siguruara gjatë hetimit pesëmujor, ka kërkuar vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit të të pandehurit Ledjan Muçaraku dhe lënien në fuqi të masës së “sigurisë arrest në burg” pa afat ndaj tij. Më pas, gjyqtarja Adelina Zarka i ka kërkuar të pandehurit Ledjan Muçaraku që të marrë fjalën dhe të japë versionin e tij mbi ngjarjen.

Dëshmia

Duket se artin e fjalës të mësuar gjatë kryerjes së studimeve të larta për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Vlorës, 29-vjeçari Muçaraku e ka përdorur vetëm për të mashtruar me qëllim që të fitonte “bukën” e gojës. Për rreth një orë e gjysmë ai ka mbajtur një fjalim të gjatë ku ka pranuar gati gjithçka për të cilën akuzohej, por duke bërë disa “korrigjime” të vogla. Në momente të caktuara, nuk e ka përmbajtur dot veten, por është ngashëruar në lot dhe ka kërkuar mëshirë prej gjykatës, pasi i druhej faktit se në burg do ta dhunonin. “Unë i kam bërë të gjitha këto që më thatë. Kam kryer qindra akte noteriale të huadhënies, por jo 900. Kam kryer gjithsej 600 kontrata të tilla. Madje edhe i kam peshuar, janë gjithsej 18 kilogramë dokumente. Ju keni të drejtë që më akuzoni se unë i kam mashtruar njerëzit, kam mashtruar më shumë se njëherë, por kam qenë i detyruar….

 

Ishte e vetmja mënyrë që unë të siguroja të ardhura. Prindërit që më kanë adoptuar dhe me kanë rritur nuk më ndihmonin dot me para që unë të vazhdoja shkollën. Kështu që kur nisa studimet e larta në Vlorë, fillova të punoja si kamerier në një lokal pranë Gjykatës së Vlorës. Aty mësova rreth kontratave noteriale dhe nisa të jepja para me fajde…. Po, është e vërtetë që i kam mashtruar shokët e mi dhe bashkëmoshatarët e mi. Nuk kam dashur t’i bëj keq ndonjërit, por më nevojiteshin para. Më vjen keq që i kam denoncuar dhe i kam vënë në pozita të vështira këta njerëz, por kisha nevojë për para. Dua të korrigjoj edhe një tjetër fakt. Unë këtë punë nuk e kam nisur në vitin 2007 siç thoni ju. Kontratën e parë të huadhënies e kam nënshkruar në janar të vitit 2008”, ka thënë Muçaraku. Më tej ai ka shtuar se me biznesmenët kishte nisur të lidhte kontrata vitet e fundit dhe se për këtë gjë e kishin ndihmuar noterët.

 

“Me biznesmenët nisa të nënshkruaja kontrata vitet e fundit. Në fakt, për të nënshkruar këto kontrata më kanë ndihmuar disa noterë. Jam i gatshëm t’i tregoj edhe emrat. Madje, mund të kontrolloni nëse i kanë deklaruar këto kontrata. Jam i sigurt që nuk i kanë deklaruar, sepse ata më kanë kërkuar që nga fitimet që do të nxirrja prej këtyre kontratave t’u jepja 80% të shumës”, është shprehur ai. Më pas, Muçaraku është lutur që të mos e linin në burg, pasi kishte frikë se mos e dhunonin ata të cilët i kishte futur në burg apo i kishte mashtruar. Me lot në sy e duke u ngashëryer ai i ka kërkuar mëshirë gjykatës. “Ju lutem mos më lini në burg. Të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e Fierit të cilët kanë hetuar e gjykuar kallëzimet dhe paditë e mia janë treguar të mirë me mua. Më kanë dashur të mirën. Ata më kanë thënë që më parë se dyshonin në vërtetësinë e kallëzimeve të mia, por ishin të detyruar nga dokumentet që unë dorëzoja që të hetonin e të bënin gjykimet. Madje ka pasur raste që më kanë parashikuar se nëse unë mashtroja do të vija një ditë në burg e se duhej të bëja kthesë. Më kanë dhënë vërtet këshilla si prindër, ndryshe nga prokurorët e gjyqtarët e Vlorës dhe të Tiranës, të cilët nuk më kanë këshilluar e nuk kanë kuptuar atë që unë bëja. Ju keni qenë gjithmonë të mirë me mua…. Ju lutem mos më dënoni, mos më lini në burg se atje do më dhunojnë.

 

Mos më çoni në Rrogozhinë se atje do ketë nga ata që unë i kam denoncuar e janë dënuar për shkak të mashtrimeve të mia e do hakmerren për këtë gjë. Ju lutem kini mëshirë”, mësohet të jetë shprehur para gjykatës i pandehuri Ledjan Muçaraku, i cili për shtatë vite me radhë ka arritur të mashtrojë qindra persona, disa prej të cilëve u është dashur që të bëjnë burg e të japin miliona për naivitetin se i kanë besuar 29-vjeçarit. Pasi gjyqtarja Adelina Zarka ka dëgjuar pretendimet e të dyja palëve, ka vendosur që të vlerësojë si të ligjshëm ndalimin e Muçarakut dhe të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat ndaj tij. Por, ndryshe nga sa është sjellë në sallën e gjyqit, Ledjani kur ka dalë nga ambientet e gjykatës ka buzëqeshur para kamerave. “Le të vendosë drejtësia. Kam besim te drejtësia”, është shprehur para kamerave Ledjani, ndërsa hynte në furgonin e policisë që do ta shoqëronte drejt Burgut të Rrogozhinës.

Çudia

Pëlqente një vajzë, e denoncoi për ta pasur pranë gjatë ballafaqimit

Çuditë e Lejdan Muçarakut nuk kanë të sosur. Ndërkohë që për vite me radhë ka arritur të mashtrojë qindra persona, deri edhe biznesmenë të cilëve u ka marrë para dhe disa i ka futur në burg, ka menduar edhe për jetën e tij sentimentale, duke përdorur gjithmonë të njëjtën mënyrë. Burime të policisë bëjnë me dije se dyshohet se një prej kallëzimeve që ka kryer ndaj një banori të zonës dhe të motrës së tij, e ka kryer vetëm sepse dëshironte këtë të fundit. Ai i ka denoncuar për kanosje dhe fyerje vëlla e motër. Ndërkohë mësohet se gjatë ballafaqimeve të kryera para hetuesve gjente mënyrën të shprehte simpatinë për vajzën që e kishte denoncuar. Në momentet kur ai gjendej vetëm për vetëm me hetuesit, mësohet se i pyeste për të marrë mendimin e tyre. “A nuk është e bukur kjo vajzë. Shiko si është, ia vlen të kaloj jetën me të”, mësohet të jetë shprehur Ledjani. Këto sjellje të çuditshme që ai ka mbajtur gjatë hetimit e kanë bërë të pabesueshëm 29-vjeçarin. Gjithashtu edhe mossigurimi i provave të mjaftueshme për t’i dënuar personat e denoncuar prej tij, fatmirësisht në këtë rast ka bërë të mundur të pushohet çështja në fjalë, që tashmë pas zbulimit të aktivitetit të paligjshëm disavjeçar të Ledjanit kuptohet se ka qenë një sajesë e tij. Burimet pohojnë se tashmë u janë forcuar dyshimet e atëhershme se ai e kishte kryer kallëzimin vetëm e vetëm që të qëndronte pranë vajzës të cilën e akuzonte për kanosje e fyerje


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama