Kamerier dhe shitese ofertat sezonale per te rinjte
- Botuar: 17 vite më parë
- Shkruar nga:
Adoleshentët, të rinjtë apo studentët që janë me pushime, kanë pak mundësi për punësim sezonal dhe shumë pak dëshirë për të punuar.
Gazetat, sajtet informative ku mund të gjesh oferta dhe kërkesa nga subjekte të ndryshme private ofrojnë pothuajse të njëjtat vende pune me paga tepër të ulëta. Në një kërkim në këto adresa rezultoi se punët më të kërkuara për sezonin veror janë kamerier, banakier, ndihmës në lokalet e basteve sportive, shitëse dyqani, sekretare, përkthyese, ndihmës marangoz apo transportues mallrash. Për studentët e shkathët, mundësitë mund të zgjerohen pak më shumë nga subjektet private. Për të rinjtë që presin sezonin e provimeve ofrohen edhe vende pune si agjent marketingu, asistent menaxher, në të rrallë kërkohen edhe vajza të përgjegjshme për të bërë punën e dados.
Mbizotëruese në kërkesa mbeten kamerier, banakier apo shitëse dyqani. Adoleshentët janë më pak të predispozuar për të punuar. Kërkojnë që të paktën deri në fund të shkollës së mesme t‘i mbajnë prindërit dhe t‘u sigurojnë shpenzimet. Por nga ana tjetër, pavarësisht "kuotave" të vendosura nga prindërit, si pjesë e shpenzimeve ditore apo javore, ata mbeten të kënaqur edhe me shumë edhe me pak. Të tjerë preferojnë të kenë paratë e tyre, pavarësisht pagave që paguajnë bizneset për t‘i marrë në punë.
"Këtu ka mentalitet, askush nuk e ka me qejf të punojë kamerier, ose e ka vështirë të thotë në sy të shoqërisë që punoj kamerier, sepse e paragjykojnë, pavarësisht se shumica e kalon pasditen në kafe dhe pse me 100 apo 200 lekë në xhep", thotë Andi, një 19-vjeçar. Ai vazhdon studimet në shkollën e Ekonomikut, por prej një viti punon si kamerier. Ai thotë se këtë punë e bën edhe për të pasur pavarësi ekonomike edhe për të ndihmuar familjen.
Banakier, kamerier, apo sportelist në lokalet e lotove sportive, nuk është punë me fitim të madh, por brenda një muaji mund të organizojë kohën, mund të mësojë të përshtatet me njerëzit dhe në të njëjtën kohë të ketë edhe kursimet e tij, sado të vogla qofshin ato. Zakonisht, bizneset i parapëlqejnë të punësojnë kamerierë e banakierë për një periudhë të gjatë kohe, pasi kështu janë edhe më efektiv në punë. Por, pavarësisht kësaj, gjatë 3 muajve të verës ka oferta për punësim sezonal, duke nisur nga nevoja që kanë lokalet apo baret për të zëvendësuar punonjësit.
E njëjta gjë vlen edhe për shitëset e dyqaneve. Në dyert e dyqaneve, veç tabelave të "uljeve të çmimit" gjatë kësaj kohe shihet shpesh edhe "kërkojmë shitëse për sezonin e verës".
Një pagë si shitëse në dyqan shkon mesatarisht nga 10 mijë lekë në 15 mijë. Ka edhe nga ato dyqane që aplikojnë procedurën e përqindjes për çdo shitje të realizuar.
Adoleshentët, apo të rinjtë që dinë edhe gjuhë të huaja, nëse kanë njohje apo fat, mund të gjejnë edhe punë si përkthyes apo shoqërues turistesh ose të huajsh. Pagesa është më e mirë në këtë rast, dhe njëkohësisht dhe "statusi" me të cilin paraqitesh para shoqërisë është edhe më i mirë. Puna si shoqërues për turistët vlen më shumë për zonat turistike dhe qytete si Durrësi, Vlora, Saranda, Gjirokastra. Të paktë në numër janë të rinjtë që shkojnë për të lënë kurrikulumet apo që bëjnë intervista pune në agjencitë e punësimit. Dëshira që kanë të rinjtë shqiptarë për të punuar nuk mund të baraspeshohet me dëshirën dhe motivimin që kanë bashkëmoshatarët e tyre në vendet perëndimore. Pavarësisht gjendjes ekonomike të secilit, edukata e punës në sezonin veror apo gjatë fundjavave është e njëjtë në shumicën e familjeve. Secili duhet të mësohet të rritet me konceptin e punës dhe ta "trajtojë" veten më mirë me fitimet e mbledhura gjatë punës.
Justifikimi i gjetur për të mos punuar
Pagesat e vogla dhe statusi
i "ulët", pengesë për punë
Një nga justifikimet e përhershme të brezit të ri është "statusi" i ulët që kanë në rast se punojnë kamerier, banakier, transportues mallrash, apo punonjës pranë lokaleve ku vendosen bastet sportive. Edhe ata që punojnë, prezantohen kokë ulur para moshatarëve të tyre. "Edhe vajzave është më mirë t‘u thuash që jam pa punë, sesa që jam kamerier, sepse ndryshe të paragjykojnë", thotë Andi, kamerieri student. Sipas tij, në rast se do të ndodheshin rezident në një vend tjetër, të rinjtë shqiptarë do të ishin të predispozuar të punonin edhe më shumë, mjafton që të mos jenë në atdhe. Të rinjtë që ndodhen me studime jashtë shtetit, janë më të predispozuar për të bërë punë jo vetëm sepse aty nuk paragjykohen, por edhe sepse pagesat janë shumë herë më të mira se ato që ofron aktualisht vendi ynë. Picier, shpërndarje picash, shpërndarës dërgesash, transportues valixhesh, kamerier apo banakier, janë punët më të zakonshme që bëjnë të rinjtë shqiptarë në shtetet ku janë rezidentë.