Të shtënat vrastare i ka ngatërruar fillimisht me fishekzjarrë. Por më pas, ka parë një njeri kokë e këmbë në të zeza, që qëllonte mbi drejtorin e bankës. “Polici po fliste me radio dhe iu vu nga pas” Dëshmitarë të shumtë të krimit mafioz kundër Artan Santos kanë ngatërruar fillimisht zhurmën e plumbave me fishekzjarrët. Të njëjtin dyshim ka pasur edhe kamerieri i një lokali pranë vendit të krimit, i cili tregon për MAPO-n momentet që pasuan krimin.
“Fillimisht kujtova se ishin kapsolla apo fishekzjarrë, por më pas kur i dëgjova rresht njëra pas tjetrës mendova se ishte armë. Ishin të shtëna të thata”, – tregon ai. Kamerieri tregon se kishte dalë menjëherë në verandë, kishte parë një person me skafandër në kokë dhe pistoletë në dorë. Ai ka qëndruar vetëm pak sekonda aty, ndërsa në një distancë disa metrash, prapa një peme, një efektiv i policisë rrugore po tentonte të komunikonte në radio. Ai tregon se nuk e kishte parë momentin kur policit i kishin drejtuar armën, ndërsa pohon se e kishte dëgjuar këtë fakt nga të tjerët.
Sa ishte ora kur ndodhi ngjarja ?
Ishte rreth 9:20, apo pak më tepër. Unë isha brenda duke u shërbyer klientëve, sepse ishte mëngjes dhe kishte shumë njerëz që duhej t’iu shërbeja. Në këtë kohë dëgjova të shtënat rresht që vinin nga jashtë. Krismat fillimisht i mendova si fishekzjarrë apo kapsolla. Por më pas mësova se ato ishin të shtëna. Madje tani që i kujtoj, ato dukeshin se ishin të shtëna të thata. Pra ishin të shtëna arme. Më vonë dola dhe pashë se çfarë kishte ndodhur aty.
Mbani mend se sa të shtëna u dëgjuan në këtë moment, kur ju i dëgjuat ato?
Po, ishin gjashtë të shtëna, njëra pas tjetrës. Ju thashë, fillimisht menduam se ishin fishekzjarrë apo kapsolla, por më pas kuptuam çfarë kishte ndodhur. Ne ishim ende brenda kur u dëgjuan të shtënat njëra pas tjetrës. Dola të shikoja dhe pashë që një person i qëndronte përballë viktimës dhe po e qëllonte.
Si ishte ai? Çfarë ju bëri përshtypje më shumë?
Nuk di ta them këtë, sepse ishin sekonda që nuk mund ta kesh mendjen për të përshkruar një person. Unë e fiksova me skafandër të zezë në kokë. Nga kjo fiksova se çdo gjë ishte e zezë, por se nuk e mbaj mend saktë.
Personi me skafandër në kokë po e qëllonte ?
Ai dukej sikur e qëllonte, porse nuk arrita ta shoh me qartësi, pasi nuk kishte shumë mundësi për të parë se çfarë po ndodhte. Pasi përpara është një kondicioner i madh që na bllokon pamjen, si dhe një ekran i madh po ashtu dhe nuk ka shumë mundësi të shikosh.
Sa zgjati kjo ?
Besoj shumë pak. Në këtë kohë, disa metra më tej pas pemës, ku është ajo gruaja që shet lule, ishte një polic që po mundohej të fliste në radio. Më pas ata ikën dhe vetëm kur pashë që drejtori i bankës kishte rënë në tokë. Pak më tej ishte motori me të cilin ata ikën me shpejtësi drejt Librit Universitar.
Shitësja e luleve: E vranë dhe e lanë aty, askush s’u afrua
Tiranë “E vranë dhe e lanë aty. Nuk u afrua njeri. Njerëzit u tmerruan, u fshehën”. Kështu pohon shitësja e luleve përballë bankës, ndërsa tregon momentet e atentatit mafioz.
Sa vetë ishin aty në momentin kur u qëllua me armë ?
Më duket se nja dy vetë ishin. Më shumë jo, nuk pashë. Vetëm ata ishin afër, por më tepër nuk pashë se isha larg unë. U dëgjuan të shtënat dhe fillimisht menduam se u ça ndonjë gomë makine. Nuk menduam se mund të ishte qëlluar apo vrarë njeri me armë. Ata e qëlluan disa herë dhe e lanë aty dhe ikën. U krijua shumë rrëmujë, shumë trafik dhe nuk kuptohej gjë. Më pas, kur ata që sapo e kishin gjuajtur, ikën me shpejtësi, atëherë kuptova unë.
Po njerëz të tjerë afër tij a kishte ?
Jo, njerëz të tjerë nuk kishte. Ai ishte vetëm, kështu e pashë dhe e fiksova unë. Aty kishte kalimtarë të tjerë, por ai ishte vetëm, i pashoqëruar nga askush.
A e njihnit personin që u vra ?
E shihnim këtu vazhdimisht. Ne i shikojmë përditë këta të bankës se vijnë na flasin, na përshëndesin, apo blejnë ndonjë lule ndonjëherë. Ata vijnë këtu flasin me ne, na përshëndesin, por nuk e njoh personalisht.
A dëgjuat apo kuptuat nëse ata komunikuan me të ?
Jo, nuk di të ketë ndodhur një gjë e tillë. Nuk e di që ata të kenë komunikuar me të, apo të kenë shfaqur ndonjë shenjë se po komunikonin.
Po ndonjë polic, apo polic rrugor të zunë sytë ?
Ishte një polic i bankës në atë moment. Vetëm ai ishte aty. Ai polici i bankës ishte aty, ndërsa polic tjetër në këtë moment nuk kam parë. Ata duhet të kenë ardhur pak momente më vonë. Por nuk e kam fiksuar, ju thashë se këtu u bë shumë rrëmujë. Ai sapo kishte zbritur nga vetura e vet dhe po shkonte në punë të tij si përditë pa ndonjë problem apo shqetësim, siç vinte.
A i keni fiksuar herë të tjera këta persona, apo motorë që vinin ?
Nuk di ç’të them, se këtu kalojnë shumë njerëz dhe ka shumë lëvizje. Kalojnë mjete të llojeve nga më të ndryshmet dhe nuk mund të thuash nëse kanë kaluar apo jo.