Kamomili bima qe ben cudira

Kamomili, bima qe ben cudira
Të gjithë kemi dëgjuar për vetitë e shkëlqyera të kamomilit kundër stresit, pagjumësisë, dhembjeve të barkut apo sëmundjeve të lëkurës. Me sa duket, gjyshet tona nuk e kanë pasur gabim që na e rekomandonin si ilaç kundër shumë sëmundjeve. Këtë e konfirmon së fundmi një studim i publikuar në prestigjiozen “Journal of Clinical Psychopharmacology”. Sipas tij, vërtetohen plotësisht vetitë e kamomilit kundër stresit, ilaçi që edhe gjyshet tona e përdornin pa u bazuar në asnjë fakt shkencor. Kërkuesit kanadezë të “Faculty of 1000 Biology” kanë zhvilluar një analizë për të zbuluar se çfarë qëndronte vërtet pas “popullaritetit” të kamomilit. Në këtë mënyrë, ata analizuan të dhënat e një studimi për vetitë e kamomilit kundër shqetësimeve të lehta dhe të mesme me ankthin.

Në studim u përfshinë personat që vuanin nga këto çrregullime, të cilët u ndanë në dy grupe. Grupit të parë iu dha kamomil, ndërsa të dytit qetësues të tjerë bimorë, por jo ilaçe. Në fund, nga rezultatet e studimit u pa se pacientët e trajtuar me kamomil treguan ndryshim domethënës sa i përket rëndësisë së shqetësimeve, në krahasim me pacientët që nuk morën kamomil. Mjekët Michael van Ameringen dhe Beth Pattersonm, të cilët bënë këtë analizë, komentuan rezultatet, duke thënë se “kamomili mund të ketë një aktivitet modest kundër panikut në pacientët që vuajnë nga ankthi dhe mund të përdoret pa asnjë problem nga ata që janë kundër farmakoterapisë tradicionale”. Në këtë mënyrë, ekspertët vlerësojnë se kamomili mund të përdoret si ilaç qetësues i padëmshëm dhe se ai arrin të kontrollojë çdo ashpërsi të çrregullimeve mendore.

Vetitë

Zakonisht përdoren lulet e thara të kamomilit, që pasi ziejnë në ujë të ngrohtë, konsumohen në formën e çajit. Kamomili ka veti qetësuese. Ja përse këshillohet të pihet para se të flenë nga të gjithë ata që vuajnë nga pagjumësia ose nuk bëjnë gjumë të qetë. Ai ndihmon në tretjen dhe problemet me zorrët, qetëson dhembjet e barkut, është anti-inflamator, lehtëson dhembjet menstruale dhe problemet me dhembjet e kokës. Një tjetër funksion ka të bëjë me eliminim e gazrave të tepërt nga zorrët dhe shpesh u shtohet shampove dhe balsameve për shkak të vetive ushqyese te flokët. Por efektet pozitive janë ndierë edhe te spazmat muskulore dhe problemet reumatizmale. Stabilizon zorrët në rast diarreje dhe përdoret në rast të irritimeve apo infeksioneve në rrugët urinare, për të mos folur për qetësimin e sistemit nervor. Për përdorim të jashtëm ai rekomandohet kundër problemeve me lëkurën, sidomos ekzemat dhe largimin e skuqjes së syve. Me sa kemi parë dhe dëgjuar, është një bimë që me vetitë e saj vetëm na shëron.

Kujdesi që duhet treguar

Askush nuk mund ta mohojë rolin kyç që shumë bimë mjekësore luajnë për shërimin e sëmundjeve të ndryshme. Janë të shumta rastet kur përdorimi i tyre ka ndihmuar për të luftuar çdo sëmundje, duke filluar nga e ftohura e zakonshme e deri te kanceri. Për këtë arsye, si dhe për të shmangur efektin toksik shumë herë më të dëmshëm të ilaçeve farmaceutike, njerëzit e kërkojnë shpëtimin te natyra. Sigurisht që një çaj kamomili na qetëson dhe na vë shpesh në gjumë më lehtë dhe pa asnjë efekt anësor në krahasim me antidepresivët, ndërsa tamblagjaku, prej kohësh rekomandohet për të luftuar sëmundje të mëlçisë. Sipas mjekëve, nuk duhet të nisim asnjëherë një terapi me bimë mjekësore, nëse nuk jemi konsultuar më parë me mjekët apo nëse jemi duke marrë ilaçe të tjera në të njëjtën kohë, sepse kanë qenë jo të rralla rastet kur recetat e gjyshërve për të na qetësuar barkun, kollën, të vjellat apo ftohjen, na kanë bërë dëm.

 E në të vërtetë, duke i besuar traditës apo këshillave të dhëna nga një brez te tjetri për përdorimin e bimëve mjekësore, kjo teknikë mund të jetë e rrezikshme nëse bëhet fjalë për përdorimin e bimëve për t’u kuruar. Nga çajrat, infuzët, tinkturat apo bimët mjekësore, janë dëmtuar mëlçi, mushkëri, janë provokuar aborte, janë dehur të sapolindurit dhe janë shumëfishuar pasojat e rënda dhe ndonjëherë të pakthyeshme në organizëm. Në botë janë të shumtë ata që i kanë besuar fitoterapisë, duke dëgjuar këshillat e të afërmve ose të “shenjtërorëve”, por jo të paktë edhe ata që kanë përfunduar në spital. Lista e bimëve mjekësore të rrezikshme është e gjatë.

Po ashtu, e pafund është edhe lista e atyre mjekimeve alternative, që të dhëna në dozën e gabuar apo të marra pa asnjë rekomandim nga mjeku, kanë shkaktuar dëme. “Kemi kuruar një grua me tension të lartë dhe me një aritmi të theksuar e të rëndë, e cila pinte lëng portokalli të hidhur për t’u dobësuar. Kjo është një përgatitje aspak e dëmshme, por që në rastin e saj ishte e rrezikshme, sepse shoqërohej me një ilaç për gjëndrat tiroide. Askush nuk e kishte informuar pacienten për rreziqet e ndërveprimeve mes ilaçeve dhe produkteve fitoterapeutike”, - tregon presidenti i mjekëve fitoterapeutë dhe përgjegjës i Qendrës së Mjekësisë Natyrale në Francë, ku vetëm pak kohë më parë u mbajt një kongres për të vlerësuar rreziqet e lidhura me mjekësinë alternative. Sipas përfundimeve të nxjerra, disa bimë mjekësore jo vetëm që nuk janë të efektshme, por shpesh janë edhe të rrezikshme.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama