UPDATE/ Spanja është kualifikuar që në ndeshjen e dytë në grupe për në turin e 1/8-ave. Fitorja e arritur mbrëmjen e së premtes me Turqinë i rendit spanjollët në krye të Grupit D me 6 pikë, të ndjekur nga Kroacia me 4 pikë në vendin e dytë.
Kampionët e Europës në fuqi duket se e patën të lehtë takimin duke e mbyllur që në pjesën e parë. Dy golat e shënuar nga Morata dhe Nolito në minutën e 34´ dhe të 37´, përcaktuan edhe rezultatin e pjesës së parë.
Goli i tretë që përcaktoi rezultatin përfundimtar u realizua sërish nga Morata, i cili realizoi dipietën e tij në minutat e para të pjesës së dytë.
Spanjollët dominuan takimin me qarkullimin e topit dhe me rastet e rrezikshme të krijuar në zonë. Asgjë për Turqinë, e cila pas kësaj humbjeje mbetet në fund të tabelës me zero pikë.