Kampioni i botës në fuqi, Luis Hamil ton, ka "treguar dhëmbët", teksa regjistroi dje kohën më të mirë në pistën e Spielberg, duke e ndalur kronometrin 1'07´´922.
Sot, britaniku do të startojë i pari në Çmimin e Madh të Austrisë. Ai la pas shokun e skuadrës Niko Rosberg që u klasifikua i dyti, por që me penalizimin prej 5 pozicionesh që do të marrë për ndërrimin e kambios do ta nisë garën nga vendi i shtatë.
Për pasojë, në vijën e parë të startit, në krah të britanikut Hamilton do të jetë piloti Niko Hulkenberg me Force India, që dje u rendit i treti.
Edhe një herë tjetër pilotët e Ferrarit kanë zhgënjyer në këtë sezon. Gjermani Sebastian Fetel nuk mundi të shkonte më shumë se vendi i gjashtë, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Kimi Raikonen, u pozicionua i gjashti, ndërkohë që mes tyre u rendit McLareni Xhenson Baton.
Provat e djeshme u karakterizuan nga një pistë e lagur që ra në sesionin e dytë, duke bërë që koha të përmirësohej nga xhiro në xhiro, duke e lënë të hapur emrin e pilotit më të shpejtë deri në sekondën e fundit.
Për t'u nënvizuar është fakti se edhe Fetel do të humbasë 5 pozicione, pasi ka ndërruar kambion dhe do të niset i 9-ti. Pas Raikonen u renditën Daniel Riçardo (Red Bull), Valteri Botas (Uilliams), Maks Vershtapen (Red Bull) dhe Felipe Masa (Uilliams).
Ajo që spikati dje ishte aksidenti i frikshëm për pilotin rus Kviat, i cili humbi kontrollin e makinës duke u përplasur me barrierat mbrojtëse.
Për fat, asnjë problem për pilotin. Për Hamilton, "pole" e djeshme është e para në këtë sezon për britanikun, i cili ka mundësinë më të mirë për të zvogëluar diferencën në klasifikimin e përgjithshëm me shokun e ekipit, Niko Rosberg, i cili kryeson Botërorin.
LEAR MAÇI