Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Kanceri është emër i përgjithshëm për një grup prej më shumë se 100 sëmundjesh. Kanceri fillon kur qelizat në një pjesë të trupit rriten jashtë kontrollit. Rreth 50% e meshkujve dhe një e treta e të gjitha grave në SHBA do të zhvillojnë kancer gjatë jetës së tyre. Sot, miliona njerëz jetojnë me kancer ose kanë pasur kancer.
Të dhënat tregojnë se kanceri ka ekzistuar gjatë gjithë historisë së regjistruar njerëzore. Pra, nuk është çudi se që nga agimi i historisë, njerëzit kanë folur, shkruar a kryer studime në lidhje me kancerin. Disa nga dëshmitë më të hershme të kancerit janë gjetur mes kockave fosile, mumieve në Egjiptin e lashtë, dhe në dorëshkrime të herëshme.
Përshkrimi më i vjetër i kancerit (edhe pse fjala kancer nuk është përdorur) është zbuluar në Egjipt dhe daton në rreth 3000 p.e.s. Papirusi i Edwin Smithit – egjiptolog amerikan, shek XIX, i cili e bleu dhe e përktheu papirusin – mendohet të jetë kopje e pjesës së një libri edhe më të lashtë mësimi mbi kirurgjinë. Papirusi përshkruan 8 raste të tumoreve të gjirit.
Zanafilla e fjalës “kancer” mendohet të jetë e Hipokratit (460-370 p.e.s.), i cili është konsideruar si “Ati i Mjekësisë”. Hipokrati ka përdorur termat karcinos dhe tumor. Në greqisht, këto fjalë i referohen gaforres, që i ngjan formës a ngërthimit të sëmundjes. Mjeku romak, Celsus (28-50 p.e.s.), e përktheu fjalën greke ‘karcinos’ në latinishten ‘kancer’ - gaforre. Galen (130-200 të erës sonë), një tjetër mjek romak, përdori fjalën greke ‘onkos’ – ‘ënjtje’ për të përshkruar tumoret. Analogjia gaforre – kancer përdoret sot për të përshkruar tumoret malinje, ndërsa ënjtje – onkos, përdoret si pjesë e emrit për specialistët e kancerit – Onkologjistët.
http://astritlulushi.wordpress.com/2013/01/25/kanceri-pak-histori/