Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës
Sëmundja shpesh shtyn në dëshpërim, dhe e bën njeriun të përdorë metoda ose barna të cilat nuk janë provuar të dobishëm, por që rreth tyre është krijuar një lloj miti.
Acidi Dichloroacetic, i njohur shkurt si DCA është një substancë kimike, kripërat e së cilës janë parë si të mundshme për trajtimin e kancerit.
Edhe pse studimet paraprake kanë treguar se DCA mund të ngadalësojë rritjen e tumoreve të caktuar tek kafshët në laborator, ekspertët thonë se nuk ka prova klinike për të mbështetur përdorimin e DCA në trajtimin e kancerit tek njerëzit.
DCA nuk ndodhet në natyrë, por është gjurmë e klorinimit të ujit të pijshëm dhe prodhohet nga metabolizmi i klorit. Për shkak të veprimit shumë korroziv, kripërat e acidit dichloroacetic (DCA) janë përdorur për efekte terapeutike.
Në vitin 2007, shkencëtarët në Universitetin e Albertas në Kanada thanë se gjatë provave me minj në laborator, DCA bëri që qelizat kanceroze të vetë-shkatërroheshin dhe tumori të tkurrej. Këto rezultate tërhoqën vemendjen e mediave, përfshi shtypin mjekësor – interesim shprehën edhe Shoqata Amerikane e Kancerit dhe organizatat e tjera mjekësore. Megjithatë, kërkime, prova a studime klinike në njerëz me kancer në Shtetet e Bashkuara ende nuk janë kryer, ndërsa bëhet thirrje për kujdes në interpretimin e rezultateve të para.
Kështu, në vitin 2010, u zbulua se gjatë provave për trajtimin e kancerit kolorectal tek minjtë, DCA shkaktoi rritjen e tumoreve. Këto rezultate sugjerojnë se të paktën në disa lloje të kancerit, trajtimi me DCA mund të jetë i dëmshëm.
Mjekët paralajmërojnë për probleme të mundshme të rënda nëse njerëzit e sëmurë, nga dëshpërimi, përpiqen të provojnë trajtimin me DCA. Nëse sëmundja është duke shkuar keq, DCA mund të bëjë që ajo të dalë jashtë kontrollit, dhe papritur pacienti kupton se mëlçia i është dëmtuar dhe telashe të tjera lindin.
http://astritlulushi.wordpress.com/2013/01/30/kanceri-ne-kerkim-te-nje-trajtimi/