“Në vitin 1981 — tregon Umberto Veronesi — revista shkencore ‘New England Journal of Medicin’, publikoi rezultatet e një studimi italian që tregonte se si tumoret e gjirit në përmasa të vogla, më pak se dy centimetra, mund të trajtohen me të njëjtën efikasitet duke ruajtur gjirin, në vend që të hiqej gjoksi tërësisht, siç bëhej në shumë vende të botës në atë kohë”. “Ideja, vazhdon më tej onkologu, më erdhi nga mikroskopi: kisha kuptuar se në fazën fillestare qelizat tumorale riprodhoheshin në formë më pak agresive dhe kështu që përmasat e tumorit të lejonin të punoje vetëm në atë pjesë të gjirit ku ai ishte pozicionuar”.
Ky mund të cilësohet si fillimi i një revolucioni në kurën ndaj tumoreve: fundi i trajtimeve që shkatërronin trupin dhe mendjen dhe fillimi i epokës së integritetit trupor e cilësisë së jetës si një princip udhëheqës në vendimet terapeutike. Mastectomia ishte zëvendësuar nga quadrantectomia, d.m.th. heqjes së një porcioni të vetëm të gjirit të prekur nga kanceri, e lidhur me bërjen e rrezeve për të pastruar indet rrethuese nga pjesët e qelizave kancerogjene. Por përhapja e diagnozës së hershme (që sot çon në zbulimin gjithmonë e më shumë të karcinomave të dimensioneve të vogla) dhe ulja e vdekshmërisë mes grave lindin prej aty.
“Në të vërtetë, tregon Veronesi, edhe impakti për shërimin ka qenë i thellë. Deri 30 vjet më parë gratë shkonin te doktori sa më vonë të ishte e mundur, sepse e dinin që kura ishte drastike. Me mundësinë e ruajtjes së gjirit, gratë kanë nisur të shkojnë te doktori me dyshimet e para që u lindin dhe madje për të bërë mamografinë sistematikisht. Për më tepër tumoret e përmasave të vogla janë ato që mund të shërohen plotësisht, kështu që tani shihet rezultati edhe në uljen e vdekshmërisë. Në fund, ideja për ta ruajtur dhe mbrojtur gjoksin i ka hapur portat një ndjeshmërie “ekstra mjekësore”, një vëmendje për perceptimin psikologjik të sëmundjes: është futur edhe koncepti i eupatisë që nxiti kontrollin e shpeshtë te mjeku të pacienteve, e që për onkologjinë moderne është normale.
Pro dhe kundër
Ka ekspertë të fushës që pretendojnë se nëse do t’i nënshtrohesh mamografisë vazhdimisht kjo mund të jetë në vetvete e rrezikshme, duke qenë se mund të arrihet në një situatë të tepruar diagnostikimi pasuar me marrjen e medikamenteve parandaluese, që në vend të të ndihmojnë, të krijojnë probleme. Por të tjerë pretendojnë se mamografia është shumë e rëndësishme dhe kjo për arsyen e vetme se parandalon një rast serioz. Po të marrim rastin e një vendi të vetëm, Britaninë e Madhe, mamografia ka shpëtuar 117 000 raste që mund të ishin shndërruar në vdekjeprurëse dhe ndërkohë ka shpëtuar 1200 jetë. Për shkak të mamografisë, vdekshmëria nga kanceri i gjirit është ulur me 30 për qind. Megjithatë në mentalitetin e grave ekziston frika se faktori gjenetik është shumë i rëndësishëm dhe kjo krijon shpesh një ndjesi pesimiste dhe fataliste.
Por në fakt gjenet janë vetëm një pjesë e problemit. Shumë e rëndësishme në këtë rast, si në çdo sëmundje tjetër, është edhe mënyra se si ne e trajtojmë veten që nga fëmijëria e në vazhdim e mbi të gjitha nëse vazhdojmë të jemi optimistë. Pesimizmi dhe gjendja e trishtuar ndikojnë shumë më tepër për keq në shëndetin tonë nga sa mund ta imagjinojmë. Ekziston një lidhje e mundshme mes kancerit të gjirit dhe stresit. Ka disa fakte, edhe pse jo të forta, që mbështesin idenë e ndikimit të stresit te sëmundja. Kështu ngjarje shumë stresuese në jetë, të tilla si humbja e njerëzve të dashur, divorci apo ngjarje të tjera, janë shumë stresuese. Vështirësia në këto raste qëndron në faktin se diagnozat e stresit vijnë pas diagnostikimit të kancerit të gjirit. Njerëzit mendojnë se ata kanë pasur kancerin e më pas stresin, duke harruar që shpesh është e anasjella.