Kanceri i gjirit ja c‘duhet te dime

Kanceri i gjirit: ja ç‘duhet të dimë
Por, gjithnjë e më shumë, po vihet re mundësia e parashikueshmërisë së rrezikut individual dhe veprimet që duhet të ndërmerren për parandalimin e tij. Gjenetika Një faktor shumë i rëndësishëm është edhe predispozita gjenetike e individëve ndaj një sëmundjeje të tillë, çka përbën një faktor të cilin nuk mund ta kontrollosh dot. Nuk ke ç‘të bësh kur ke një trashëgimi të caktuar gjenetike nga të parët e tu, pasi nuk mund të ndryshohet ajo që të është përcjellë. BRCRA1 është gjeni që tregon predispozitën e lartë të dikujt për kancer gjiri dhe ky gjen është lehtësisht i identifikueshëm. Ky gjen është shumë i rrallë tek ata njerëz që nuk e kanë gjenetikisht prirjen për kancerin e gjirit.

E vetmja gjë që mund të bëjmë në një rast të tillë është identifikimi i hershëm i gjenit dhe marrja e masave për të shmangur çdo gjë që mund të ndihmonte në aktivizimin e tij. Është plotësisht e mundur mbajtja e një mënyre jetese që shmang në maksimum lindjen dhe përhapjen e kancerit. Ndërsa për ato gra që nuk e kanë një gjen të tillë, do të ishte e mjaftueshme një mamografi e herëpashershme mbi moshën 40 vjeç. Nëse jeni të prirur gjenetikisht, atëherë kontrolli duhet të jetë më i shpeshtë dhe duhen marrë disa lloj mjekimesh të shoqëruara me mënyra jetese të përshtatshme. Mjekimet parandaluese Me të identifikuar gjenin kanceroz, mund të nisni marrjen e disa mjekimeve për ta parandaluar "zgjimin" e tij. Një nga karakteristikat e kancerit është se të krijon përshtypjen fillestare të një sëmundjeje inflamatore.

Në këtë rast, një masë parandaluese do të ishte marrja e mjekimeve anti-inflamatore. Ndër to mund të përmendim një dozë të ulët të aspirinës. Ka disa mjekë që nuk e rekomandojnë një gjë të tillë, megjithatë kjo kurë parandaluese është shumë e përhapur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo kurë parandalon edhe sëmundjet e zemrës. Për momentin, mjekimi më i përdorur parandalues për kancerin e gjirit është Tamoxifeni, një anti-inflamator shumë i fuqishëm. Aktualisht shumë institute kërkimore mjekësore po merren me krijimin e ilaçeve parandaluese për kancerin e gjirit, të cilat ende nuk kanë dalë në treg, por pritet brenda një kohe të shkurtër.

 Kanceri i gjirit është një sëmundje që ka të bëjë shumë me gjendjen hormonale të gruas gjatë stadeve të jetës së saj, ndaj përdorimi i hormoneve të caktuara është një nga masat që mund të rekomandohen në të ardhmen për parandalimin e kancerit. Vështirësia e përdorimit të medikamenteve parandaluese nuk qëndron tek ato, por te vështirësia e identifikimit të gjenit kanceroz BRCRA1. Nuk ka ende një mënyrë efikase për identifikimin e këtij grupi njerëzish, ndaj edhe medikamentet parandaluese, sado efikase që mund të jenë, duhet të përdoren me shumë kujdes. Lindja e fëmijëve Një nga teoritë që shpjegon rritjen e numrit të të sëmurave me kancer gjiri në të gjithë botën, veçanërisht në vendet e zhvilluara dhe gjysmë të zhvilluara është sjellja në jetë e fëmijëve në një moshë të vonë. Duket se pasja e një fëmije në moshë të hershme është një "masë" parandaluese.

 Madje, sa më herët, aq më mirë. Megjithatë bëhet fjalë vetëm për statistika. Ndoshta shumë statistika që lidhen me kancerin e gjirit janë vetëm koincidenca dhe nuk kanë të bëjmë me kancerin, por gjithsesi nuk mund të përjashtohet fakti se ato janë një mundësi. Nëse një grua e ushqen me gji fëmijën e saj, mendohet se trupi prodhon hormone mbrojtëse për kancerin e gjirit. Zakonisht gratë i ushqejnë fëmijët gjatë moshës 29, apo 30 vjeç dhe kjo bën që ato të jenë shumë më të mbrojtura në pjesën tjetër të jetës.

Ushqimi i fëmijës me qumësht gjiri është masë mbrojtëse për moshën kur kanceri i gjirit ka më shumë gjasa që të shfaqet, pra për moshën 50-60 vjeçare. Mendohet se ky veprim i mbron gratë në fazën fillestare të sëmundjes. Nëse të gjitha gratë do të ushqenin fëmijët e tyre për një kohë të gjatë me gji, atëherë, sipas statistikave, në 20 gra të diagnostikuara me kancer gjiri do të shpëtonte njëra, ose e thënë ndryshe do të kishte një përmirësim prej 5 përqindësh të shifrës. Dieta dhe ushtrimet Ekziston një lidhje edhe midis obezitetit dhe kancerit të gjirit, ndaj këshilla më e mirë në këtë rast është që të mos shtoni shumë mbi peshë dhe të ushqeheni në mënyrë të shëndetshme pra me fruta, perime dhe pak ëmbëlsira.

Nuk ka asgjë të keqe nëse gjatë ditës i kushton shumë rëndësi ngrënies së frutave në sasi të bollshme. Nuk e dimë se sa mund të na shpëtojnë frutat nga kanceri i gjirit, por është e sigurt se lloji i dietës dhe ushqimeve që hamë ka shumë të bëjë me sëmundjet që na shfaqen në jetë, pra në këtë rast edhe me kancerin e gjirit dhe kancere të llojeve të tjerë. Media e pëlqen shumë konceptin e ushqimeve që luftojnë kancerin, por në fakt bëhet fjalë për një mit. Në të vërtetë, nuk ka asnjë gjë konkrete në lidhje me ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë, pasi edhe po të hash pesë kile fruta në ditë, nuk je i shpëtuar nga kanceri. Ideja e reklamimit të madh të ushqimeve të ndryshme si antikanceroze ka të bëjë me përmbajtjen që fruta-perimet kanë, pra me antioksidantët që përmbajnë, të cilët janë shumë të mirë për shëndetin dhe na ndihmojnë në ruajtjen e tij.

 Duke u nisur nga kjo gjë, mund të themi se ka disa fruta dhe perime që kanë tipare më të theksuara antikanceroze. Kështu, për shembull lëkura e domates ka lycopin me shumicë që mund të lidhet fare mirë me kurat për parandalimin e kancerit. Por kjo nuk do të thotë që të hiqni dorë nga marrja e antitoksikantëve kudo që do t‘i gjeni. Nëse ju pëlqejnë qershitë, atëherë hajini, mjafton që të jenë fruta e perime të freskëta. Përfundimet e një studimi mbarevropian të quajtur "Perspektiva evropiane për kancerin dhe mënyrën e të ushqyerit", që pritet të dalin së shpejti, do të jenë shumë udhërrëfyese për sa i përket lidhjes mes sëmundjes dhe dietave të ndryshme.

 Evropa është një laborator i vërtetë, me një tërësi shumë të madhe dietash për t‘u studiuar. Për të kryer studimin janë marrë një gjysmë milioni teste nga vende të ndryshme, që nga veriu deri në jug e që nga perëndimi në lindje. Rezultatet do të verifikojnë disa hipoteza, sipas të cilave, në disa vende të caktuara ku preferohen dieta të caktuara ushqimore. Toksinat Efekti i toksinave të jashtme në zhvillimin e kancerit është jo i vogël. Para disa vitesh u shkrua në shtyp se deodorantet ishin shkaqe të mundshme të kancerit, edhe pse nuk pati për këtë prova të drejtpërdrejta.

 E vështirë është edhe të provosh një lidhje mes celularit dhe kancerit të trurit. I mbetet studimeve në të ardhmen që të nxjerrin prova për të mbështetur ato që deri tani mund të konsiderohen vetëm si dyshime. Alkooli Lidhja mes alkoolit dhe kancerit të gjirit duket si e parëndësishme, por është e pranishme. Alkooli ndryshon mekanizmin hormonal, por ende nuk dihet se cila është sasia e alkoolit që e shkakton një ndryshim të tillë.

Nëse një sasi e caktuar alkooli do të prekte balancën hormonale të femrës për të sjellë zhvillimin e kancerit të gjirit, kjo sigurisht do të ishte shumë problematike, por deri tani nuk ka ndonjë studim në lidhje me këtë. Megjithatë, është e qartë se alkooli në vetvete nuk ka një ndikim të drejtpërdrejtë në kancerin e gjirit. Stresi Ekziston një lidhje e mundshme mes kancerit të gjirit dhe stresit.

Ka disa fakte, edhe pse jo të forta, që mbështesin idenë e ndikimit të stresit te sëmundja. Kështu ngjarje shumë stresuese në jetë, të tilla si humbja e njerëzve të dashur, divorci apo ngjarje të tjera, janë shumë stresuese. Vështirësia në këto raste qëndron në faktin se diagnozat e stresit vijnë pas diagnostikimit të kancerit të gjirit. Njerëzit mendojnë se ata kanë pasur kancerin e më pas stresin, duke harruar që shpesh është e anasjella.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama