Frika e kancerit të gjirit është burim ankthi për shumë gra. Shpesh ato kanë ndjenja fataliste në lidhje me rrugën që mund të marrë një sëmundje e tillë, që në rastin më të mirë mund të përfundojë me një operacion radikal për heqjen e gjirit. Këto ndjenja ankthi i bëjnë që të mos kenë shpresë te marrja e masave parandaluese, që në fakt janë shumë të domosdoshme për reduktimin e rrezikut. Sipas një studimi të fundit, sapo është zbuluar një gjen i ri në kromozomin 8 i quajtur NRG1.
Është një gjen që e kemi të gjithë dhe që në raste të caktuara luan një rol shumë të rëndësishëm në ndalimin e përhapjes së gjëndrave tumorale. Ai ka fuqi frenuese ndaj qelizave kanceroze. Një në dy gra që janë diagnostikuar me kancer gjiri kanë një version të dëmtuar të gjenit mbrojtës NRG1, çka do të thotë se janë të pambrojtura ndaj zhvillimit galopant të sëmundjes. Shkencëtarët thonë se ky zbulim mund të çojë në kërkimin e mënyrave të reja të mjekimit të kancerit. Megjithatë, në mentalitetin e grave ekziston frika se faktori gjenetik është shumë i rëndësishëm dhe kjo krijon shpesh një ndjesi pesimiste dhe fataliste.
Por, në fakt, gjenet janë vetëm një pjesë e problemit. Shumë e rëndësishme në këtë rast, si në çdo sëmundje tjetër, është edhe mënyra se si ne e trajtojmë veten që nga fëmijëria e në vazhdim e mbi të gjitha nëse vazhdojmë të jemi optimistë. Pesimizmi dhe gjendja e trishtuar ndikojnë shumë më tepër për keq në shëndetin tonë nga sa mund ta imagjinojmë. Ja disa mënyra për të parandaluar zhvillimin e kancerit të gjirit, ose të paktën disa mënyra për kapjen në kohën e duhur të sëmundjes, pra në momentin më të hershëm të mundshëm.
Ushqimi i foshnjës me qumësht gjiri mund të jetë shpëtimtar
Për shumë vite rresht ka ekzistuar një teori, sipas së cilës nëse një femër shndërrohej në mëmë në moshë të hershme ajo kishte më shumë shanse që në moshë më të mëvonshme t‘i shmangej kërcënimit të kancerit të gjirit. Pra, me pak fjalë, mëmësia ishte pro shëndetit të mirë. Në këtë logjikë mendohet se shtimi i numrit të të diagnostikuarave me kancer gjiri në vendet në zhvillim si Indi dhe Kinë ka të bëjë pikërisht me faktin se në këto vende është rritur shumë edhe mosha e vajzave që sjellin në jetë fëmijët e parë. Pra, tendenca gjithnjë e në rritje është ajo e fëmijëve në një moshë më të vonë.
Për sa i përket ndikimit pozitiv që ka në shëndetin e nënës të ushqyerit e fëmijës me gji, së fundi kanë dalë në mbështetje të këtij fakti të reja shumë interesante. Në shtator shkencëtarët raportuan zbulimin e fundit, sipas së cilit ushqimi i fëmijës me gji, të paktën për tre muaj, redukton ndjeshëm rrezikun e kancerit të gjirit, madje në masën 25%. Ky zbulim ka qenë rezultat i një studimi që ka zgjatur plot 8 vjet dhe një monitorim i kryer ndaj 60 mijë grash. Grupi i studimit zbuloi se ushqimi me qumësht gjiri i jep gruas mbrojtjen më të madhe të mundshme nga kanceri i gjirit, madje edhe atyre grave që kanë prirje gjenetike për një gjë të tillë.
Shmangni yndyrat dhe mos e bëni vetëm për vete, por edhe për vajzën tuaj
Gratë që përdorin një dietë me kalori të pakta kanë një sasi më të vogël hormonesh femërore në gjak dhe kjo redukton rrezikun e kancerit të gjirit, veçanërisht në vitet pas menopauzës, kur dhjami i trupit është burimi më i madh i estrogjenit. Ka fakte që mbështesin idenë se sa më herët të nisë dieta e yndyrave të pakta, aq më e efektshme është në organizëm. Nëse një dietë e tillë nis në adoleshencë, atëherë aq më mirë, sepse në këtë periudhë të jetës reduktimi i hormoneve femërore në gjak luan një rol shumë të rëndësishëm në mbarëvajtjen e mëtejshme të shëndetit dhe redukton mundësinë e sëmundjes. Mënyra se si ushqehemi në fëmijëri është shumë e rëndësishme për sëmundjet që na shfaqen kur jemi të rritur.
Nxihuni në diell, por me masa mbrojtëse
Është fakt tashmë se kanceri i gjirit te femrat është më i përhapur në zonat që janë më pak të ekspozuara ndaj diellit. Arsyeja është lidhja që ekziston mes kancerit të gjirit dhe niveleve të ulëta të vitaminës D. Trupi ynë e prodhon një vitaminë të tillë në kundërpërgjigje të rrezeve ultravjollcë B që i marrim nga dielli. Sipas një studimi, gratë që kanë një nivel të ulët të vitaminës D janë më të prirura të kenë kancer të gjirit. Kjo do të thotë se vitamina D është parandaluese ndaj kancerit të gjirit. Sipas mjekëve, ata që vuajnë nga mungesa e kësaj vitamine duhet që ta marrin atë përmes tabletave dhe tipi D3 është më i tretshmi për organizmin e njeriut. Është e vështirë të marrësh sasinë e duhur në vitaminë D nga dieta e përditshme dhe burimet më të mira janë qumështi dhe drithërat, vezët, salmoni, toni dhe sardelet. Megjithatë, një këshillë për sa i përket ekspozimit të diellit është ajo e marrjes së masave mbrojtëse, sepse ato janë të domosdoshme në ruajtjen e trupit nga rrezet e dëmshme.
Bëni rregullisht ushtrime fizike
Të gjithë pa përjashtim kemi nevojë për t‘u ushtruar fizikisht, pavarësisht moshës, apo gjinisë, por kjo është veçanërisht e rëndësishme për ato gra që janë më në rrezik për kancerin e gjirit. Kërkimet e fundit flasin për një reduktim të rrezikut të kancerit në periudhën para menopauzës tek ato gra që të paktën 3 orë në javë ia kushtojnë stërvitjes trupore dhe që këtë zakon e kanë pasur që në adoleshencë. Dhe me të kaluar menopauzën, rëndësia e ushtrimit fizik bëhet edhe më e madhe. Gratë që kalojnë menopauzën janë zakonisht mbi peshë dhe duhet patjetër që t‘u dedikojnë ushtrimeve fizike një pjesë të mirë të kohës së tyre.
Këshillohuni vazhdimisht me mjekun
Parandalimi është më i mirë se kurimi dhe një nga fazat e parandalimit është edhe diagnostikimi i hershëm i sëmundjes, duke kontaktuar mjekun dhe bërë kontrollet e nevojshme. Nëse kanceri i gjirit do të kapej në kohën e duhur, atëherë thuajse gjysma e të diagnostikuarave që humbasin jetën mund të kishin shpëtuar.
Njih historinë e familjes tënde
Një sëmundje mund të jetë shpesh fatale, për shkak të gjenetikës së saj. Për të mësuar në lidhje me këtë predispozitë duhet që të kryhen disa teste, të cilat në shumë vende perëndimore janë lehtësisht të mundshme. Përmes tyre mund të zbulohen një numër gjenesh që kanë predispozitë për të mbrojtur organizmin, pra që kanë një impakt sado modest në shëndetin tonë. Është mirë që gratë ta fillojnë kryerjen e këtyre testeve me të kaluar të 25-at. Kjo do të thotë se ato që kanë më shumë mundësi gjenetike për të zhvilluar një kancer do të kenë mundësi të kenë një kontroll të vazhdueshëm, i cili do të çojë në një diagnostikim të hershëm të problemeve.
Shmangni përdorimin e tepruar të alkoolit
Të konsumuarit e shumtë të alkoolit rrit rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit, por sigurisht bëhet fjalë në rastet kur konsumohen sasi shumë më të mëdha alkooli nga sa janë të dobishme për shëndetin. Në një studim të fundit, thuhet se pak alkool është i dobishëm, por në sasinë e një gote vere në ditë, ndërsa nëse kalohet kjo masë, situata mund të jetë e rrezikshme dhe kjo jo vetëm për sa i përket kancerit të gjirit.
Mamografia duhet të jetë e rregullt dhe e vazhdueshme
Ka ekspertë të fushës që pretendojnë se nëse do t‘i nënshtrohesh mamografisë vazhdimisht kjo mund të jetë në vetvete e rrezikshme, duke qenë se mund të arrihet në një situatë të tepruar diagnostikimi, pasuar me marrjen e medikamenteve parandaluese, që në vend që të të ndihmojnë, të krijojnë probleme. Por, të tjerë pretendojnë se mamografia është shumë e rëndësishme dhe kjo për arsyen e vetme se parandalon një rast serioz. Po të marrim rastin e një vendi të vetëm, Britaninë së Madhe, mamografia ka shpëtuar 117 000 raste që mund të ishin shndërruar në vdekjeprurëse dhe ndërkohë ka shpëtuar 1200 jetë. Për shkak të mamografisë, vdekshmëria nga kanceri i gjirit është ulur me 30%.
Gazeta Shqip