Kanceri i mitres gjinekologu Tani operacion pa prerje

Kanceri i mitres, gjinekologu: Tani operacion pa prerje
Ndonëse numri i femrave që vuajnë nga kanceri i gjirit dihet zyrtarisht, numri i atyre që vuajnë nga kanceri i mitrës apo vezoreve nuk dihet ende. Ajo që dihet me siguri, sipas kirurgëve gjinekologë, është se numri i rasteve të grave të prekura nga kanceri i mitrës apo vezoreve është rritur ndjeshëm. Më të prekurat janë gratë të cilat kanë kaluar menopauzën.

“Në Shqipëri ka hyrë një metodë e re për të ndërhyrë në heqjen e masave tumorale te këto dy organe, jo më me operacionet klasike, që linin shenja të dukshme nga ana estetike. Ditët e qëndrimit në spital apo dhembjet janë fare të papërfillshme. Me anë të kësaj aparature ndërhyhet edhe në heqjen e fibriomave apo kisteve”, tha Vasil Angjeli, kirurg gjinekolog. Sipas tij, kjo aparaturë do të bëjë të mundur që operacioni të mos jetë i rëndë dhe të mos qëndrojë më një javë në spital, por vetëm një ditë, ndërsa shërimi do të jetë më i shpejtë.

Angjeli thotë se për të kapur në kohë tumoret në mitër dhe vezore duhet të bëhen të paktën çdo vit kontrolle me anë të ekove, pasi nuk ka shenja dalluese për kancerin e këtyre organeve. Shenjat sipas tij shfaqen vetëm në rastet kur tumori është shumë i zhvilluar. “Kontrolli rutinë është ajo që ne kërkojmë nga gratë, për shkak se duam të zbulojmë një problem potencial që të mund ta kapim në një fazë sa më të hershme. Zakonisht janë të heshtura. Është një kontroll i rastit që izolon dhe gjen problemin”, theksoi gjinekologu.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama