Klodeta Dibra ishte kryesosja e listës së kandidatëv të PS në zgjedhjet vendore të Tiranës gjatë së cilës ajo bëri një fushat të pastër politike në favor të PS-së dhe kandidatëve të saj. Ajo është tashmë këshilltare socialiste e Bashkisë Tiranë ku voton rregullisht në përputhje me vendimet politike të grupit socialist. Aktualisht Dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja ajo është një nga dy kandidatët për rektor të Universitetit të Tiranës, e mbështetur në këtë garë nga Partia Socialiste dhe mediat pro qeveritare.
Gjatë ditëve të fundit, Zonja Dibra ka akuzuar rivalin e saj Mynyr Koni, i cili është aktualisht Dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, se u ka premtuar para pedagogëve dhe lehtësira në provime studentëve në shkëmbim të votës së tyre. Zonja Dibra e ka akuzuar, gjithashtu, Zotin Koni se u ka kërkuar studentëve të fotografojnë votën. Ndërsa, para tre ditësh ajo denoncoi grisjen e posterave të saj në mjediset e Fakultetit të Shkencave i cili drejtohet nga rivali i saj. Akuzat e Zonjës Dibra nuk kanë kursyer as rektorin aktual Dhori Kule i cili, sipas saj, po favorizon në mënyrë të paligjshme dhe të pandershme rivalin e saj në garë.
Për të gjitha këto akuza, Zonja Dibra i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit dhe Ambasadës Amerikane të monitorojnë votat.
Në këtë klimë të tensionuar, dy ditë më parë u deklaroi publikisht, në mënyrë të çuditshme, nga ish-Kryeministri Berisha se një nga figurat e njohura të krimit, Emiljano Shullazi, ka kërcënuar Zotin Koni të tërhiqet nga gara ose ai do t'i rrëmbejë fëmijën.
E pyetur për këtë kërcënim të supozuar Zonja Dibra u shpreh për Report TV:
"Politika po bëhet pjesë e garës universitare. Kjo është dëshpëruese. Ky është një proçes që nuk shpëton dot nga ndërhyrjet politike. Kjo që ka ndodhur është një njollë e këtij proçesi. Ky proçes është njollosur për sa kohë kemi kërcënime të pedagogëve. [...] I kërkoj policisë dhe prokurorisë ta zbardhin. Nëse është një e vërtet të zbardhet nëse është një sajesë të zbardhet."
Ndërsa pyetjes direkt të Ora News për kërcënimet ndaj rivalit të saj, Zonja Dibra iu përgjigj:
"Unë jam e shokuar nga çfarë është thënë. Në qoftë se një pedagog kërcënohet për të marrë pjesë në fushatën e kandidatëve, në qoftë se një kandidat kërcënohet me vendin e punës. Në qoftë se një student kërcënohet për të fotografuar votën, një qoftë se një student i premtohet se do të japin provimin, për mua është kërcënimi më i ndyrë. Edhe nëpërmjet deklaratës që dje kam shpërndarë medieve jemi distancuar nga ajo që ka ndodhur.
I kërkojmë organeve kompetente që të ndërhyjnë dhe të mos përzihen në zgjedhjet në universitet. Nuk munden që të hyjmë në këto kanale që u vjen erë e keqe. I bëj thirrje Konit që të dalë publikisht për të mbrojtur veten. Për fat të keq, politika po ndërhyn dhe me sa duket ende si shoqëri kemi problemet tona në kultivimin e qytetarisë."
Një kandidat denoncon në polici se u kërcënua me rrëmbimin e të birit nga një kriminel i njohur, ndërsa kandidati tjetër--në vend ta dënojë këtë akt direkt, pa asnjë mëdyshje, pa i përzgjedhur fjalët--lë të nënkuptohet se kërcënimi i pretenduar për rrëmbim të familjes nga një kriminel është i njejtë me kërcënimet e pretenduara të rivalit ndaj pedagogëve dhe studentëve për votë.
Nga njëra anë kemi një kandidate shumë të bindur se ajo është e pavarur nga politika, e cila sulmon ashpër ndrëhyrjen e politikës në universitet, por që harron se sapo ka qënë kandidate e Partisë Socialiste dhë është e zgjedhur politike e Partisë Socialiste; por edhe një pedagoge e mirë shkolluar e cila u bën ballë presioneve të kundërshtarit të saj për të marrë vota, duke bërë sikur i dënon kërcënimet për ndaj tij nga një kriminel, por duke lënë të nënkuptohet se në mendimin e saj rivali i saj është i të njejtës kategori me kriminelin.
Nga ana tjetër kemi një rektor në fund të detyrës, i njohur qartësisht si njeri i një partie politike, i cili përdor peshën dhe ndikimin e tij në favor të një kandidati në garë, ndërsa vetë kandidati nga ana e tij shfrytëzon privilegjet e dekanit për të ndaluar dhe sabotuar në çdo mënyrë fushatën elektorale të rivales së tij.
Këta janë kandidatët për të drejtuar institucionin më të rëndësishëm arsimor në vend? Ky nivel i turpshëm është fytyra e akademisë sonë?
Besojmë se studentë, profesorë dhe qytetarë të kenë të njejtën dëshirë që kemi dhe ne: të dy këta kandidatë për rektorë të tërhiqen nga gara dhe të zhduken për gjithmonë nga lajmet. Me shpresën se në Universitetin e Tiranës kanë mbetur akoma pedagogë të vërtetë, pa lidhje politike, të armatosur vetëm me dëshirën për të drejtuar me aftësi dhe ndershmëri universitetin, jo si një qendër pushteti, por si një burim i vërtet dije dhe institucioni i përgatitjes së një klasë drejtuesish të përgjegjëshëm që mund të ndërtojnë demokracinë në këtë vend.