Kangë Përndimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vete
Kanga e tij një fè tjetër, me tempuj të tjerë, me meshë solemne,
ku prej mëngjesit deri në mbramje shkrihen ndjesitë njerzore
n'apoteozën e hekurit; shpirtënt përshkohen në tymore,
të cilat në fishkllim i përqeshen zotit të vjetër edhe qiellit
e me re të ndyt' tymi të dendun ndriçimin ia vrasin diellit.
Fe tjetër, fe e çmendun e Përndimit të mrekullueshëm...
ekzaltuem shklet njeriu në delirium të pakuptueshëm.
Dëgjon zanin q'i thotë feja. Plagos qiellën, e shpon tokën,
i shkyn horizontet e bardhë, zhvesh natyrën, ia heq kotllën.
Kult' i tij kult i zhveshun! Nuk ia bren ma trutë enigmi
e varros, mbi varr ia vë një shej përbuzje o nderimi.
Kangë Pëmdimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vete
Kanga e tij shpres' e bukur, me flatra të një tjetër jete
në të cilën dielli do ndrrojë udhën: ka për t'u lindë nga Përndimi
por deh! nga lumnia tash humb kokën rruzullimi.
Me një "tango" qejfi tash ia ngatrron fijet zotit të vjetër
ka me ia skandalizue të birtë besnikë në planetë të tjetër,
Kanga Përndimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vete...
Le të dëgjojmë kangën që mshtillet në shllung' avulli në pika djerse.