Kanuni i mizerjes Si mban ende peng femrat shqiptare qe trafikohen

Kanuni i mizerjes Si mban ende peng femrat shqiptare që trafikohen
E kanë shqetësuar prej ditësh në telefon dhe një moment ka pranuar. Bardha, ashtu si quhet gruaja, orienton me pak fjalë. Nuk mund të shkojmë direkt, ndërsa duhet të marrim lejet e mëtejshme për të vizituar Qendrën e vajzave ish-të-trafikuara, që të na lejojnë të fotografohen. Jo bashkë. Do futemi një nga një.
...Mund të duket si konspiracion, por jo ky, i cili është një nga realitetet e fshehura në Gjirokastër, qytetin e ekstremit jugor. Vendi ku drejtohen është një nga pesë institucionet e vendit që rehabiliton viktimat e trafikut të dhimbshëm femëror. Kuptohet se asnjë detaj nuk mund të thuhet më shumë hapur. Qendra e Gjirokastrës është njësia kryesore e cila shërben për të pritur femrat e trafikuara në Greqi dhe bën punën e parë pritëse të tyre. Bardha menaxhon procesin e pritjes dhe kujdesit, që në traun e kufirit. Në qendër, asaj i duhet t’u shërbejë femrave të dhunuara dhe shumë prej tyre syresh, që kërkojnë ndihmë ndaj dhunës. S’është aspak e lehtë dhe një mori vështirësish, janë kudo...

Në Tiranë
Gati, në të njëjtën kohë, burokratët në Tiranë punojnë që të lehtësojnë dhimbjen dhe një nga plagët më të dhimbshme të varfërisë shqiptare, por institucionalisht. Përfundimisht, Për herë të parë mbështeten me ndihmë ekonomike edhe viktimat e trafikut. Në Komisionin Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë u diskutua në parim Projektligji “Për disa shtesa në Ligjin nr. 9355, datë 10.03.2005 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, i cili parashikon përfshirjen për herë të parë në skemën e përfitimit të ndihmës ekonomike, të viktimave të trafikimit pas daljes nga qendrat residenciale të shërbimeve të përkujdesit sociale. Zv/Ministri i Punës, Kastriot Sulka, që mbrojti draftin e paraqitur Kuvendit nga Këshilli i Ministrave, sqaroi se në thelb të ndryshimeve të paraqitura për miratim qëndron përmirësimi i legjislacionit ekzistues nëpërmjet zgjerimit të grupeve përfituese dhe sigurimin e përfshirjes sociale e mosdiskriminimin e Viktimave të Trafikimit si dhe mbështetjen me fonde buxhetore për qendrave rezidenciale jopublike që ofrojnë shërbime për viktimat e trafikimit. Qendra tranzite “Jetë e Shpresë” (qendra pritëse multifunksionale për gratë dhe vajzat, viktima të trafikimit, është një njësitë e liçensuar nga Ministria e Punës), ku kemi shkuar dhe e cila u hap në tetor të 2005 nëpërmjet një financimi të dhënë nga Programit USAID/KVKTNJ-së (Koordinimi i Veprimit Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore), është një njësitë e liçensuar nga Ministria e Punës. Ajo, ashtu si njësitë e tjera, do përftojë nga risia e projekt-ligjit nëpërmjet transferimit të fondeve buxhetore qendrore në organet e qeverisjes vendore dhe, prej tyre, në Qendrën ku do të ofrohet shërbimi. Projektligji parashikon kostot financiare që do të përballohen për plot 105 viktima të trafikut. Në mbledhjen e fundit Z. Sulka ka sqaruar se viktimat e trafikimit duhet të përfshihen në skema ndihmëse si përfitues të ndihmës ekonomikë. Për këtë qëllim në nenin 5 të ligjit bazë, janë shtuar si kategori e re përfituesish të NE, viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror.

Trafikimi, thjesht prej varfërisë
Por veçmas shifrave, që japin organizatat e ndryshme dhe që u referohen të huajve është rritur dhe tregu i brendshëm. Në masë kryefjala është varfëria. Në fakt, gjymtyrët e tjera të sintaksës vijnë më pas. Në një intervistë të kohëve të shkuara, Drejtori i Qendrës Kombëtare të Viktimave të Trafikimit, Xheladin Qahi për BIRN do thoshte se arsyeja e parë e rritjes së prostitucionit brenda vendit është mundësia që ky treg ka për të frekuentuar këto viktima. ”Pjesa më e madhe e tyre vijnë nga zona rurale dhe gjendja ekonomik e tyre është mizerabël. Kriza ekonomike po reflektohet në një mënyrë shumë të ashpër. Po ndikon në rritjen e numrit të prostitutave”. Kurse sociologu Zyhdi Dervishi vëren se ulja e nivelit të migrimit të jashtëm, ka ulur ritmet e transferimit të prostitucionit nga Shqipëria për në vendet e tjera, sërish për BIRN.

Mekanizmi i kujdesit sipas Bardhës
Bardha negocion me vajzat, ndërsa Jutta ka filluar punën. Fillimisht është miqësuar dhe komunikon këndshëm me to. Bardha na sqaron sesi funksion një njësi e tillë: “Këto janë strehëza ndryshe Qendra pritëse të viktimave të trafikimit dhe viktimave të hamendësuar dhe të rrezikuara. Qendra e Gjirokastrës pret të gjithë rastet që deportohen nga shteti grek. Katër nga ato janë OJF dhe një është qendra e shtetit. Ato kanë formuar sëbashku një koalicion, të quajtur Koalicioni Kombëtar për shtresat Antitrafik. Ne jemi pjesë e Mekanizimit kombëtar të referimit dhe zyra e koordinatores së në MB udhëhiqet nga Znj. Inva Zajmi. Ky mekanizëm funksionon shumë mirë dhe në çdo një muaj bëjmë mbledhje me Z. Basha, që i referojmë pastaj në zyrën koordinatorit të MB”.
Biseda bëhet me zë të ulët në mjediset e Strehëzës, por ende leja e vajzave s’është dhënë e plotë për ne. Në vitin 2009 në këtë qendër janë asistuar 147 vajza nga të cilat 39 viktima të trafikut dhe pastaj viktima të rrezikuara, që kanë pasur probleme. Rastet janë asistuar menjëherë në pikën kufitare nga seksioni rajonal i policisë apo nga seksioni i dhunës dhe menjëherë në Kakavie, Bardha është paraqitur me subjektin e saj për t’u asistuar vajzave shërbime. “Ne u ofrojmë në Qendrën tonë një paketë të tërë, që pas intervistës përmbledh akomodimin, intervistën veçan apo në grup, asistentë psikologjie, Mbështetje mjekësore. Të gjitha vajzat mbështeten nga qendra pritëse dhe nga statusi social shkojnë në një qendër tjetër të sigurisë së lartë ose shkojnë dhe në familje. Kuptohet se kërkohet një deklaratë....Gjatë kësaj kohë, që janë këtu ato riintegrohen dhe munden të futen në një kurs (janë parukeri, qëndistari, kuzhine). Ato bëhen në bashkëpunim me një qendër në Gjirokastër dhe i rintegrojmë të gjithë vajzat që janë të rajonit tonë nga Tepelena, Gjirokastra, Memaliaj, Saranda etj”. Sakaq na kanë lajmëruar që vajzat janë të hapura për të folur. Në fakt, vetëm njëra syresh...

Vajza
Dhoma e vajzës ka lap-top, televizor, ku shikon një program me turbo-folkun shqiptar, një akomodim të këndshëm province shumë të pastër dhe të plotë dhe shumë dritë. Zhurma që vjen që përtej, është e një vajze, që nuk pranon të fotografohet. Vajza qëndron e ndrojtur dhe mban edhe një veshje të thjeshtë shtëpie. Flasim shkurt. E sigurojmë për anonimatin. Kuptohet se pak a shumë e dimë historinë, veç detajeve. Si dy pika uji janë të varfra dhe të dhunuara dhe pastaj kanë përfunduar në këtë rrugë. Vajza, që duhet të jetë rreth 22 vjeçare, është shumë simpatike dhe e shëndetshme. Dridhet në një mënyrë, që më duket pak si e imponuar. Vjen nga një familje e thjeshtë fshatare e jugut, nga ku i shquaj një aksent minoritar dhe është e dhunuar që e vogël. Fillon të më flasë sikur të jetë automat, me sa duket me një rrëfim, që duhet ta ketë përsëritur dhjetëra herë: “Që kur isha te familja ime kam vuajtur. Babai na rrihte. Ai e rrihte nënën me kabëll dhe rrip dhe ne nuk duronim dot. Lanim gjakun e saj nëpër mure. Ishim tre motra një vëlla. Nuk duroja. Burri i tezes më lidhi me një djalë. Ai më tha që do më merrte për grua. Më tha: Do ikim nga malet..Këtu nga Kakavia. Ikëm në Greqi. Në fillim më mbajti mirë. Normal. Pastaj më rrihte. Nuk punoja në fillim. Më rrihte”. Dridhjet po i bëhen pak spazmike. Ke ftohtë, e pyesim. (Bën me dorë: Jo) “Më mbante në shtëpi. Isha në një ishull. Më rrihte. Duhet të punosh, më thoshte. Ishte dhjetë vjet më i madh. Në fillim ishte i sjellshëm. Pastaj më tha se do punosh... Më lidhte duart dhe këmbët (Tregon një shenjë në dorë). Duhet ta kisha këtu në fytyrë. Më sillte njerëz në shtëpi që të punoja me ta...por hiç. E kam pasur shumë të vështirë në fillim. Hëngra dru...Më tha që do vi një shoku im. Shqiptar. I kërkova ndihmë atij. Ai s’më dha ndihmë Pastaj filluan me radhë. Klientët i gjente ai. Erdhi një ditë njëri, quhej Niko, shqiptar dhe më thotë: Ç’bën. Ti je bebe. Si e bën këtë punë? Dua të më ndihmosh të iki, i thashë I mora numrin telefonit që ta kisha. Ai nuk bëri gjë. Vetëm muhabet. Kisha frikë se ky ( ai që trafikoi) kishte marrëdhënie të mira me policinë”.
...
Epilogu është tragjik. Një ditë vajza del dhe i ikën ‘të dashurit’. E ndihmojnë taksistë grekë, përmes një historie që vajza ma tregon me imtësinë e Sergio Leones. Vajza përfundon në burg, ndërsa trafikanti vazhdon të jetë i lirë, sepse... njeh policinë. Niko ose si quhet ai, i del garant. Sipas vajzës paguan 2000 Euro dhe e ndihmon të dalë. Por vajza është tashmë kontingjent i policisë...

Sërish Bardha
Në Kakavie e pret Bardha dhe vajza futet para pak kohësh në skemën e ndihmës së saj. Bardha tashmë na ndjek në bisedë dhe qetëson vajzën.”Nuk dua të rri këtu. Dua të kem një shtëpi. Dua të bëj një kurs për floktore. I ka paguar ai. Kemi marrëdhënie si shok zemre. Shpresoj të kem një lidhje normale si shok. Dua një lidhje normale. Për tu martuar kam shumë frikë...Prindërit janë gjallë. Nuk më ndihmojnë”, më thotë në fund. Burri i tezes, protagonisti, që lidhi vajzën ka dalë pa gjemb në këmbë dhe vazhdon i qetë sipas vajzës që të “Merret me drogë dhe femra dhe asgjë nuk e ka gjetur. Nuk u kam treguar gjë atyre që të mos i shkatërroj. Se kam një vëlla të vogël dhe nuk dua ti ndodhë gjë”. Ndahem me vajzën. Bardha më bën një plan të qartë të Qendrës: Janë 617 vajza, që janë trajtuar dhe policia ka filluar të referojë raste vetëm më 2006, ku janë asistuar 231 vajza dhe fëmijë ...Më 2007 ishin 175 raste nga të cilat 35 viktima të pastra; 2008 ishin 123 raste dhe 33 raste të trafikimit dhe më 2009 janë 147 raste dhe viktima të rrezikuara nga trafikimi”. Të gjitha rastet kanë kaluar në qendra të riintegruara dhe disa janë të integruara. Qendrat interesohen edhe të bëjnë trajnim profesional, më thotë.

Shkaqet
Psikologu Edmond Dragoti shprehet se një femër vendos të prostituojë kryesisht e shtyrë nga shkaqet ekonomike, nga mungesa e informacionit apo e rrugëve të mundshme për të punuar dhe siguruar mbijetesën, nga nevoja për tu larguar nga shtëpia e izoluar në zonat rurale apo nga familja e dhunshme dhe pa perspektivë. “Sidoqoftë, kultura patriarkale në këto zona dhe mjedise të izoluara ushtron një presion mbytës dhe i detyron të gjejnë rrugë për të dalë nga situata pa shpresë dhe pa krye”, thekson psikologu, në një shkrim të BIRN. Në raportin e fundit të USAID-it për viktimat e trafikimit, 27 për qind e femrave janë bërë viktima të trafikimit, për arsye të kushteve të vështira ekonomike dhe, 30 për qind e tyre kanë rënë pre e trafikimit në kërkim të një të ardhmeje më të mirë.
“Pothuajse një e dyta e viktimave të trafikimit e kanë kryer arsimin e detyrueshëm 8-vjeçar, duke e lënë shkollën në moshën 14 vjeç. Ndërsa 18 për qind e tyre e kishin mbaruar shkollën e mesme”,- bëhet e ditur në raport, duke u theksuar se janë shënuar raste edhe me viktima që e kanë mbaruar universitetin. Kurse Genci Muçollari i “Aksion Plus”, shumë vajza nga qytete periferike si Shkodra, Kukësi, Lezha apo Elbasani tashmë po preferojnë të punojnë jashtë shtetit, si në Malin e Zi, Kosovë e Maqedoni.
“Nga bisedat me to kemi mësuar se shumë prej tyre e kanë ëndërr madje përpiqen me shumë forcë që të largohen në këto vende ku siç thonë dhe vetë, fitojnë më shumë dhe trajtohen më mirë.
Kryesisht preferojnë të huaj dhe jo shqiptarë, sepse këta të fundit i rrahin dhe nuk u japin para”, thekson Muçollari. Sipas raportit, 58 për qind e viktimave të trafikimit që u është dhënë ndihmë në strehëzat përkatëse, rrëfejnë se ishin rekrutuar nga dikush që e njihnin.
“Këtu përfshihen bashkëshortët, të fejuarit, fqinjët, ose të afërm të tjerë të viktimës. 30 për qind e tyre janë rekrutuar nga të panjohurit dhe vetëm 4 për qind janë rrëmbyer me dhunë”,- bëhet e ditur në raportin e fundit të USAID-it.
...
Ndahemi me Bardhën, por jo me problemin. Vajza na ndjek me sy nga larg. Nuk mund të dalë më tutje. Kanuni i mizerjes shqiptare nuk e lë. Jo më tej. Jashtë e pret rreziku. Ku ta dish, mbase ndonjëherë dhe fati. Jeta e saj ka marr drejtim tjetër. Tashmë, është në dorë të fatit, që deri më tani e ka përcjell larg. Bardha shkëmben mesazhet e funnit dhe na kujton se duhet të jemi të kujdesshëm. I premtojmë, duke e siguruar. Ikim.

Shkrimi është mbështetur në një shkrim të BIRN,
shkruar nga Blerina Moka dhe njoftimin e shtypit të zëdhënëses së Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale

Shkruan : Ben Andoni
Nga : Revista Mapo

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama