Trajneri italian Fabio Kapelo është njohës shumë i mirë i teknikut të ardhshëm të Bajernit, Karlo Ançeloti. Në vitin 1992, "Karleto" stërvitej te Milani nga Kapelo dhe mbylli karrierën si futbollist te kuqezinjtë.
"E njohim njëri-tjetrin shumë mirë", tha Kapelo, i cili ishte prezent në eventin "Laureus Award" në Berlin. Në një intervistë për "Sport1", 69-vjeçari italian flet për ish-nxënësin e tij, Ançeloti, shanset e Bajernit për të fituar Champions-in, Pep Guardiolën dhe Manuel Nojerin.
Për Ançelotin
"Karlo Ançeloti është trajneri perfekt për Bajernin. Ai është zgjedhja më e mirë e mundshme. Karleto është shumë i përgatitur dhe është gjithnjë vetvetja. Ai e di se çfarë duhet të bëjë. Karriera e tij flet vetë. Gjithashtu është një psikolog i mirë për lojtarët.
Karlo qëndron i qetë kur qetësia është e nevojshme. Natyrisht bëhet edhe i rreptë kur duhet. Ançeloti është një 'regjisor' shumë i talentuar që ua gjen rolet në mënyrë perfekte 'aktorëve' të tij. Bajerni ka për të qenë mjaft interesant dhe atraktiv", nënvizoi Kapelo.
Për Champions-in
"Për mua, Bajerni është ekipi favorit për ta fituar Champions-in këtë sezon. Ata kanë lojtarë shumë cilësorë që bëjnë diferencën, por që kanë edhe kohë të gjatë që luajnë bashkë. Një armë e fuqishme është edhe trajneri Guardiola. Në atë formë si barazuan ndaj Juventusit me gol në minutën e 91-të tregoi qartë ambiciet dhe karakterin e lojtarëve. Goli nuk erdhi rastësisht nga qielli. Suksesi ndaj 'Zonjës' mendoj se i mbuloi me mantel kampioni.
Juventusi i ka bërë ata më të fortë psikologjikisht dhe taktikisht", u shpreh legjenda e Italisë, Fabio Kapelo, duke shtuar për largimin e Guardiolës: "Bajerni dhe Mançester Siti kaluan një periudhë të vështirë pas zyrtarizimit e të ardhmes së Guardiolës. Në trurin e lojtarëve dominon largimi. Te Mançester Siti, siç është parë, ndikoi jo mirë në rezultatet e sezonit, ndërsa Bajerni e kaloi mirë. Lojtarët duan ta fitojnë këtë trofe dhe mentaliteti i bavarezëve mënjanoi divorcin e Guardiolës".
Manuel Nojer
"Në kohën time, Dino Zof ishte portieri më i mirë. Por, sot shoh Manuel Nojerin. Ai është një portier i shkathët, inteligjent dhe polivalent. E them këtë sepse ai bën mbrojtësin dhe madje kujtoj që ka shënuar dhe penallti. Siguria që i jep ekipit në zonën e rreptësisë dhe forma si ai hap dhe ndërton lojën, është meritë e tij", përfundoi Kapelo.