Fabio Kapelo ishte një prej kandidatëve për të marrë drejtimin e Italisë pas Europianit por në fund vendosi që të mos pranonte ofertën nga Federata Italiane. Megjithatë, ai është i vëmendshëm ndaj lojës së përfaqësueses italiane dhe për këtë arsye ka bërë një analizë për duelin kundër Spanjës.
Komenti i plotë i Fabio Kapelos
Spanja është skuadra që të gjithë prisnim përpara se të niste Europiani: e fortë, me talente, por edhe me probleme në mbrojtje. Mendoj se Italia mund t'i hapë shumë probleme Spanjës, sidomos me skemën me 3 mbrojtës në prapavijë. Sigurisht që nuk është këtu sekreti i kësaj ndeshjeje, por mendoj se spanjollët e kanë të vështirë të çajnë skuadrat që mbrohen mirë.
Konte është mjeshtër i kësaj strategjie dhe ne duhet të bëjmë Italinë. Skuadra duhet të jetë e ekuilibruar dhe mund ta fitojë ndeshjen. Kjo Itali ka në përbërje futbollistë të cilët e ndihmojnë njëri-tjetrin duke bërë mirë detyrat që u cakton trajneri.
Humbja me Irlandën nuk është domethënëse, edhe pse për hir të së vërtetës nuk ishte ndeshje e mirë. Italia tregoi në dy ndeshjet e para që i ka idetë shumë të qarta, ndërsa Spanja duket që e ka humbur agresivitetin dhe ka ulur shumë ritmin. "Tiki-taka" vazhdon të jetë arma e tyre më e fortë, por për Italinë nuk bën kjo strategji. Barcelona e shpiku dhe Arragones e integroi në Kombëtaren e Spanjës. Nuk është një shembull për t'u ndjekur sepse nuk kemi lojtarë të Barcelonës.
Ne kemi modelin tonë për të luajtur që është me vertikalizime të shpejta dhe me mbrojtje të hekurt. Konte është treguar arkitekt duke i përshtatur mjaft mirë karakteristikat e futbollit italian. Nuk kemi më lojtarë që mund të driblojnë të tjerët dhe, në këtë pikë, nuk kemi përse të kopjojmë të tjerët. Sigurisht që driblimi në 20 metrat e fundit është i vlefshëm, sepse të nxjerr të vetëm përpara portës. Spanja ka shumë të tillë dhe gjithmonë kanë një lojtar ku ta çojnë topin.
Konte këtu duhet të bëjë kujdes dhe të mbyllë të gjitha hapësirat që krijojnë spanjollët me lëvizjet e tyre. Mendoj se Italia është kritikuar pa meritë gjatë kësaj kohe, por mendoj se edhe kritikat bëjnë mirë, sepse të japin më shumë forcë për të reaguar. Skuadrat e mia kanë qenë pak a shumë si Italia e Kontes, pësonin shumë pak gola dhe ishin të organizuara. Sigurisht që kisha edhe futbollistë të zgjuar dhe me shumë teknikë.