Kapet pa patente Dhjete dite burg ne prag te dasmes

Kapet pa patente: Dhjete dite burg ne prag te dasmes

Vetëm tri ditë para dasmës, një i ri është arrestuar nga Policia e Fierit, pasi ai udhëtonte me motor pa leje drejtimi. Arrestimi i të riut është realizuar dje nga policia lokale dhe do të mbahet dhjetë ditë në burg, ndërkohë që babai i tij kërkon ndihmë që të paktën i biri të bëhet dhëndër e pastaj të rikthehet në qeli. Megjithatë, policia shprehet e bindur se ai do të ketë të njëjtin fat me katër të arrestuarit e djeshëm, që janë kapur duke drejtuar mjete pa patentë ose në gjendje të dehur. Ndërkaq, dje ka ndodhur në Fier edhe një aksident i rëndë me një të vdekur dhe tre të plagosur.

Arrestimi i dhëndrit

Policia e Fierit deklaroi se për drejtimin e mjeteve pa leje drejtimi janë arrestuar dhjetë persona në të gjithë qarkun, mes të cilëve është edhe 25-vjeçari Rudjan Driza, i cili ka shpallur ditën e martesës në datën 13 të këtij muaji. E ndërsa ai duhet të ishte në përgatitjen e ceremonisë më të bukur të jetës së tij, është ndaluar nga policia, duke udhëtuar me motor, pa kaskë mbrojtëse. Ai është kapur në qendër të qytetit të Fierit, në vendin e quajtur “Plaza Europa”. Babai i tij, Agim Driza, u bën apel autoriteteve shtetërore që të lirojnë djalin e tij të paktën për ditën e dasmës. Ndërsa ditën e hënë, siç thotë ai, djali le të rikthehet pas hekurave të burgut. “Unë jam për shtetin dhe ligjet e tij”, pohon me lot në sy babai i 25-vjeçarit të arrestuar. Tashmë i takon organit të akuzës të vendosë nëse do të kërkojë para organit të gjykatës një masë lehtësuese për të ndaluarin apo do të procedojë në kërkesë për “arrest në burg”. Kjo e fundit do të linte në qeli kandidatin për dhëndër, që krahas kujtimeve për dasmën e shumëpritur, do të shënojë edhe arrestimin për leje drejtimi.

Aksidenti në Fier

Nga ana tjetër, pavarësisht arrestimit të dhëndrit, aksidentet rrugore vazhdojnë të shkaktojnë viktima. Një shtetas ka vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë në një aksident rrugor në Fier. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30 të ditës së djeshme, në aksin rrugor Levan-Fier, pranë liqenit. Një automjet “Audi”, me targa AA 006GV, me sens drejtimi Levan-Fier, ka goditur një mjet motoçikletë dhe më pas një furgon me targa të verdha FR 710 A dhe më pas është përmbysur në mes të rrugës, duke bllokuar njërin krah të qarkullimit rrugor. Sipas dëshmitarëve okularë, mjeti motor ka qenë i ndalur anës rrugës, pas mjetit furgon që gjithashtu ka qenë i ndalur. Pranë motorit kanë qenë tre persona, njëri prej të cilëve drejtuesi i tij. Dy të tjerët kishin shkuar të ndihmojnë drejtuesin e motorit, për një defekt që ai kishte pësuar. Si pasojë e aksidentit, Lavdosh Lalaj, 44 vjeç, i cili ndodhej pranë motorit, ka gjetur vdekjen, ndërsa dy të tjerët dhe shoferi i makinës së përmbysur, janë plagosur dhe ndodhen në Spitalin e Fierit. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të këtij aksidenti. Ende nuk ka të dhëna zyrtare për këtë aksident, por paraprakisht dyshohet se fajtor ka qenë shoferi i makinës së përmbysur dhe pritet të kryhet arrestimi i tij. Pas rreth 20 minutash nga aksidenti, qarkullimi është normalizuar sërish, ndërsa policia ka marrë në pyetje dëshmitarë të rastit, fermerë që punonin në ullishtat anës këtij aksi rrugor.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama