Kapexhiu Do te kisha qene nje aktor shume i mire

Kapexhiu: Do te kisha qene nje aktor shume i mire
Karikaturisti i njohur thotë se ndjehet i trishtuar nga rreziku i "zhdukjes" në të cilin ndodhet sot zhanri i karikaturës. Ai thotë se ka nostalgji për kinemanë dhe se sot është shumë e vështirë të bësh filma. Sipas Kapexhiut, humori e satira janë tkurrur, estradat janë mbyllur, shtypi humoristik ka falimentuar, aktorët dhe libretistët janë të pakët.

Zoti Kapexhiu, vijoni të jeni i vetmi karikaturist aktiv në të gjithë panoramën mediatike, por me sa duket dhe në ambientin e humorit. Çfarë ndjesie ju krijon kjo?

Si karikaturist i vetëm, kryesisht për karikaturën politike, kam njëkohësisht dy ndjesi. E para, më vjen mirë, e jam i kënaqur që po vazhdoj të ushtroj këtë gjini të artit figurativ, të vështirë, të veçantë, aq të dashur e të preferuar nga lexuesit dhe të braktisur nga redaksitë e gazetave e të revistave. Më tepër më inkurajon fakti, që si artist e qytetar, me anë të karikaturës, jap kontributin tim modest në procesin politik e shoqëror të jetës tonë. Jap një mesazh me qëndrim individual ideo-emocional, që sigurisht përputhet me linjën editoriale të gazetës, por në të njëjtën kohë unë i dhuroj lexuesit një buzëqeshje, edhe kjo shumë e mirëpritur nga të gjithë. Jo rrallë, qesh edhe personazhi real i karikaturës me veten e tij, paksa i deformuar e i vendosur në një situatë komike.

Ndjesia e dytë është e trishtë, keqardhje e hera herës nervoze e revoltuese. Mungojnë karikaturistë të tjerë, miq e kolegë, që dikur mbushnim faqet e gazetave e revistave. E them me bindjen e plotë, se në diktaturë, opozita e parë ishin humoristët e karikaturistët. Dhe më nervozon qëndrimi i pronarëve, drejtorëve e kryeredaktorëve, të gazetave që nuk kanë asnjë merak profesional dhe ndjesi artistike, që në faqet e gazetës së tyre mungon gazetaria figurative, karikatura.
 
Përse ky zhanër kërcënohet sot nga zhdukja?

Më krijon trishtim e më tremb fjala “zhdukje”, por pyetjes tuaj, po i përgjigjem duke e ambalazhuar me pak optimizëm. Kërcënimi për “zhdukje” ka disa arsye. Humori është një aftësi e brendëshme, individuale, që lind me personin e më tej rritet, përpunohet e perfeksionohet. Nuk fitohet as me kurse kualifikimi e as me studime universitare e pasuniversitare. “Artisti lind, nuk bëhet” thotë i madhi Çarli Çaplin. Aq më tepër, dhuntia për të dhënë të qeshurën. Është e rrallë. Një karikaturist duhet të ketë detyrimisht këtë dhunti të brendëshme të humorit, të zbulojë anën komike të problemit, fenomenit, ngjarjes apo personazhit që ai vendos në objektivin e abstragimit humoristik apo satirik. Pasi ta zbulojë, duhet të ketë veti krijuese mbi të, për ta ngritur atë dukuri, në vepër arti.

Përveç kësaj, duhet të ketë aftësinë për të vizatuar, kjo aftësi fitohet e përpunohet me një edukim e ushtrim profesional. Kërcënimi i dytë ndaj këtij arti është sjellja nëvleftësuese, hera herës brutale e drejtuesve e financuesve të gazetave. Drejtorë e kryeredaktorë që nuk e njohin e nuk e preferojnë këtë art, ka dhe të tjerë që janë të pa aftë për ti mbushur mendjen pronarëve që nuk kanë ide për gazetarinë dhe elementët përbërës të saj. Një kërcënim i tretë vjen nga mos korrektësia dhe mungesa e vlerësimit financiar. Ka karikaturistë që botojnë, por nuk paguhen. Dhe kërcënimi i fundit, është mungesa profesionale pedagogjike nga specialistë, për të inkurajuar e drejtuar artistë të rinj, që kanë shenjat e para të një dhuntie për artin e humorit.
 
A mendoni se humori e satira ndodhen në krizë?

Nuk mendoj se është në krizë, por për të qenë më i saktë, ky art popullor ka mangësi sasiore e cilësore. Estradat që ishin dikur, burim i pa shtershëm i krijimtarisë humoristike, janë eleminuar. Revistat humoristike kanë falimentuar. Faqet e veçanta të gazetave me artin e humorit të shkruar e të vizatuar, janë zëvendësuar me kollonat e horoskopit dhe kuadratet e fjalëkryqeve. Nuk ekzistojnë më takime apo festivale të humorit. Humori ka mbetur vetëm në disa emisione televizive ku shquhen aktorë të shkëlqyer, libretistë të lodhur e gjysmakë dhe organizatorë televiziv të varfër me ide. Arti i humorit të shkruar, të vizatuar, skenik, filmik apo televiziv është gjinia e artit më e pëlqyer më e preferuar e më e ndjekur e çdo arti tjetër. Konkuron me futbollin.
 
Kush kujton skenat dramatike të filmit “Duel i heshtur” s’mund të mos ketë parasysh një anë tjetër të karrierës tuaj, atë kinematografike. A keni ndjerë ndonjëherë, në këto kohë, nostalgji për kinemanë?

Nostalgji?... Edhe tani që po i përgjigjem pyetjes tuaj, ndjej nostalgji, mall, dashuri dhe bashkë me këto emocione, fshehur midis tyre, ndjej një keqardhje që në rrugën e filmit ndalova dhe sot, herë pas here tentoj të bëj hapa para e përsëri kthehem prapa. Kam qëndruar në një vend. Jo si krijues, por si një spektator i etur për të parë kinokomedi. Kam shkruar skenar, por kanë mbetur në sirtar. Pra sot me krijimtarinë time filmike, të shkruar, qeshin vetëm sirtarët e mi. Sot është shumë vështirë të bësh një film. Dhe për mungesën e filmave duhet xhiruar një film komik.
 
A do ishte Bujar Kapexhiu, një aktor më i mirë se sa ç’është sot karikaturist?

Nëse ecuria ime profesionale, në skenë dhe në film, do të qe me atë intensitet e nivel si në fillim të karrierës, them se po. Këtë bindje ma shton, kur kujtoj pasionin, punën, vrrullin dhe vlerësimin për krijimtarinë time skenike në periudhën katër vjeçare të studimeve në Akademinë e Arteve. E them pa modesti, se sot do të isha në grupin e aktorëve më të mirë. Por çe do, profesioni i regjisorit i dha një bërryl aktorit, duke e spostuar në stol, pas skene. Ndërsa si karikaturist quhem i mirë se s’ka të tjerë që botojnë. Kësaj i thonë: “Dola kampion! Sa veta ishin? Dy veta.”
 
Në fund të fundit, përse nuk i bëtë të dyja, edhe filmin edhe karikaturën?

Në këtë intervistë, sipas pyetjeve që po më bën, e kam lënë jashtë derës modestinë. Është ftohtë e po dridhet e shkreta. Kështu që, duke përfituar që modestia nuk na dëgjon, po rendis ato që kam bërë. Aktor, regjisor, libretist, skenarist, piktor, skenograf, ilustrator, karikaturist, konferencier, punëtor, mekanik (kur më dënuan me riedukim), zyrtar, pedagog, sot po provoj shkrimtarin dhe vjershëtorin humoristik (se, poet, më duket fjalë e madhe).

Pra, si aktor, kam interpretuar në jetën time reale, shumë profesione. Edhe si punëtor kam qenë shumë i suksesshëm. Realizoja dy norma në ditë.
 
 
I rikthehemi medias. Duke qenë se tashmë jeni një pjesëtar, me kohë të plotë, i një redaksie gazete, çfarë mendoni për shtypin shqiptar sot?

Harxhohet shumë letër e shtrenjtë, në këtë shtyp të lirë. Nëse kjo shifër financiare, për letër, shtyp e shpërndarje do të investohej në sektorë të tjerë prodhimi, do të kishim më tepër sukses, produkte e vende pune dhe më tepër kohë të vlefshme e produktive se sa humbja e saj në për faqet e fundit të gazetave me mbushjen e kuadrateve të fjalëkryqeve. Shumë gazeta. Shumë revista. Ca lexues. Pak gazetari e mirëfilltë e dinjitoze. Uniformitet në strukturë, në tematikë, në problematikë dhe në lajm.

Misioni i mediave është në dobi të qytetarit e të demokracisë, ky mision duhet të kryhet me përpikmëri e profesionalizëm. Por sot në të gjithë median ky mision çalon. Realitetin, herë pas here në artikuj tendenciozë e gjen të deformuar. Vërtet shtyp i lirë. Por shpesh më tepër i lirë se sa duhet. I ngarkuar e i kërrusur nga mbipesha e fyerjeve, sharjeve, denigrimeve. Mungon etika qytetare e profesionale. Hunda e gjatë, e drunjtë, e gënjeshtërt e pinokut gazetaresk futet me të pa drejtë e pa turp, në caqet më intime personale e familjarëve kryesisht të artistëve e politikanëve. Liria e shprehjes është në kuotat më të larta. Në këto kuota shoqërohet nga shpifja, falsiteti e gënjeshtra. Interesa të ngushta ekonomike të pronarëve biznesemenë të këtyre mediave, deformojnë pa skrupull etikën dhe vërtetësinë e informacionit.

Estetikisht, më jep një ndjesi të keqe, fotografia e stërmadhe që mbulon faqen e gazetës me portretin e një viktime, të një hajduti, të një drogmeni apo krimineli, në kontrast me fotografitë sa një pullë poste, në faqen e fundit, me portretet e njerëzve të shquar të artit, kulturës, shkencës, sportit, etj. Funksioni, bashkëveprimi, iniciativa dhe urdhëri i eprorit, brenda stafit të redaksisë së një gazete, në raportin, pronar, gazetar dhe informacion, më ngjan me lojën e bilardos. Gazetari, si gur bilardoje, i goditur nga steka pronar, godet bilat politikanë, për ti futur në gropën problematike të skandalit. Mjerë ata që shkruajnë, e më të mjerë ne që i lexojmë.

Ku ndryshon dhe ku ngjan sektori i medias së shkruar, me botën e radiove dhe televizioneve?


Asnjë ndyshim. Identike. Medias së shkruar i mungon zëri dhe figura. Këto i ka radio dhe televizioni. Linja editoriale e njëjtë, rubrikat shabllone. Emsione pa fantazi. Pa art. Të njëjtët personazhe që lëvizin nga njëri kolltuk televiziv, pasi grinden e bëjnë sherr në një televizion, i gjen në dekorin e një televizioni tjetër duke përsëritur fjalët fyese e denigruese ndaj një grupi tjetër. Mungesa e etikës, fyerja apo sharja me zë e me figurë, është më goditëse, më trishtuese, më shokuese dhe sigurisht e pa pranueshme se sa ajo e shkruar. Në ekranet televizive ka shumë thika, pistoleta, automatikë, thasë me drogë, njolla gjaku dhe policë që tendosin shiritat plastikë për të izoluar zonat e kalimit.

Ka shumë politikanë, llafazanë e mediokër, që i kanë zënë hapësirën problemeve e tematikës më interesante, më tërheqëse e më dobi prurëse për teleshikuesin dhe jetën e tij të përditëshme. Akoma vazhdon i ngulur në kolltukun e emisionit i njëjti analist, që flet për të gjitha problemet, profesionet dhe ngjarjet. E nuk angazhohen shumë profesionistë që të flasin vetëm për një profesion. Kësaj i thonë “Një për të gjithë, e asnjë për një”. Në televizion, në rubrikat shabllone, si me letër kopiativ të bisedave me politikanë apo analistë, ka shumë arrogancë, ashpërsi, mungesë etike, sepse u mungon ndjeshmëria intelektuale, etika e gazetarit, mirësjellja e qytetarit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama