Kapiteni Lahm Anceloti me ka befasuar qe diten e pare

Kapiteni Lahm: Ançeloti më ka befasuar që ditën e parë

Stërvitet vetëm prej tri ditësh nga trajneri i ri, por kaq mjafton për të krijuar përshtypjen e parë. Kapiteni i Bajernit, Filip Lahm, flet me superlativa për Karlo Ançelotin. Pas 7 javësh pushimi, Filip Lahm u rikthye në studion e televizionit të klubit:

lahm anceloti

"Ishte një kohë shumë e bukur pranë familjes", tha 32-vjeçari, i cili shtoi se, pavarësisht pushimeve, nuk humbi asnjë ndeshje të Gjermanisë në Europian. "I ndoqa nga minuta e parë deri tek e fundit, madje duke mbajtur veshur edhe fanellën e kombëtares", të cilën ish-shokët ia bënë dhuratë me firmat e tyre përpara se të niseshin drejt Francës.

Ançeloti

"Kam një përshtypje shumë, por shumë pozitive për Ançelotin. Është një trajner me jashtëzakonisht përvojë, i cili ka fituar shumë tituj", tha Lahm, i cili bëri edhe një vizitë në zyrën e trajnerit 57-vjeçar ditën e hënë për bisedën e parë serioze mes tyre: "Ishte një person shumë i këndshëm". Në fakt, i bindur nga kapiteni ka mbetur edhe tekniku italian, i cili gjatë konferencës së prezantimit nuk e ka fshehur admirimin për mbrojtësin, duke konfirmuar se do të vazhdojë të mbetet lideri i skuadrës.

renato sancez

Sançes

Lahm komentoi edhe blerjen e fundit të Bajernit, Renato Sançes. Portugezi do të jetë pjesë e skuadrës vetëm për tri javët e fundit të fazës përgatitore për shkak të Europianit: "Mezi po pres ta shoh. Ai djalosh ka cilësi të jashtëzakonshme, ndryshe nuk do të kishte luajtur një rol kaq të rëndësishëm në Francë. Kemi arsye të forta pse mezi e presim Renaton këtu".

lahm anceloti

Objektivat

Me Sançesin dhe Humelsin, Rumenige ka bërë dy goditje që premtojnë një sezon të madh, ku si çdo herë kapiteni konfirmon se do të luhet për gjithçka: "Objektivat tona janë të njëjtat çdo sezon. Ne i duam të gjithë trofetë e mundshëm". Lidhur me gjendjen e tij fizike, Lahm tha se ai është në formë pasi gjatë javëve të fundit ka vijuar vrapimet sipas programit. "Gjatë pushimeve kam luajtur golf dhe kam vrapuar sipas programit. Nuk është se ne u grumbulluam të hënën dhe duhet të shpejtojmë këmbët dhe t'i hyjmë regjimit, sepse kemi abuzuar me ushqimin. Jemi në formë", përfundoi Lahm.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama