Kryebashkiaku dhe presidenti i Bylisit, Agron Kapllanaj, në një intervistë për "Panorama Sport" ka deklaruar se policia ka dhunuar një prej lojtarëve të ekipit të tij. Ai gjithashtu është shprehur se nuk shpreson më te mbijetesa.
Matematikisht ekipi juaj nuk ka rënë ende nga Kategoria Superiore...
Në takimin ndaj Flamurtarit morëm rezultatin në bazë të asaj që dhamë në fushë. Nuk është se ndikoi ndonjë faktor tjetër në rezultat. Futbolli ka edhe fatin brenda dhe ai nuk ishte me ne, pasi patëm 2-3 raste të pastra për shënim dhe nuk i shfrytëzuam. Gjithsesi, ajo që ka ndodhur gjatë gjithë kampionatit ka ndikuar, pasi nga gjykimi deri më tani na janë mohuar disa pikë. Në fund për një pikë del nga kategoria dhe ne për një pikë dolëm.
Keni ndonjë pakënaqësi nga ndeshja e sotme (djeshme)?
Jo, nuk kam asnjë pakënaqësi në lidhje me ndeshjen. Arbitri ka qenë shumë korrekt dhe ka vepruar drejt. Si arbitër meriton notën më të lartë. Forcat e policisë ishin të shumta, aq sa nuk e prisnim. Por unë e kisha thënë edhe më parë, që në Mallakastër jo sot në këtë ndeshje, por sa të jem unë kryebashkiak dhe president i këtij ekipi, nuk ka për të ndodhur gjëja më e vogël. Edhe pse ne nuk fituam dhe ramë nga kategoria, ndeshja përveç tifozllëkut në fund nuk pati asnjë incident.
Para ndeshjes është përfolur për një incident. Ka pasur diçka të vërtetë?
Të them të drejtën, forcat e rendit kanë bërë pak terror, pasi janë marrë edhe me punëtorët e fushës, të cilët i kanë nxjerrë jashtë. Madje në një moment edhe mua nuk donin të më linin të hyja në tribunë, pasi ishin bërë zot të fushës e tribunës. Madje donin të kontrollonin edhe në zyrat e tribunës. A thua se aty kishte aktivitet kriminal dhe jo sportiv. Kanë gjuajtur punëtorët e fushës dhe i kanë nxjerrë jashtë me dhunë, duke u thënë që "jemi ne zot tani dhe nuk ka punë njeri". Kam shkuar unë të hyj në tribunë dhe nuk më linte polici. Jam detyruar t'i them se unë isha zot shtëpie dhe jo ata, ndaj ata duhej të dilnin jashtë dhe unë bashkë me tifozët do të hynim brenda në stadium. Nuk ishte nevoja që situata të fryhej dhe të bëhej gjithë ajo zhurmë. Madje, në fund të takimit kanë gjuajtur futbollistin tonë, Albi Allën, i cili ishte me kartonë dhe nuk luante. Pasi mbaroi ndeshja, kishte të drejtën të hynte në dhoma, por policia e ka gjuajtur me shkelma dhe grushte, edhe pse i thamë se ishte futbollist.
Vlonjatët kanë pretenduar se porta ka qenë 10 centimetra më e lartë. Keni një koment?
Me portën nuk ka ndodhur asgjë dhe kjo është një gjë qesharake, të them të drejtën. Me atë portë është luajtur deri më tani dhe këto janë gjëra për shou. Jeni dorëzuar, apo shpresoni që ekipi juaj të mbijetojë? Absolutisht nuk presim që të ndodhin mrekulli, të them të drejtën.
Cila skuadër mendoni se do të shpallet kampion?
Për hir të së vërtetës nuk më intereson shumë se cili ekip do të marrë titullin. Mendoj se kampion do të shpallet ekipi më i mirë, që ka treguar vlera, dhe më afër është Skënderbeu. Flamurtari nuk ka më objektiv për të luajtur. Shpresoj që gara të bëhet e bukur. Si Partizani, si Skënderbeu e meritojnë pasi kanë bërë kampionat të bukur.
Duke parë si ecën gjërat, mos ndoshta ju vjen keq që i prishët punë Partizanit?
Nuk më vjen keq, pasi edhe Skënderbeut ne i kemi marrë një pikë. Bylisi ka respektuar garën deri në fund dhe nuk kishim për qëllim t'i prishnim punë asnjë ekipi, pasi synonim të merrnim pikët për të qëndruar në Superiore. Kemi bërë garë të bukur, por në fund nuk morëm atë që meritonim, pasi nuk duhej të ishim Kategorinë e Parë.