Kapoja i Lazaratit sot para gjykates

'Kapoja' i Lazaratit sot para gjykates

Ditën e sotme pritet që ‘kapoja’ i bandës së Lazaratit, Gate Mahmutaj, i cili është bërë i njohur për sulmin ndaj policisë edhe 10 vjet më parë, do të dalë para gjykatës së krimeve të renda për t’u njohur me masën e sigurisë.

Gjithashtu gjykata do të japë masën e sigurisë edhe për djalin e tij 19-vjeçar, Vandamin si dhe dy të arrestuarit e tjerë Emiljano Aliko dhe Mateus Boçi, të cilët akuzohen si pjesë e grupit kriminal që ka qëlluar mbi policinë gjatë operacionit në Lazarat.

Gate Mahmutaj u dorëzua në komisariatin e Gjirokastrës rreth orës 21 e 45 minuta e mbrëmjes së të martës pas negociatave, për t’u transferuar mesditën së mërkurës në drejtorinë e policisë Tiranë së bashku me bashkëfshatarët e tij Emiliano Aliko dhe Matjaz Boçi.

Në deklarimet e tij të para dhënë në policinë e Gjirokastrës Gate Mahmutaj ka mohuar akuzat se ka qëlluar mbi policinë dhe se kapanonet ku u sekuestrua një sasi e konsiderueshme kanabisi të jenë të tijat. Ai ka sqaruar para grupit hetimor se ajo ndërtesë është e vëllait të tij dhe se ai merret me blegtori në fshatin e hashashit.

Ndërkaq për djalin e Gates, Vandam Mahmutaj, akuza ka arritur të provojë se 19- vjeçari ka qëlluar me armë anë drejtim të policisë nga kapanoni i famshëm i ndërtuar nga babai i tij, në krah të fshatit Derviçan.

Gjatë kontrollit të kapanonit dhe vendit ku është kultivuar lënda narkotike, ekspertët kanë gjetur 225 gëzhoja.

Prokurorët thanë se gjatë këqyrjes fizike të duarve të 19-veçarit Vandam Mahmutaj, janë gjetur shumë mbetje baruti, që vërteton se 19-vjeçari ka qëlluar në drejtim të uniformave blu.

Faktor plotësuese të barutit, sipas ekspertëve të policisë shkencore, janë gjetur edhe në trupin e Gate Mahmutajt, ndaj të cilit tashmë është ngritur akuza e vrasjes në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë.

Grupi hetimor i posaçëm ngritur nga prokuroria për Krimet e Rënda përveç gjurmëve të barutit, kanë siguruar dhe disa prova të tjera si gjurmë gishtash në kapanon dhe paketat e kanabist,të cilat janë sekuestruar në tokën e familjes Mahmutaj.

Edhe ndaj të dyshuarve Emiljano Aliko dhe Mateus Boçi janë siguruar prova që vërtetojnë se edhe kanë qëlluar mbi efektivat e forcave RENEA dhe Ndërhyrjes së Shpejtë.

Pritet në ditët në vazhdim, edhe arrestimi i disa personave të tjerë, tashmë të shpallur në kërkim nga prokuroria për llogari të dosjes voluminoze të dorëzuar nga aviatorët italian, që fotografuan dhe filmuan Lazaratin nga ajri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama