Abaz Karakaçi mund të quhet pa dyshim njeriu i takimit në sfidën e djeshme, pasi në minutën e fundit arriti të shënonte golin e fitores për skuadrën e tij.
Në një intervistë për "Panorama Sport" kapiteni i pukjanëve ka folur për emocionet e sfidës, por edhe premtimin që i kanë bërë përfaqë- suesit e Partizanit menjëherë pas ndeshjes.
Abaz, sa e vështirë ishte të fitonit ndaj Skënderbeut, për më tepër në transfertë?
Të them të drejtën, ndaj çdo skuadre është e vështirë të fitosh, pasi nuk ka ekipe të lehta, sidomos ndaj Skënderbeut, që të gjithë ia dinë vlerat, pasi është pesë herë rresht kampion. Megjithatë, ne kemi dhënë maksimumin dhe ia arritëm të dilnim me pikë të plota nga kjo fushë.
E kishit menduar se realisht mund t'i mposhtnit korçarët?
Ishim të bindur se nuk do të dilnim pa pikë nga kjo ndeshje. Ne jemi një skuadër që jemi përballur me shumë probleme gjatë kësaj periudhe, megjithatë asnjëherë nuk jemi dorëzuar dhe kemi bërë kampionatin tonë, siç bëmë edhe sot (dje).
Pas barazimit me Partizanin, stafi i të kuqve ju ka akuzuar se keni luajtur fort. Ia kthyet përgjigjen tani?
Shikoni ne bëjmë lojën tonë gjithmonë, pavarësisht aty që thonë të tjerët. Edhe në atë ndeshje morëm pikë që na duhen për objektivat tona edhe sot bëmë të njëjtën gjë. Matematika na lejon që të shpresojmë për mbijetesën dhe pse të mos shpresojmë, kur diferencat nuk janë shumë të mëdha mes skuadrave.
Premiot para ndeshjeve të tilla janë të zakonshme nga ekipe rivale. Ju ka premtuar Partizani shpërblim para takimit?
Të jem i sinqertë para ndeshjes, nuk ka pasur asnjë premtim. Por, pas ndeshjes na kanë marrë në telefon përfaqësues të klubit të kuq dhe na kanë thënë se do të na japin një shpërblim, por nuk e di shumën. Këtu nuk ka asgjë për t'u shqetësuar, pasi është një gjë normale dhe e ligjshme, që ndodh edhe në vende të tjera të botës.
Keni një dedikim për golin e sotëm...
Golin ia dedikoj mamasë sime, e cila nesër (sot) ka ditëlindjen, ndërsa fitorja shkon për Xhevahir Sukajn.
Përgatiti: Armand Halili