Dejan Karan i jep lamtumirën Ti ranës. Gjatë seancës së paradites, mbrojtësi është përshëndetur me shokët e ekipit, duke i njoftuar se do të kthehet përfundimisht në Serbi. Motivi duket se është problemi në shpinë. Riaftësimi i tij mund të zgjasë edhe pak javë, duke e detyruar që sezonin ta mbyllë para kohe. Të paktën ky ka qenë versioni që ka qarkulluar në ambientet e palestrës, kur ekipi po kryente stërvitjen e parë të ditës. Burime të sigurta për "Panorama Sport" konfirmojnë se palët tashmë e kanë prishur kontratën, duke zyrtarizuar kështu "divorcin" e parakohshëm mes serbit dhe bardhebluve.
Dëmtimi fatkeq
Serbi mungon prej 5 ndeshjesh në formacionin e bardhebluve. Kujtojmë që shtatlarti i mbrojtjes është dëmtuar në ndeshjen kundër Flamurtarit, e cila u mbyll në barazim pa gola. Pra, që prej datës 9 shkurt ai shfaqi probleme në shpinë, çka e ka kushtëzuar që të mos luajë. Mesi totalisht i bllokuar, përtej terapive të ndryshme, nuk e ka liruar.
Madje, kur u mendua se ai do t'i shtohej organikës së Ilir Dajës, vjen pikërisht ky lajm. Kujtojmë që pak ditë para se të luhej ndeshja me Laçin, ai u kthyer nga Mali i Zi (ku kreu një terapi intensive për shpinën) dhe nisi që të kryente përgatitje i diferencuar. Por që prej asaj dite dhe deri më dje kurrë nuk iu bashkua grupit. Kujtojmë që ai iu bashkua kryeqytetasve në merkaton e verës, duke bindur me performancën e tij. Ai në total luajti 21 ndeshje me fanellën e bardhebluve, duke shënuar edhe dy gola, paçka se është mbrojtës.
"Sipari" i largimeve
"Siparin" e firove e hapi Erjon Dushku pa startuar ende mirë sezoni (që e përjashtuan pas sherrit me fizioterapistin), për të kaluar te Gilberto që iku pas 7 javësh, Kavdanski dhe Frashëri u "divorcuan" në janar, ndërsa Almeida vetëm pas 3 ndeshjeve të luajtura. Sakaq, më 5 prill iku edhe braziliani tjetër Aleks Uillian, ndërsa më i fundit që i bashkohet kësaj liste është pikërisht Dejan Karan, duke e çuar numrin e firove në 8.
Përgatiti: ADELA MERKO