Karburantet Autoriteti i Konkurrences heton tregun. Dyshime per oligopol

Karburantet, Autoriteti i Konkurrences heton tregun. Dyshime per oligopol

Debati për tregun e karburanteve pritet të marrë të tjera përmasa gjatë ditëve në vijim. Shumë shpejt Autoriteti i Konkurrencës mund të marrë vendimin përfundimtar për një hetim të nisur disa muaj më parë, saktësisht në maj të vitit të kaluar në tregun e karburanteve, pas dyshimeve për shkelje të konkurrencës.

Afati i hetimit të thelluar, sipas vendimit të institucionit të konkurrencës, ka qenë tre muaj dhe ka mbaruar tashmë prej kohësh.

Top Channel ka mësuar se ekspertët e këtij institucioni kanë përgatitur dhe raportin përkatës dhe tashmë ka mbetur vetëm që Autoriteti të shprehet zyrtarisht.Burime konfidenciale thonë se një nga pikat më të nxehta të vendimit mund të jetë ajo për shfuqizimin e udhëzimit me numër 17 të Ministrisë së Financave. Në vitin 2008, për ta bërë më të lehtë mbledhjen e të ardhurave nga taksat e karburanteve, Ministria e Financave nxorri një udhëzim, i cili ka reduktuar konkurrencën në treg duke i shndërruar të gjitha pikat e pakicës në agjentë të kompanive të mëdha.Udhëzimi u heq mundësinë pikave të pakicës që të konkurrojnë me çmim, pasi ai përcaktohet nga kompanitë importuese. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se ky udhëzim ka shkaktuar jo pak debat edhe brenda vetë ministrisë.

Por përtej udhëzimit, ajo që mbetet për tu parë është cilat do të jenë masat e tjera të Autoritetit. Jozyrtarisht mësohet se ka diskutime edhe për masa ndëshkuese ndaj disa kompanive që operojnë në treg për abuzim me pozitën dominuese kolektive.

Kohët e fundit tregu i karburanteve është shndërruar në një temë të nxehtë debati jo vetëm politik për çmimet e naftës në tregun e brendshëm. Në publik ka patur opinione të ndryshme se pse tregu shqiptar nuk reflekton rënien e çmimit të naftës. A janë taksat e larta shkaku apo në treg ka edhe abuzime? Ajo që është e sigurtë, është se shumë shpejt Autoritetit të Konkurrencës i duhet të dalë me një vendim zyrtar për këtë çështje.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama