Megjithatë, autori i artikullit, Bertrand Dikal, këmbëngul se në gjithë shkrimin nuk gjendet as fija e hollë e ndikimit të pozitës së bashkëshortit të artistes. CD-ja është një "sukses kokë e këmbë", shkruan ai. Zonja Bruni-Sarkozi zotëron një zë "të thellë e të brishtë" dhe është shfaqur si autore këngësh me "një sens shumë të veçantë melodik...".
Në tekstet e këngës, ku i bën edhe më tej jehonë famës prej ngrënëse burrash, ish-modelja italiane këndon: "... Jam fëmijë, pavarësisht dyzetë viteve që kam mbi supe; pavarësisht tridhjetë dashnorëve. Jam fëmijë...".
Tashmë nuk përbën më asnjë lloj sekreti fakti që gruaja, e cila në listën e ish të dashurve ka koleksionuar emra të tillë si: Mik Xheker, Kevin Kostner, Erik Klepton apo miliarderi amerikan Donald Tramp, deri vonë e ka konsideruar monogaminë si diçka të mërzitshme.
Mes 14 këngëve që përmban albumi është edhe njëra e titulluar "Ma Came" ("Droga ime"), ku forcën me të cilën është në gjendje të dashurojë e krahason me një drogë të klasit A. Megjithëse është shkruar nga dora e bukuroshes dy vjet më parë, kur as që njihej me Nikolasin, i dedikohet tërësisht bashkëshortit.
"... Ti je droga ime. Më fatale se heroina afgane; më i rrezikshëm se pluhuri i bardhë kolumbian...", këndon ajo, për të vazhduar: "... Të dashurin e dredh si të qe një cigare me marijuanë dhe e tymos...".
Kënga e parë singëll, që do të paraqitet nga gjithë albumi, titullohet "L‘Amoureuse" ("Grua e dashuruar"), megjithëse nuk dihet ende me saktësi nëse i dedikohet romancës së zjarrtë me Presidentin francez, e cila nisi nëntorin e shkuar, për t‘u kurorëzuar me martesë në 2 shkurt të këtij viti.
Në album përfshihet edhe kënga "Péché d‘Envie" ("E shtyrë në mëkat nga epshi"), bashkautor i së cilës është filozofi Rafael Enthoven, babai i djalit të ish-modeles. E vetmja pjesë muzikore e huazuar është balada "Ti më përket mua", ku vërehet qartë se është shkruar nën frymëzimin e gjithë vendeve të mrekullueshme që i vizitoi pak kohë më parë nën shoqërinë e Nikolasit. Në mënyrë të veçantë në tekst bukuroshja i referohet gjendjes shpirtërore që përjetoi gjatë vizitave nëpër piramidat e Egjiptit, ku edhe u fotografua nga mediat e panumërta teksa ecte e kapur dorë për dore me Nikolasin.
"Quelqu‘un M‘a Dit" ("Dikush më tha"), albumi i parë i modeles, i hedhur në treg në vitin 2002, rezultoi hit i menjëhershëm, me 1.2 milionë kopje të shitura në Francë dhe 800 mijë jashtë.
Albumi i dytë, "Pa Premtime", i publikuar në fillim të vitit 2007 me poezitë e saj, qe shumë më pak i suksesshëm dhe shitjet nuk i kaluan 80 mijë kopjet.
Në artikullin përkëdhelës të "Le Figaro" - ku cilësohej "si i prituri më me padurim në Francën e këtyre dekadave të fundit" - shkruhej se në album gërshetoheshin me mjaft sukses "magjia" e këngëve të para të modeles, me "integritetin artistik" të albumit të dytë, që bëri më pak jehonë. Sqarohej gjithashtu se ajo kishte hequr dorë nga stili "folk", në favor të "chanson franccaise" dhe "të stilit të ndezur të viteve gjashtëdhjetë". "Me pak fjalë, është më pak amerikan, më shumë francez e më tepër bitëlls".
Mbi të gjitha, albumi nënvizon vullnetin dhe dëshirën e fortë të Zonjës së Parë të Francës, për të ruajtur pavarësinë nga detyrimet që i shtron përpara pozicioni zyrtar. "... Le të më shajnë e të më mallkojnë. As që më intereson ç‘thonë...", shkruhet në tekstin e njërës prej këngëve.
Por, pavarësisht dukjes agresive, bukuroshja dyzetvjeçare tha se shqetësohej për mënyrën si do reagojë kritika dhe publiku.
Në një intervistë për revistën "VSD" tha: "E di që njerëzit nuk do ta perceptojnë albumin vetëm nga pikëpamja muzikore. Edhe kritika rrezikon të ndikohet nga fakti që unë jam bashkëshortja e Presidentit... E di shumë mirë këtë".
Duke gjykuar në bazë të rezultateve të një anketimi të kryer gjatë fundjavës së shkuar, mësojmë se bukuroshja nuk ka përse ta vrasë mendjen për mënyrën si e perceptojnë francezët në pozicionin e Zonjës së Parë: 64 për qind e tyre mendojnë se po sillet siç duhet. Sondazhet e bëra së fundmi tregojnë se edhe i shoqi po i largohet rënies së popullaritetit, që pak kohë më parë arriti shifrën më të ulët, 30 për qind. Tani, 40 për qind e francezëve i aprovojnë vendimet dhe veprimet e tij, falë kthimit të vëmendjes te reformat ekonomike dhe heqjes dorë nga ajo jetë aq e përfolur, zhvilluar bashkë me të shoqen, përpara syve të medias.
Në librin e Karla Brunit, të publikuar gjatë javës së shkuar, modelja rrëfente se kishte rënë në dashuri me Presidentin për shkak të pamjes së tij të jashtme, si dhe faktit që ka "pesë apo gjashtë mendje": "Fiziku, sharmi, zgjuarsia e tij më bënë të dashurohesha kokë e këmbë. Nikolasi ka pesë apo gjashtë tru, që të gjithë të shkëlqyer...".
Gjatë intervistës me "VSD" shpjegoi se nuk i pëlqente ta konsideronte veten intelektuale fanatike. Për ta bërë më të qartë krejt konceptin, citoi një shprehje të Niçes: "Pa muzikën, jeta do të qe një gabim kokë e këmbë".
Marre nga : Gazeta Shqip