Organizatorët ngurojnë të tregojnë se cilat do të jenë fabulat që do të prezantohen, por mes tyre ka edhe histori dashurie të improvizuara nën shi e me vajza të lagura që kërcejnë me çadra në duar. Festivali i Karnavaleve, aktiviteti më i madh kulturor i këtij viti në qytetin e Korçës, që ka mbështetjen e "Top Channel", do të sjellë dhjetëra grupe nga vendi dhe Ballkani që do të kalojnë mes portave të cilat po ngrihen në sheshin qendror ku do të jetë edhe dera e madhe mikpritëse e tyre. Për dy ditë, organizatorët kanë menduar që të kenë gati të gjitha grupet, nga të cilat 13 vetëm nga qyteti pritës, Korça. E veçanta për ata është fakti se për të parën herë ai do të marrë përmasa evropiane dhe do të gërshetohet me ditën e çeljes së sezonit turistik, ku do të promovohen paralelisht me grupet groteske karnavaleske edhe traditat e vjetra të qytetit të serenatave. Për regjisorin e këtij festivali, Naum Terova, ky është qyteti i këngës dhe qejfit dhe si i tillë, karnavalet do të jenë ato që do të tregojnë më së miri gjallërinë e jetës kulturore dhe artistike. Për të, Karnavalet e Korçës vijnë pas një heshtjeje të gjatë dhe do të zgjojnë sërish traditën e dikurshme. Terova thotë se muzika e festivalit, skenografia, skicat dhe butaforitë këtë vit do të vijnë era Evropë. "E veçanta e këtyre karnavaleve është se ne nuk do ta mbajmë për vete, që do të thotë se, edhe pse Korça njihet për karnavalet e bukura në rang kombëtar, këtë vit rizgjimi i traditës së hershme do të vijë me përmasat e një festivali të madh evropian. Pas një heshtjeje të madhe të sistemit totalitar po rizgjojmë traditën me këtë festival me përmasa sa më cilësore në të gjitha drejtime", tha regjisori i aktivitetit. Organizatorët thonë se Karnavalet e Korçës vijnë me dy mesazhe, atë të traditës së dikurshme të artit dhe kulturës, por edhe me turizmin. Festivali i madh organizohet nga bashkia e qytetit, qendra kulturore "Vangjush Mio", teatri dhe drejtoria arsimore.
Nga : Gazeta Shqip