Zoti ambasador, po largoheni nga Shqipëria pas një qëndrimi të gjatë. Me çfarë përshtypjesh largoheni? Si e prisni postin e ri diplomatik në një realitet kaq të largët dhe të ndryshëm, si Kina?
Transferimi drejt një vendi tjetër është një fakt në jetën e një diplomati. Por, jam i trishtuar që më duhet të largohem nga Shqipëria dhe populli i saj, sepse për Shqipërinë e shqiptarët ndjej një dashuri të thellë. Vetë ju jeni pasuria më e madhe e këtij vendi. Nuk jam ndjerë kurrë në ndonjë vend tjetër, më i mirëpritur se këtu. Mikpritja dhe miqësia që më janë ofruar kanë qenë të jashtëzakonshme. Shumë pak shqiptarë kam takuar, të cilët mund të mos i kem pëlqyer menjëherë. Ishte një zbulim për mua ardhja këtu dhe për katër vite të përjetoja këtë vend dhe popull fantastik, i cili për pjesën më të madhe të jetës time ka qenë një xhevair i fshehur i Evropës. Me të vërtetë besoj se shqiptarët kanë shumë se çfarë t'u mësojnë miqve të tyre evropianë, në fakt edhe gjithë botës, rreth mikëpritjes, harmonisë fetare, tolerancës, dhe punës së palodhur. Evropa ka nevojë për rolin e mençur dhe konstruktiv të Shqipërisë në këtë pjesë të trazuar të kontinentit. Më vjen jashtëzakonisht keq që nuk munda ta mësoj kurrë gjuhën shqipe, por mësova fjalën e saj më të rëndësishme: “Faleminderit” Nëse ka diçka që dua t'u them shqiptarëve tani që do të largohem, është: Faleminderit!
Gjithashtu, më ka bërë me të vërtetë përshtypje ritmi i shpejtë i ndryshimeve këtu. Shqipëria ku unë erdha, është krejtësisht e ndryshme nga Shqipëria nga e cila po largohem. Duke parë se çfarë mund të arrijë zgjuarsia dhe vendosmëria shqiptare, të kombinuara me punën e pabesueshme e të palodhur, u bëra optimist për të ardhmen e këtij kombi.
Por, edhe e kam kuptuar që potenciali i jashtëzakonshëm i Shqipërisë dhe popullit shqiptar, është sakrifikuar vazhdimisht nga politika jofunksionale, aq shumë sa kjo e fundit rrezikon të zhdukë edhe perspektivat evropiane të Shqipërisë për të ardhmen e afërt, madje edhe potencialin e saj ekonomik, nëse nuk do të ndodhin shpejt ndryshime themelore dramatike. Populli shqiptar duhet të thotë me vendosmëri: “MJAFT!”, te kutia e votimit që ato të ndodhin.
Përsa i takon emërimit tim në Kinë, shumë sinqerisht, nuk kam patur kohë ta mendoj apo të përgatitem. Por vajtja atje ishte një dëshirë personale, tani që më duhet të largohem nga Shqipëria. Më duket tërheqëse të kem mundësi të jem i pranishëm në një nga qendrat më të rëndësishme të rendit të ri botëror dhe shkoj në një vend i cili me mënyra të jashtëzakonshme ka qenë në gjendje të ecë me hov e në një kohë rekord, drejt së ardhmes, duke i luajtur kartat siç duhet. Por Shqipëria dhe shqiptarët gjithmonë do të kenë një vend të veçantë në zemrën time.
Intervista juaj e fundit në Java (7 janar 2012), ka shkaktuar një valë të gjerë reagimesh në opinionin publik. Interes kanë ngjallur edhe deklarime, intervista apo fjalime të tjera tuajat. A mund të na thoni me sinqeritet, në fund të eksperiences tuaj në Shqipëri, përse ambasadori Karsten ishte kaq i veçante në komunitetin diplomatik në Tiranë?
Realisht, nuk më takon mua të gjykoj, por sigurisht që nëse zgjidhni të flisni publikisht rreth diçkaje për të cilën shumica flasin vetëm privatisht, atëherë mundet që dikush të zemërohet e ca të tjerëve t'u vijë hidhur. Por mendoj se ne, ndërkombëtarët, kemi një përgjegjësi morale dhe politike për të ndihmuar shqiptarët në përmbushjen e dëshirës së tyre për t'iu ribashkuar Evropës. Askush nuk e do dhe nuk e meriton më shumë atë. Askujt nuk i janë mohuar vazhdimisht mundësitë, si shqiptarëve. Më ka udhëhequr besimi se mënyra më e mirë për të ndihmuar është ta themi të vërtetën ashtu siç është dhe në një formë që njerëzit ta kuptojnë. Në fund të fundit, janë shqiptarët ata që vendosin për të ardhmen e tyre, prandaj duhet të jenë të informuar për sfidat.
Nëse ne, për t’u dukur të sjellshëm, përdorim në publik një gjuhë ku gjembaçët quhen trëndafila, dështimet etiketohen suksese të pjesshme dhe mashtruesit, rastësisht mbështeten si liderë, atëherë si mund të presim që populli shqiptar ta kuptojë se çfarë duhet bërë ose jo, që vendi t'i bashkohet Evropës? Si mund të presim që populli shqiptar, i cili ka qenë i izoluar me forcë për kaq kohë të gjatë dhe të cilit i ishte mohuar demokracia, të zgjedhë liderët e tij me zgjuarsi dhe të marrë vendimet e duhura, nëse qëndrojmë të heshtur kur ne e dimë të vërtetën?
Përdorimi i gjuhës diplomatike, gjatë 20 viteve të fundit, cilido të jetë justifikimi, qartësisht që nuk ka sjellë rezultatet e pritura. Shqipëria, jo vetëm që nuk është ende një anëtar i BE-së, sikurse e kishte potencialin të ishte, por ajo ka mbetur prapa edhe për marrjen e statusit për të qenë vend kandidat.
Hapi i parë për të zgjidhur një problem është ta identifikosh qartë atë. Këtë jam përpjekur të bëj. Jo të ofendoj, por të ofroj një këshillë të ndershme dhe miqësore, për të ndihmuar shqiptarët që të përmbushin qëllimet dhe dëshirat e shprehura të tyre. Kjo është sjellja daneze. Ministri im i Jashtëm për Çështjet Evropiane Nicolai Wammen, foli me të njëjtën qartësi gjatë vizitës së tij të fundit, kur u takua me politikanët shqiptarë.
Në vijm të marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, Shqipëria nënshkroi standartet evropiane, dhe aplikoi për statusin e kandidatit të BE-së, pra ekipi shqiptar vendosi ta lerë stërvitjen e të hyjë direkt në fushë. Tani është serioze. Nuk është më një detyrim thjesht moral për të folur hapur. Mendoj se është një detyrë për ata që dëshirojnë t'i shohin shqiptarët të shënojnë, e në fund të fitojnë.
Sapo kemi lënë pas zgjedhjen e kreut të shtetit. Si e keni përjetuar procesin? Sa u perputh ai me objektivin maksimal që BE dhe ju si presidencë, kishit definuar, në lidhje me mënyrën e sjelljes së klasës tonë politike dhe identiktin e kreut të shtetit? A e kaloi me sukses politika shqiptare këtë provim maturie demokratike?
Ka disa çështje këtu: E parë nga ana formale, të dyja, edhe procesi dhe rezultati ishin brenda kufijve ligjore të vendosur nga kushtetuta shqiptare, por qartësisht nuk ishin brenda frymës së asaj që ishte shkruar në letër. Rezultati tregoi gjithashtu të meta të kushtetutës aktuale, përsa i përket mbrojtjes së ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së institucioneve. Pra, duke folur nga një pikëpamje proçeduriale, zgjedhja e Presidentit ishte një hap mbrapa për democracinë shqiptare. Dhe kjo ndodh kur në sfond ka një përqëndrim shqetësues të pushtetit vitet e fundit, i vënë re nga progres raportet e BE-së dhe në disa konkluzione të tjera ndërkombëtare.
Koha do ta tregojë, nëse zgjedhja e Presidentit do të ketë efekte të kundërta mbi gjendjen e diskutueshme të demokracisë. Praktikisht, sigurimi i pavarësisë institucionale tani varet nga Z. Nishani personalisht. Pavarësisht cilësive të mira të Z. Nishani, demokracia nuk mund të jetë e varur te integriteti dhe personaliteti i një individi, prandaj, ajo që do të ndodhë me Prokurorin e Përgjithshëm, Kreun e SHISH-it dhe emërimet e ardhshme të gjykatësve, padyshim që do të monitorohet nga afër, në Tiranë dhe nga jashtë.
Në kontekstin e BE-së, zgjedhjes së Presidentit iu dha rëndësi përtej zgjedhjes së një kreu shteti.
Evropa ia bëri të qartë pa ekuivok liderëve tuaj politikë, se zgjedhja do të ishte një test lakmusi për demokracinë shqiptare dhe pjekurinë e politikës. Gjithashtu iu bë e qartë se mënyra e administrimit dhe rezultati i zgjedhjes do të ndikojë në potencialin e Shqipërisë për marrjen e statusit të kandidatit të BE-së, këtë vit. Përsëri, elementët vendimtarë të klasës politike zgjodhën të vendosin pushtetin e tyre personal mbi interesat e Shqipërisë e shqiptarëve.
Ndodhemi përballë sfidës së statusit të vendit kandidat për herën e tretë. Sa pranë këtij objektivi jemi realisht?
Në intervistat e mëparshme kam vënë në pikëpyetje vullnetin e vërtetë të klasës politike për të sjellë Shqipërinë në BE. Si mund të veprosh ndryshe, kur shumë shpesh ka një hendek mes asaj që thuhet dhe asaj që bëhet? Si mund të veprosh ndryshe, kur këshilla ndërkombëtare herë pas herë injorohet, kur premtimet thyen përherë, kur politikanët një ditë thonë një gjë dhe ditën tjetër bëjnë të kundërtën?
Fakti shqetësues është se komuniteti ndërkombëtar, për më shumë se njëzet vjet, ka harxhuar shuma marramendëse në ndihma dhe asistenca të tjera për Shqipërinë, me qëllim që ajo të hyjë shpejt në rrugën drejt Evropës. Përpjekje të ngjajshme në vendet e tjera ish-komuniste të Evropës janë kurorëzuar me sukses. Ata tashmë janë anëtarë të BE-së. Ndërsa në Shqipëri, pushtetet e rradhës, me vendosmëri kanë mbetur në vend dhe për vite me rradhë kanë hedhur poshtë shumë mundësi që iu janë ofruar. Jo me fjalë, - përkundrazi, me vepra, vepra të tëra. Kur shikoni se një sjellje e tillë shpërblehet vazhdimisht nga elektorati shqiptar, ju duhet t'i falni ndërkombëtarët që ndonjëherë ndjejnë se integrimi i Shqipërisë në BE duket si një mision i pamundur.
Shqipëria, asnjëherë nuk ka patur kaq shumë mundësi për të përparuar drejt Evropës, sa gjatë këtyre katër viteve të fundit. Përveç anëtarësimit në NATO dhe liberalizimit të vizave, më të shumtat i janë refuzuar. Përsëri, jo vetëm me fjalë, sepse gjërat e duhura janë thënë, por me ato çka vlejnë: me veprime e vepra.
Me statusin e kandidatit, praktikisht servirur Shqipërisë në një pjatë argjendi, por efektivisht i refuzuar me veprime e mosveprime gjatë gjashtë muajve të fundit, zor se mund të arrij në një përfundim tjetër nga ai që forcat dominuese në politikë nuk kanë ndonjë dëshirë reale për të futur Shqipërinë e shqiptarët në BE. Shembujt e mundësive të humbura vazhdimisht, janë të pamohueshëm.
Po tregohem tejet i drejtpërdrejtë, por mendoj se kështu duhet thënë.
Le t’i kthehem pyetjes tuaj specifike, nëse statusi i kandidatit do të jetë i mundur këtë vit:
Është ekskluzivisht e drejtë e Komisionit Evropian, nëse do ta rekomandojë statusin e kandidatit. Por, kompetencën e dhënies së tij e kanë vetëm shtetet anëtare. Secili nga 27 shtetet anëtare të BE-së duhet të votojë pro. Shumë sinqerisht, duke parë mungesën e të dhënave për përparim të prekshëm në politikë, në shtetin e së drejtës, në luftën kundër korrupsionit, ndërtimin e kapaciteteve institucionale etj., shoh se ka pak të ngjarë konsensusi mes vendeve anëtare, edhe sikur Komisioni ta rekomandojë statusin e kandidatit. Në fakt ka patur hapa të rëndësishme prapa, në të gjitha fushat. Disa spektakolare. Megjithatë ka ende kohë për mrekullira. Por duhet që qeveria shqiptare të përmbushë pjesën më të madhe të çështjeve të mbetura pezull, për arsyen e thjeshtë se qeveria dhe jo opozita, është në pushtet.
Ende kam një dritëz shprese se Shqipëria do të mundet ta kurorëzojë 100 vjetorin me statusin e kandidatit, por nuk do të tregoja të vërtetën nëse do të pretendoja se më ka mbetur shumë optimizëm, pas ngjarjeve të vitit 2012. Nuk shoh dëshmi të ndonjë vullneti politik serioz. Dëshiroj ta kem gabim, për hir të popullit shqiptar, i cili e meriton statusin e kandidatit.
Gjatë mandatit tuaj, keni qenë shumë i ndjeshëm ndaj fenomeneve negative që kalon vendi ynë. Ndër to, korrupsioni ka qenë në fokusin tuaj si diplomat. A është Shqiperia një vend më pak i korruptuar në fund të mandatit tuaj, si ambasador i Mbreterisë së Danimarkës në Tiranë?
Me keqardhje them se korrupsioni është përkeqësuar vit pas viti. Kjo nuk është vetëm një përshtypje, por është një fakt. ”Transparency International” dhe të tjerë e kanë dokumentuar prirjen në raportet e tyre vjetore. Është një kancer që ka filluar të përhapet në të gjitha nivelet e shoqërisë. Dëgjova së fundi një shembull të dhimbshëm, kur dikush ishte detyruar të korruptonte një punonjës bashkie, për një varr të një familjari të vdekur. Deri këtu ka arritur.
Megjithatë, miqtë shqiptarë janë të shpejtë kur vënë në dukje se korrupsioni në Shqipëri, nuk është dramatikisht më i lartë se diku tjetër në rajon, duke përmendur edhe disa anëtarë të BE-së, gjë që është e vërtetë. Por është pikërisht kjo arsyeja se përse zakonet korruptive të rrënjosura thellë, janë bërë mbase pengesa më e madhe për integrimin e Shqipërisë në BE.
Shumë evropiano-veriorë, e shikojnë krizën në Evropë, si të shpërthyer nga sëmundjet e kulturës politike të Evropës së Jugut, dhe ata e ndiejnë se kanë paguar një faturë astronomike, për ta nxjerrë Jugun nga problemet e shkaktuara nga vetë ai.
E drejtë ose jo, nuk do të gjeni asnjë mirëkuptim për hapjen e derës së BE-së ndaj një vendi që qeveriset nga një klasë politike e cila nuk ka treguar ndonjë vullnet të qartë për të luftuar korrupsionin, rryshfetin ose mashtrimin, apo për të bashkëpunuar. Është fare e paimagjinueshme për disa vende anëtare të BE-së, mbartja e problemeve të tjera sot.
Do të tregohem edhe më i sinqertë, sepse pasojat rrënuese të korrupsionit për perspektivën e ardhshme të Shqipërisë zor se janë kuptuar plotësisht, edhe nga shqiptarët që kanë përvojë jashtë vendit.
Korrupsioni është një krim, edhe sipas ligjit shqiptar. Çdokush i përfshirë në korrupsion është një kriminel. Thjeshtë dhe qartë. I tillë është dikush që tejkalon kufirin e lejuar të shpejtësisë, parkon në mënyrë të paligjshme apo tymos në restorante. Nga përvoja ime shumë shqiptarë priren ta shohin korrupsionin e zakonshëm si një krim të papërfillshëm. Nuk ndodh kështu në vendet e Evropës veriore, përfshirë Danimarkën, ku korrupsioni përbën një krim shumë të rëndë. Korrupsioni shihet me përbuzje të thellë dhe fajtorët janë të destinuar për të hyrë në burg për sjellje të pahijshme, të cilat në Shqipëri nuk do ta bënin ndonjërin as të ngryste vetullat.
Vetëm mund të spekuloj se përse ka kaq ndryshim dramatik në perceptim. Ndoshta ndodh sepse sensi i komunitetit së shqiptarëve dhe fatit të përbashkët është ende në lulëzim. Shumica e shqiptarëve ende nuk e vlerësojnë faktin se ata janë pasagjerë të të njëjtës varkë; që korrupsioni është grabitje publike, pra vjedhje publike nga xhepat e vetë atyre. Shumica e njerëzve nuk e bëjnë lidhjen mes stilit modern të jetës së politikanëve që kanë zgjedhur, automjeteve luksoze, vilave në plazh dhe kushteve mjerane të shkollave e spitaleve. Fatmirësisht duket se ka një frymë kombëtare në rritje dhe shpresojmë që kjo do të çojë në një tolerancë më të vogël ndaj korrupsionit në çështjet publike.
Siç duket, korrupsioni rrallë ndiqet penalisht por edhe më rrallë dënohet, edhe në rastet më flagrante. Çdo shqiptar e di këtë, sikurse edhe ndërkombëtarët. Edhe ne i ndjekim rastet, por fatkeqësisht sistemi shqiptar i drejtësisë ka një tendencë shqetësuese për të dështuar, edhe atëherë kur duhet të kishte orën e tij të suksesit. Ky duket se është një problem në rritje.
Korrupsioni, veçanërisht, minon besueshmërinë e klasës politike, e cila vazhdimisht pretendon se i shërben interest publik dhe që drejton popullin shqiptar drejt BE-së.
Korrupsionin lulëzon në politikë, siç e dimë të gjithë. Pra, krimi lulëzon në politikë. Nuk bëhet asgjë as për ta mbuluar atë. Pa dyshim që nuk them se politikanët në përgjithësi janë kriminelë e të korruptuar. Njoh shumë, të cilët i konsideroj përfaqësues të ndershëm dhe të përkushtuar të popullit shqiptar, dhe këta i gjen në të gjitha partitë politike, në të gjitha nivelet e politikës. Por është jashtëzakonisht shqetësuese të shohësh një numër politikanësh shqiptarë, që hapur shesin mend me pasurinë e tyre, të cilën çdokush e di që nuk mund ta kenë fituar me punë të ndershme. Jo vetëm sepse ata janë në gjendje t’ia hedhin paq, por edhe se njerëz të tillë zgjidhen, urohen madje edhe konsiderohen si të përshtatshëm, edhe për postet më të larta të shtetit.
Pyetja që nuk e dëgjoj ta bëjë askush, por të cilën votuesit shqiptarë dhe analistët politikë me të vërtetë duhet të kishin filluar ta drejtonin prej kohësh është kjo: A ka ndonjë mundësi që politikanët e korruptuar, pra kriminelët, ta udhëheqin këtë vend drejt BE-së?
Përsëri, po tregohem ekstremisht i drejtpërdrejtë, por mendoj se këto duhen thënë.
Kultura politike shqiptare duhet të ndryshojë dramatikisht, në këtë aspekt, me qëllim që Shqipëria të bëjë një hap përpara. Dhe nevoja për ndryshim është e fortë. Përsa kohë që edhe njerëzit e ndershëm e të respektuar, përfshirë këtu personalitete, duket se nuk e kanë problem të shoqërohen me persona me reputacion të dyshimtë, me lidhje të njohura me botën e krimit të organizuar dhe të lëndëve narkotike, shoh pak arsye për optimizëm. Ku shkuan moralët?
Pra korrupsioni ka pasoja të rënda politike, por edhe më të rënda janë pasojat për ekonominë. Jo vetëm sepse një perspektivë e shëndetshme, ka një efekt të drejtpërdrejtë mbi dëshirën për të investuar në Shqipëri por sepse korrupsioni në shumë vende përbën krim për një kompani, edhe kur ajo angazhohet jashtë vendit. Kështu ndodh në SHBA, Danimarkë dhe shumë ekonomi të tjera të përparuara. Pa anjë dyshim kjo është një nga arsyet kryesore se përse relativisht pak nga koorporatat e klasit ndërkombëtar, kanë përfaqësi apo janë të angazhuara direkt me Shqipërinë. Spektri i korrupsionit i mban ata larg.
BE ka nënvizuar shpesh si mjaft shqetësues, fenomenin e mosdënueshmërisë (impunity). A keni një ide, përse është kaq e vështirë në Shqipëri, që të dënohet një zyrtar i lartë i korruptuar?
Sigurisht që kjo nuk ndodh për faj të ligjeve, mungesës së provave apo mjeteve për ushtrimin e ligjit. Ka disa shkaqe:
Së pari, parimi i shtetit të së drejtës dhe drejtësia për të gjithë, ende nuk ka zënë rrënjë në shoqërinë shqiptare. Lidhjet personale dhe pushteti duket se marrin përparësi mbi atë që është e drejtë apo mbi atë që thotë ligji. Shumica e shqiptarëve duket se në heshtje e pranojnë që ka një palë rregulla për njerëzit me pushtet dhe para, si dhe një palë rregulla krejtësisht të ndryshme për veten e tyre. Vini re trafikun, ku vetëm makinat e vogla duket se janë në shënjestër. Të paktën ende nuk kam parë një Mercedez luksoz apo një automjet me targë ”Z” që të ndalohet apo të bllokohet, kur në mënyrë flagrante thyen rregullat në sy të punonjësit që ushtron ligjin. Dhe në rastet kur punonjësi i policisë apo ndonjë nënpunës civil përpiqen të zbatojnë ligjin tek njerëzit me pushtet (sikurse duhet të veprojnë sipas ligjit), ata do të përfundojnë të ndëshkuar personalisht, ose do të qortohen publikisht se trajtuan një figurë publike si çdo qytetar tjetër, ashtu siç ndodhi në një rast që tërhoqi vëmendjen e medias vitin e kaluar.
Së dyti, sistemi i drejtësisë është molepsur nga korrupsioni, dhe ka shembuj të panumërt gjyqtarësh që ia hedhin paq dhënies së vendimeve skandaloze, për çështje apo padi penale të lidhura me politikën, disa edhe kohët e fundit. As ajo çka ka mbetur nga media e pavarur nuk është se bën shumë në ndjekjen e rasteve të tilla të padrejtësisë së jashtëzakonshme, e cila qartësisht në fytyrën e saj ndesh presion të panevojshëm, korrupsion apo më keq. Dhe shpesh nuk është e vështirë për të hetuar: Kur një gjyqtar i paguar relativisht pak është në gjendje të blejë një makinë të re luksoze apo të shkojë në udhëtime të shtrenjta private jashtë, atëherë duhet të ngrejë një seri pyetjesh, sikurse duhet të ndodhë për këdo që punon në zyra publike apo në politikë.
Megjithatë, kam frikë se kultura kriminale korruptive, ka arritur një masë kritike, ku edhe armiqtë ndajnë të njëjtin interes që drejtësia të mos ushtrohet, sidomos për çështje të bujshme, nga frika e efektit domino. Duke parë se si funksionon Shqipëria, nuk është e habitshme se përse janë të paktë e të rrallë, prokurorët e gjyqtarët që kanë kurajën e nevojshme për t’i dhënë fund këtyre rasteve.
Sidoqoftë, kultura e mosndëshkimit e të pasurve e të pushtetshmëve, jo vetëm që dëmton reputacionin e sistemit të drejtësisë dhe minon demokracinë, por dëmton rëndë reputacionin e Shqipërisë jashtë vendit. Pasojat politike dhe ekonomike janë të konsiderueshme.
Përtej korrupsionit, a shihni probleme të tjera të lidhura me mënyrën sesi funksionon politika në Shqipëri, të cilat shpjegojnë mbetjen larg objektivit të integrimit europian?
Po, mendoj se shumë mund të shpjegohet me hendekun e rritur shpejt midis kërkesave të një shoqërie moderne në krijim dhe prapambetjes së politikës.
Ndërsa Shqipëria ka parë një rritje ekonomike të pabesueshme dhe ndryshime në shoqëri, veçanërisht gjatë dekadës së fundit, politika duket se ka mbetur në të shkuarën të cilën shumica e vendeve të tjera ish-komuniste e kanë lënë pas, shumë vite më parë. Panorama politike shqiptare pothuajse është e padallueshme nga ajo e vitit 1991, në një kohë që vendet e tjera kanë kaluar disa breza politikë. Mënyrat dhe mjetet e vjetra nuk janë harruar. Ato duhen lënë mënjanë me qëllim që Shqipëria të ecë drejt të ardhmes. E kaluara nuk është rruga drejt të ardhmes, përkundrazi është një pengesë për të dhe populli shqiptar duhet ta kuptojë këtë.
Mbase pa u çuditur jam ndeshur me mungesën e dëshirës së politikës për të konfrontuar historinë edhe pas 20 viteve, mbase sepse për të e kaluara nuk është ende histori. Unë personalisht kam mbrojtur hapjen e arkivave të SHISH disa herë. Ka rënë në vesh të shurdhër në të gjitha qarqet dhe lind pyetja përse, kur edhe vendet e tjera ish-komuniste e kanë bërë këtë me sukses dhe shpesh e kanë parë këtë si një gur mbështetës drejt ecjes përpara. Përpjekjet e para për lustracion në Shqipëri qartësisht i shërbyen interesave personale apo partive politike, pavarësisht se çfarë emri iu vu. Shumë sinqerisht ato kanë thirrur shpirtin e të shkuarës, më shumë sesa të ardhmen.
Sa jetik është kufizimi i korrupsionit, po aq jetik është fshirja e gjurmës së Enver Hoxhës nga manuali i politikës shqiptare. Jo vetëm për perspektivën e Shqipërisë në BE, por edhe për të ardhmen e demokracisë shqiptare dhe rritjes së vazhdueshme ekonomike të vendit.
Reformat janë bllokuar sërish nga vullneti i munguar i partive të mëdha. A besoni se do të kemi zgjedhje të ndershme vitin e ardhshëm?
Shumë sinqerisht kam dyshim. Problemi me zgjedhjet shqiptare nuk është ligji, por vullneti për ta zbatuar atë. Siç e kam thënë më parë, ligji danez është një broshurë, në krahasim me ligjin shqiptar, që ka madhësinë e një libri. Ligji danez funksionon sepse çdokush punon për të respektuar gërmën dhe frymën e tij. Ligji shqiptar nuk respektohet, as teksti as fryma e tij, pra nuk mendoj se ka rëndësi se çfarë shkruhet për të penguar keqpërdorimin, sepse zgjuarsia njerëzore gjithmonë do e gjejë mënyrën për të mashtruar, nëse ka këtë qëllim.
Është e qartë që ligji aktual zgjedhor përmban dispozita problematike, për shkak se doli më tepër nga një marrëveshjeje politike mes dy partive kryesore, sesa nga një përpjekje serioze për të gjetur një zgjidhje të drejtë e demokratike, që i përshtatet panoramës politike shqiptare.
ODIHR jo vetëm që dha sugjerime për ligjin, por edhe vlerësoi organizimin administrativ si thelbësor për zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme. Në veçanti raporti i ODHIR-it kritikoi ashpër funksionimin partizan të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, përfshi rolin e kryetarit të tij. Në dritën e përfundimeve të nxjerra nga ODHIR, e gjykoj si të pakuptueshëm faktin se, si kryetari dhe anëtarët e komisionit, nuk dhanë menjëherë dorëheqjen, siç do të ndodhte në shumicën e vendeve me të cilat Shqipëria aspiron të krahasohet. Zgjedhjet me komisionin aktual qartësisht nuk mund të pretendojnë shumë legjitimitet, sipas raportit të ODHIR-it. Përveç kësaj, ODHIR gjithashtu kritikoi funksionimin e kolegjit zgjedhor dhe përfundimet e tij hodhën dyshime mbi funksionimin e kolegjit si trup gjykues i drejtë dhe i ndershëm. As kjo nuk do të ishte e pranueshme në një vend që pretendon të jetë një demokraci.
Por fatkeqësisht, sikurse e pamë gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2011, në fund, nuk duket se ka shumë rëndësi se çfarë thotë ligji. Ajo çfarë ka rëndësi në Shqipëri, është se kush ka shumicën dhe kush administron rregullat. Kjo nuk është demokraci apo shtet i së drejtës. Këtë fakt nuk e ndryshon as ndryshimi i tekstit në letër. Vetëm ndryshimi në mentalitet mund ta bëjë këtë gjë. Vetëm atëherë Shqipëria mund të pretendojë se është më tepër se një demokraci në krijim.
Jeni shprehur në intervistën tonë të fundit, se sheshi Skënderbej ju dukej si një ngërdheshje. A i qendroni sërish këtij mendimi?
Jam i sigurtë se çdokush do të ishte dakord që sheshi “Skënderbej” sot është një vend shumë më i mirë, sesa ishte vitin e kaluar. Megjithatë mendoj se disa e keqkuptuan çështjen e përgjithshme që u mundova të ngrija. E përdora sheshin “Skënderbej” kryesisht për të shpjeguar sesi duhet të silleni në mënyrë të përgjegjshme kur merrni një dhuratë, nëse do të dëshironit të merrni edhe një tjetër.
Arkitektë të mirënjohur ndërkombëtarë bënë një projekt të klasit botëror për sheshin. Kuvajti me bujari pranoi të paguajë. Sikurse fatkeqësisht nuk është e pazakontë në sjelljen shqiptare, lidershipi i ri në Tiranë vendosi të ndryshojë çdo gjë, sipas informacioneve të mia, pa ndonjë konsultim ose analizë dhe me një kosto të madhe për Tiranën dhe taksapaguesit e saj. Nëse është e vërtetë, kjo është një lloj sjelljeje që pritet vetëm nga shoqëritë me të cilat Shqipëria nuk dëshiron të krahasohet.
Cilado të jetë e vërteta, pasoja trishtuese është se shumë nga emrat e arkitekturës ndërkombëtare, që tani e tutje, ka të ngjarë t'u qëndrojnë larg projekteve shqiptare. A do të mendonte një Mikelanxhelo modern të ofronte talentin e tij, nëse rrezikohej që kryeveprat e veta të prisheshin apo më keq: të shpërfytyroheshin nga amatorët? A ka të ngjarë që qeveri të huaja të rreshtohen për t'i dhuruar Shqipërisë në këto rrethana?
Por sheshi nuk është shembulli i vetëm. Projekti i ri për të kombinuar Xhaminë me Qendrën Kulturore, i projektuar brenda mundësive që mund të përballonte Tirana, gjithashtu u braktis. Ishte projektuar nga BIG, një firmë arkitekturore daneze e klasit ndërkombëtar. Kur një firmë e tillë i ka duart e zëna me projektimin e ndërtesave në vendet më prestigjioze të botës, zgjedh t’i dhurojë talentin e saj unik të ardhmes së Shqiptërisë, shumica do ta pranonte këtë dhuratë me mirënjohje e përulje. Ka të ngjarë që Tirana kurrë nuk do të jetë në gjendje të tërheqë apo të paguajë tarifat e një kompanie të tillë si BIG.
Realizimi i projektit do të garantonte një numër të jashtëzakonshëm turistësh nga e gjithë bota jo vetëm se ai është projetktuar nga BIG, por edhe për bukurinë e tij. Por projekti u hodh menjëherë poshtë. Nuk kam dëgjuar apo parë dikë që të ketë idenë më të vogël për vlerën që u hodh në koshin e plehrave të Bashkisë. A ka gjasa që një kompani e një kalibri të tillë të ”harxhojë” kohën e saj të çmuar për Shqipërinë përsëri?! Nuk po përpiqem të kapem me lidershipin e Tiranës në veçanti, edhe pse për mua është jashtëzakonisht trishtuese kjo që ka ndodhur, sepse Tirana në shumë kuptime është edhe fytyra e Shqipërisë jashtë. Mund të gjeni shembuj të ngjashëm në qeveri apo në bashki të tjera, me lloje të tjera ndihmash apo grantesh të huaja, të cilat nuk u shfrytëzuan për atë që ishin destinuar apo shpresohej të përdoreshin.
Megjithatë e kuptoj vështirësinë e të diskutuarit se “ju nuk e dini se çfarë keni humbur”, kur ajo që keni marrë është shumë më e mirë nga ajo që kishit. Fatkeqësisht ky është kuptimi i shumë mundësive të humbura gjatë këtyre 20 viteve. Shqiptarët panë përparimin që nuk i afrohet fare progresit që ata meritojnë, apo që mund të kishin patur, nëse politikanët e tyre do të kishin vepruar në interes të popullit e kombit të tyre. Tani pasuritë e shqiptarëve po shterrojnë. Dhuratat janë më të pakta e më të vogla. Ekonomia publike, e cila virtualisht ishte pa borxhe, kur unë mbërrita 4 vite të shkuara, tashmë është mes vendeve të rajonit që janë të zhytur në borxhe. Arka e shtetit po boshatiset dhe Shqipëria duhet t'i drejtohet vendeve shumë të largëta për të kërkuar kredi dhe grante. Duke e vazhduar politikën e vjetër, vetëm sa shpejtohet një prirje e cila ka marrë shpejtësi vitet e fundit. Fatkeqësisht populli shqiptar do të jetë ai që do të vuajë i pari dhe më shumë pasojat. Shumica e shqiptarëve tashmë i ndjejnë vështirësitë e kohëve të ndryshurara.
Në intervista të mëparshme, ju keni trajtuar edhe fatin e Piramidës dhe disa objekteve të tjera turistike në Shqipëri. A shihni motive për optimizëm në gjendjen e tyre aktuale?
Po dhe jo. Shqipëria është një vend i mahnitshëm, me bukuri natyrore, por fatkeqësisht kanë mbetur pak shembuj të çmuar që dëshmojnë trashëgiminë e saj. Me trishtim shoh që thesaret e mbetura të Shqipërisë, po shkatërrohen me shpejtësi nga ndërtimet e pakontrolluara, ndotja e plehrat. Shpesh ndjej se të gjitha gabimet e mundshme që mund të bëhen nga një ekonomi në zhvillim, po bëhen këtu, për shkak të mungesës së lidershipit politik në interesin kombëtar.
Megjithatë, vitet e fundit, kam ndjerë një rritje të ndërgjegjësimit të shqiptarëve në lidhje me atë që po ndodh me vendin e tyre. Dhe një numër gjithnjë e më i madh prej tyre po përpiqet të bëjë dicka, psh për mbeturinat që shpërfytyrojnë pjesën më të madhe të bukurisë së Shqipërisë. Mbeturinat janë gjëja e parë që shumica e vizitorëve vënë re. U ngazëlleva kur pashë protestën publike atëherë kur nxitej aktivisht shkatërrimi i pikës unike të referimit të Tiranës, Piramidës. Është trishtuese që zërat kanë heshtur disi, ndërkohë që Piramida e zhveshur nga mbulesa e saj e shkëlqyer, e mermertë, është lënë të shkatërrohet nga neglizhenca, pavarësisht se është një gur i çmuar arkitekturor dhe një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e trashëgimisë së trazuar të Shqipërisë.
Shqetësimi publik në lidhje me çfarë po ndodh në pjesën e Parkut, që lidhet me liqenin e Tiranës, është një tjetër shenjë që shqiptarët po fillojnë të shqetësohen për mjedisin e tyre rrethues. Polemika tregon se qytetarët nuk pranuan në heshtje shkatërrimin e ambjentit të tyre. I ngjashëm është rasti i thirrjes së referendumit mbi ligjin që lejon importimin e plehrave nga jashtë, i cili përbën një shqetësim të madh e të kuptueshëm. Nëse del jashtë Tiranës, shikon disa shembuj bashkish të ndryshme që udhëheqin duke u përpjekur të ruajnë, rindërtojnë dhe të korrigjojnë gabimet e të kaluarës. Më lejoni të përmend Korçën e Shkodrën, por ju gjeni rreze shprese në gjithë Shqipërinë. Pra, ndërgjegjësimi është dukshëm në rritje.
Çështja është se mos është shumë vonë. Shumë fshatra të Shqipërisë dhe jo më pak vija e mahnitshme bregdetare, janë dëmtuar në mënyrë të pariparueshme. Ka ende vende të pashkatërruara, por shumë prej tyre, ndërsa ne flasim, po rrënohen për brezat e ardhshëm, nga ndërtimet dhe shfrytëzimet e ligjshme ose jo të ligjshme.
Por shqetësimi im më i madh është katastrofa mjedisore që kanos neglizhenca totale e sfidave mjedisore të një ekonomie në rritje. Politikanët kanë mbyllur sytë përpara kostos së rritur të mjedisit dhe si pasojë populli shqiptar do të përballet me një faturë të jashtëzakonshme. Jo vetëm për kushtet ekonomike, por edhe për problemet shëndetësore të shkaktuara nga ndotja, përdorimi i pakontrolluar i lëndëve të rrezikshme etj. Në fakt shqiptarët po e paguajnë çmimin. Numri i rasteve të kancerit po rritet në mënyrë dramatike. Sigurisht që ndërkombëtarët vazhdimisht kanë paralajmëruar për këtë situatë, por janë ndeshur me mungesën e vullnetit të pushteteve të rradhës. Më lejoni ta ilustroj. Agjensia shqiptare përgjegjëse për kontrollin e standarteve mjedisore në gjithë Shqipërinë, ka vetëm një automjet në dispozicion. Krahasojeni këtë me numrin e automjeteve që “nevojiten” për të lëvizur nëpunësit e lartë civilë nga një vend në tjetrin. Agjensia ka më shumë se 150 punonjës. Vetëm 14 prej tyre janë të kualifikuar me arsimin përkatës. Kjo është politika shqiptare në gjendjen e saj më të keqe.
Ju u shprehët në fillim të intervistës tuaj, se ishit optimist për të ardhmen e Shqipërisë, por shumë nga ato që ju thatë, duket se pasqyrojnë trishtim dhe pesimizëm të thellë. Si e komentoni këtë?
E vërteta është se kam ambivalencë rreth të ardhmes. Nga njëra anë kam një besim të jashtëzakonshëm në cilësitë e popullit shqiptar. Me të vërtetë mendoj që shqiptarët kanë atë që u duhet për t'u hedhur drejt të ardhmes. Me të vërtetë besoj se Evropianët mund të mësojnë shumë e të përfitojnë nga ribashkimi i shqiptarëve me Evropën. Nga ana tjetër jam shumë i deziluzionuar nga administrimi që klasa politike i bën pasurive të Shqipërisë për këtë brez dhe brezat e ardhshëm. Nuk mendoj se brezat e ardhshëm të shqiptarëve do t’u ngrenë monumente për të kujtuar politikanët që e dominuan politikën shqiptare gjatë këtyre 20 viteve të fundit. Nuk ka Skënderbej në politikën shqiptare sot, sikurse ka thënë një nga kolegët e mi të mëparshëm, ca kohë më parë.
Në këtë aspekt më duhet të pranoj se jam habitur nga ngurrimi i popullit shqiptar për t'u ngritur për të drejtat dhe interesat e tij. Nuk mendoj se ndonjë popull tjetër evropian do të kishte reaguar ndaj ngjarjeve të 21 Janarit, ashtu siç reaguan shqiptarët. Nuk mendoj se shumica e evropianëve do të pranonin nivelet e korrupsionit dhe padrejtësinë që ju shikoni në Shqipëri, pa reaguar. Nuk besoj se ndonjë popull tjetër evropian do të pranonte në heshtje që mjedisi i tij të shkatërrohej për shkak të përfitimit dhe lakmisë personale. Por më e habitshme është se elektorati shqiptar, herë pas here, vazhdon të zgjedhë të njëjtët njerëz, të cilët nuk e gëzojnë aspak respektin e tij. Kjo është e vështirë për t’u kuptuar nga unë dhe mendoj edhe nga çdokush tjetër që e ka demokracinë të ushqyer me qumështin e nënës. Pavarësisht kësaj, jam optimist. Tani që shqiptarët mund të udhëtojnë të lirë dhe ta shikojnë vetë se çfarë është Evropa, kam frikë se gjithnjë e më shumë ata do t'i përkthejnë përvojat e tyre të udhëtimit në kërkesa politike në vend. Sa më shpejt aq më mirë. Unë, sikurse edhe vendi që përfaqësoj, dëshirojmë që kombi shqiptar t’i bashkohet BE-së sa më parë.
Mbase dikujt mund t’i duket e çuditshme që një vend mijëra kilomentra larg interesohet per mirëqenien e një kombi e populli me të cilin ka relativisht pak lidhje. Por Danimarka ishte mes kampionëve të parë të zgjerimit të NATO-s dhe BE-së, në një kohë kur shumicës së të tjerëve ideja iu duk si budallallëk e çmenduri. Danimarka mbrojti faktin që zgjerimi dhe integrimi ishin zgjidhja për rritjen e stabilitetit, përparimin dhe paqen në Evropë dhe ne shpejt zgjatëm dorën tonë, për të ofruar ndihmë dhe asistencë kundërshtarëve tanë të mëparshëm, pas rënies së regjimeve komuniste . Në Ballkan, Danimarka ishte mes të parëve që investuan fuqishëm për përparimin dhe stabilitetin e rajonit, duke dhënë ndihmë dhe asistencë dhe me mjete ushtarake. Në jetë, në ndihmë, në krahë pune, Danimarka ishte mbase mes kontribuesve kryesorë, duke marrë parasysh madhësinë tonë të vogël. Një numër i konsiderueshëm i kombit tonë të vogël, ka përvojë nga ndihma në Ballkan, përfshirë në Shqipëri.
Prandaj Danimarka ka një interes real për ta parë Shqipërinë t’ia dalë. Jo vetëm për të ruajtur investimet tona të konsiderueshme në të ardhmen e rajonit, por edhe sepse është pjesë e frymës tonë kombëtare të ndihmojmë, kur të tjerët kanë nevojë. Danimarka renditet në tre kombet e para që jep ndihmë për zhvillim ndaj vendeve të tjera. Aktualisht shumica e ndihmës tonë është përqëndruar te shqiptarët në Kosovë, por mendoj se do të shikoni në vitet e ardhshme që ne do të intensifikojmë përpjekjet tona për të ndihmuar shqiptarët në Shqipëri në terma më konkretë. Nëse hasim problem prirja jonë natyrale është të ofrojmë ndihmë, por edhe ju duhet të ndihmoni veten.
Pak ditë më parë, Ministri im tha për një televizion shqiptar: “Nuk ka biletë falas për në Evropë”. Për të hipur në tren klasa politike duhet të përmbushë premtimet. Dhe ne shpresojmë që ata ta bëjnë këtë, sepse ende është e mundur. Shqiptarët nuk e meritojnë të shohin një tren tjetër t’u ikë nga stacioni, drejt begatisë evropiane, për shkak se politikanët e tyre vazhdojnë të venë interesat e tyre të ngushta politike mbi interestat e kombit.