Karta e Adriatikut-SHBA Arvizu Aleanca te pranoje anetare te rinj kur ata te jene gati

'Karta e Adriatikut-SHBA', Arvizu: Aleanca te pranoje anetare te rinj kur ata te jene gati

Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar sot konferencën “Karta e Adriatikut-SHBA”, ku temë kryesore ka qenë forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar si garanci e suksesit të kësaj karte. Në konference morrin pjesë  edhe delegacione nga vendet e rajonit si: Bosnja, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe si dhe nga shoqëria civile.

Në fjalën e tij, kreu i Kuvendit Ilir Meta u shpreh se rritja dhe intensifikimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit rrit sigurinë e në Evropën Juglindore.

“Në kontekstin e një krize ekonomike globale që ka tundur themelet e sigurisë ekonomike të vendeve anëtare të BE-së, dhe për rrjedhojë ka rritur sfidat e parametrave të sigurisë të gjithë Evropës, shpreh bindjen e thellë se bashkëpunimi mes vendeve tona merr një dimension të veçantë. Në këtë kuadër rritja dhe intensifikimi i bashkëpunimit konkret ndërparlamentar përfaqëson një peshë të rëndësishme dhe mbi të gjitha një rol të veçantë në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore”, -u shpreh Meta. 

Ndërsa kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Spartak Braho, e cilësoi nismën mbarëballkanike të Kartës së Adriatikut, një histori suksesi, e cila, sipas tij, bëri të mundur anëtarësimin e suksesshëm të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Ai vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve në suksesin e Kartës, e cila vazhdon të kontribuojë në mënyrë aktive.

I pranishëm ishte edhe ambasadori i SHBA-ve Alexander Arvizu, i cili theksoi vendosmërinë e palëkundur të SHBA-ve për të vijuar politikën e dyerve të hapura të NATO-s. Sipas ambasadorit Arvizu, Karta e Adriatikut kontribuon për një Evropë të lirë dhe në paqe.

“Ripohojmë përkushtimin tonë të përbashkët për të luftuar korrupsionin dhe krimin dhe për të mbrojtur të drejtat njeriut dhe liritë civile për të gjithë individët në rajon. Aleanca mundet dhe duhet të pranojë anëtarë të rinj kur ata të jenë gati”, -u shpreh ambasadori amerikan.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama