Karta e studentit është ende një proces i papërfunduar për studentët e Tiranës, por kjo sipas Bashës, jo për neglizhencë të Bashkisë. I ftuar para dy ditësh në Universitetin Europian të Tiranës, kryebashkiaku Lulzim Basha u pyet nga të rinjtë e këtij universiteti për mundësinë e pajisjes me këto karta, të studentëve të universiteteve private, të cilët deri tani nuk mund të përfitojnë nga uljet në pagesa për shërbime të ndryshme, përfshirë pajisjen me abone për transportin urban. “Në raport me çështjen praktike, u kemi kërkuar universiteteve private që të nënshkruajnë marrëveshjen me Bashkinë e Tiranës për Kartën e studentit, që studentët të përfitojnë nga kjo kartë, me të cilën do të zëvendësohet procesi jotransparent i aboneve të studentit, që shpesh abuzohet dhe çon në konflikte të vazhdueshme të shoqatës së transportit urban me Bashkinë e Tiranës. U bëj thirrje universiteteve që të përfundojnë procedurat. Ne e kemi prioritet zëvendësimin me shpejtësi të abonesë me Kartën e studentit. Do të modernizohet edhe procesi i aboneve dhe biletave, që mund të karikohet me kredi ose të marrë vlerën e aboneve dhe do të jetë projekt që do të mbarojë brenda vitit të ardhshëm”, i është përgjigjur Basha interesimit të studentëve.
Ai shprehu bindjen e tij që studentët shqiptarë, qofshin në universitete publike apo jopublike, duhet të përfitojnë njëlloj nga fondet e grumbulluara nga taksapaguesit shqiptarë. “Studentët janë studentë kudo ku shkojnë dhe brenda mundësive të mia jam përpjekur të mos ketë asnjë diskriminim dhe statusi i universiteteve private të barazohet me atë të publikeve. Ka akoma rrugë për të bërë. Të gjitha universitetet kanë të drejtën të mbështeten njëlloj nga fondet e taksapaguesve shqiptarë”,- u shpreh Basha. Çështja e trajtimit të barabartë të studentëve të universiteteve publike dhe jopublike është ngritur dhe më parë, mbështetur në faktin që prindërit e tyre paguajnë njëlloj taksa dhe njëlloj duhet të përfitojnë prej fondeve të tyre. Për sa i takon çështjes së kartave studentore, në faqen e Bashkisë së Tiranës thuhet që deri tani Bashkia ka nënshkruar marrëveshjet e bashkëpunimit me pesë universitete publike dhe është në pritje të nënshkrimit të memorandumeve të bashkëpunimit me universitetet jopublike që veprojnë në kryeqytet, pasi ato janë hartuar tashmë. Në këtë fazë janë edhe memorandumet e bashkëpunimit me Bankën e Shqipërisë, Postën Shqiptare dhe mjaft subjekte private të kryeqytetit.