Karta identiteti te rreme per te vjedhur bi?ikletat e Ecovolis

Karta identiteti te rreme per te vjedhur bi?ikletat e Ecovolis
Praktikisht nëse nuk do të ishin zëvendësuar në kohë të gjitha biçikletat e vjedhura apo dëmtuara, tashmë nuk do të kishte më asnjë biçikletë në stacionet Ecovolis. Plot 70 biçikleta nuk janë kthyer ose më mirë janë vjedhur që nga 25 Marsi i këtij viti, kur filloi dhe shërbimi Ecovolis. Mesatarisht 10 biçikleta në muaj ose 2.5 në javë. E matur në përqindje , do të ishte 100 % e biçikletave të vjedhura. Nuk mund të lëmë pa përmendur 27 rastet e mbetura në tentativë vjedhje, vetëm në saj të këmbënguljes dhe guximit të skuadrës Ecovolis për t’i shkuar deri në fund, ose më saktë në shtëpitë e tyre dhe për t’u përballur me situate nga më të çuditshmet.

Sa për të qeshur dhe për të ardhur keq ishte rasti i Eduardit, i cili e kishte lënë peng biçikletën Ecovolis, në një qebaptore të Tiranës pasi nuk mund të paguante darkën. U detyruam të paguanim darkën e tij për të marrë sërish mbrapsht biçikletën.

Si ka mundësi kaq shumë vjedhje dhe kush janë ata që i vjedhin? Biçikletat Ecovolis mund të merren në dy mënyra; Nëpërmjet kartës së identitetit, (mënyra më e shpeshtë e përdorimit) dhe kartës Ecovolis. (mënyra nëpërmjet anëtarësimit). Natyrisht që anëtarësimi është një mënyrë e shumë prej përdoruesve të biçikletës për të mbështetur këtë nismë dhe për të ecur bashkë në përmirësimin e shërbimit, prandaj ngelet shumë pak hapësirë ose aspak që dikush të anëtarësohet për ta vjedhur.

Marrja e biçikletës nëpërmjet kartës së identitetit ngelet dhe mënyra më pak e kontrollueshme. Rasti I X-it me vendlindje Sheq, Musa Lalaj të Fierit apo Y-it Berishë Vendi të Pukës, janë rastet tipike të atyre që vjedhin biçikletat ecovolis. Me vendbanim rezultojnë në fshatrat respektivë, por realisht kanë vite që kanë lëvizur dhe tashmë ndodhen në Tiranë ose rrethinat e saj, sërish në lëvizje. Praktikisht për të gjetur një vendbanim të përafërt të këtyre personave do të duhej të interesoheshim në vendlindjen e tyre pranë të afërmve. E provuar disa herë dhe pa rezultat, të afërmit e tyre shpesh nuk dinë nëse këta njerëz janë në Tiranë apo jashtë Shqipërisë. Me shtëpi rri në Kamëz – thotë dikush, por do lëvizte….

Ku shkojnë biçikletat e vjedhura?

Pasi i heqin siglat dhe parafangon ecovolis, biçikletave ju ndërrojnë ngjyrën dhe shëtisin lirisht në periferi të kryeqytetit, jo rrallë herë dhe bulevardit apo bllokut. Jo pak prej tyre shiten për pak lekë nga njerëz nevojtarë apo përdoren për mbledhjen e kanoçeve gjatë ritualit riciklues të natës. Denoncimi në polici tashmë është kthyer në një ritual të pashpresë pasi nuk përbën krim “serioz”. Në disa raste arrijmë t’i gjejmë këta persona nëpërmjet facebook dhe të marrim biçikletat mbrapsht nëpërmjet komunikimit apo “kërcënimit” se mund të jenë të kërkuar në facebook.

Vlen këtu për t’u përmendur dhe stacioni Ecovolis në kampingun e Jal-it këtë verë. 20 biçikletat e këtij stacioni në fillim të korrikut u reduktuan vetëm në 10 të tilla në fund të gushtit kur u mbyll stacioni. Në këtë garë vjedhjesh të biçikletave nuk ngelen më pas as stacionet Ecovolis në qytetin bregdetar të Durrësit. Jo më pak janë dëmet nga përdorim vandal i biçikletës. 21 biçikleta me trupat e thyer të dala jashtë funksioni dhe qindra disqe të shtrembëruar.

Ecovolis ka shërbyer si një biçikletë kursantësh për shumë të rinj dhe të reja të cilët kanë mësuar hapat e parë të pedalimit me këtë biçikletë, duke u rrëzuar disa herë dhe normalisht duke lënë jo pak pasoja në shërbimin Ecovolis. Shumë të tjerë i janë rikthyer pedalimit pas shumë vitesh me daljen e ecovolis dhe e kanë përdorur atë si një mjet për të shfryrë adrenalinën e tyre në një pedalim të “tërbuar” që mund të shkatërronte dhe biçikletat më të forta Mountain Bike. Me qindra janë rastet që ecovolis përdoren shtigjeve të pakalueshme nga biçikleta enkas për terrene të vështira, (mountain bike) duke i shkatërruar disqe e duke shtrembëruar trupat e tyre.

Duke qenë një nismë sa sociale dhe mjedisore, vetë ecovolis ka pasur një konflikt në penalizimin e këtyre rasteve. Duke qenë një nismë që synon të krijojë frymën “biçikletë” dhe kulturën e përdorimit të saj, kemi pasur për detyrë tolerimin e shumë prej këtyre dëmeve, të cilat i kemi kompensuar me punën e palodhshme të servisit Ecovolis. Një punë që fillon herët në mëngjes dhe shpesh përfundon në mesnatë.

Raste të ngjashme me Ecovolis

Por një situatë e tillë nuk është unike vetëm për rastin e Ecovolis. Statistika të frikshme rezultojnë nga sistemi i biçikletave me qera Velib, në Paris. Dy vitet e para të shërbimit Velib, janë vjedhur 8000 biçikleta dhe 8000 të tjera janë dëmtuar në atë masë që ishte e domosdoshme zëvëndësimi i tyre. Drejtuesi i përgjithshëm i programit Velib’ është shprehur se është e pamundur të përballohen kosto apo një situatë e tillë vetëm nga një biznes. “Kjo është një çështje që lidhet me rendin publik. Nëse do duam që Velib të vazhdojë, duhet të ndryshojmë modelin e biznesit”-shprehet Mr. Pheulpin. Situata e krijuar nxiti bashkëpunimin e Bashkisë së Parisit, e cila përveç angazhimit përmes policisë, kontrubuoi duke lehtësuar kostot për çdo biçikletë të vjedhur. E njëjta situatë paraqitet edhe në Britaninë e madhe, Montreal e disa shtete te tjera Europiane. Rezultatet e vjedhjeve ndërlikohen gjithnjë e më shumë sidmos në programet e biçikletave me qera në Universitete. Në një nga universitetet amerikane u prezantua shërbimi me 300 biçikleta, në fund të ditës nuk u kthye asnjë biçikletë në stacion.

Tashmë beteja e parë është e fituar. Kjo nismë arriti të përballej me mosbesimin e shumë qytetarëve për funksionimin dhe ndryshimin që mund të sillte në lëvizjen e qytetarëve. Ndryshe nga shumë sisteme të tjera të super financuara dhe të dështuara nga vjedhjet, vandalizimi apo mospërdorimi, Ecovolis arriti me shuma modeste financimi, kryesisht në materiale siç ishin dhe vetë biçikletat, që të mbijetojë dhe të punësojë plot 20 të rinj dhe të reja.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama