Pelegrinët që kishin marrë rrugën për t’u ngjitur në Malin e Tomorit ishin të shumtë. Edhe këtë vit ata kanë ndjekur ritet dhe besimin që u kanë lënë të parët. Të premten (22 gusht) këtë vend e shkeli edhe Presidenti i vendit, Bujar Nishani. Ai erdhi, përshëndeti pjesëmarrësit me fjalimin e radhës, dëgjoi disa këngë nga grupi polifonik i zonës, e gostitën për pak minuta brenda në Tyrbe, bëri fotografi me mikpritësit dhe u largua me helikopter. Ndërsa të tjerët, të tjerët që kishin shtruar çadrat në të katërt anët e Malit të Tomorit (2417m), kishin ardhur nga rruga e pashtruar me gërmadha-gërmadha. Nga ajo rrugë që nuk mund të ngjitej nga të gjithë automjetet, sepse mund të ngelnin rrugës. Kishte edhe nga ata që kishin ardhur me makina të rastit, me makina që gjatë ditës bënin rrugën nga Berati në Malin e Tomorit (7 mijë lekë personi për 30-40 km). Shumë prej tyre natën e kishin gdhirë aty sepse, duhej që të flinin një natë ose më shumë që t’iu quhej mundimi që kishin bërë, por edhe t’u plotësoheshin lutjet që shprehnin. Ata fillimisht ndiznin qirinjtë, bënin kurban një qengj 1 vjeç dhe prej tij merrnin shenjën e gjakut për të lyer ballin. Sipas legjendës, kështu mund mbroheshin nga ligësitë dhe paudhësitë dhe në rrugën e tyre do të ketë vetëm mirësi. Këto janë ritet që ndjekin besimtarët që shkojnë atje, çdo gjë e kishin me të dëgjuar, sepse organizimi dhe informimi fetar nga përfaqësuesit bektashianë ishte i vaktë.
Zalo Qato, sekretar i gjyshatës bektashiane në Skrapar tregon për “Shekulli”-n se, këto janë ditët më të lumtura për bektashinjtë që shkojnë në Malin e Tomorit dhe bëjnë pelegrinazhin. “Këtu vijnë mijëra njerëz nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova. Çdo familje ther një kurban dhe e pjek në hell për ta konsumuar gjatë kohës që qëndron këtu, ndërsa gjakun e fal për t’i dhënë besimin dhe ndihmën e tij Abaz Aliut. Deri më sot janë bërë 7500 kurban, çdo gjë ka qenë shumë e mirë, rruga ka qenë shumë e mirë dhe njerëzit kanë qenë të kënaqur. Ditët më të lumtura po i kalojnë shumë mirë. Çdo gjë ka kaluar në mënyrë të shkëlqyer në këtë pelegrinazh”, shprehet ai. Por çfarë ndodh në Malin e Tomorit? Çfarë ka ndërtuar mëma natyrë dhe çfarë dora e njeriut? Këtë e shikojmë nga afër te vendi i kasaphanës, aty ku kasapët mbajnë veshur vetëm një jelek fosforeshent. Rexhep Kajrua, 84-vjeçari që prej 25 vjetësh ushtron këtë profesion tregon se, këto ditë ka zbarkuar nga Tirana për në Malin e Tomorit sepse, pavarësisht se është pensionist, atij i duhen lekët. “Unë besoj shumë sepse edhe kur kam qenë i vogël unë këtu kështu bëhej. Lindte dielli dhe prehej thika, perëndonte dielli dhe lihej thika. Kurse tani bëjmë si të duam. Unë kam tërë natën pa gjumë dhe mund të ther 20-25 krerë në ditë”. Për shtrimin e rrugës Kajrua thotë se: “Çështjen e strehimit e ka mundësuar feja për këta punonjës, por rruga lë shumë për të dëshiruar. Duhet që rruga të bëhet me asfalt sepse, këtu lekët i hedh populli, populli të mbyt me lekë”. Nuk ishin të pakët njerëzit që ndiznin qirinj për të gjithë të afërmit e zemrës dhe problemet që kishin. Bati, një zotëri rreth të pesëdhjetave nga Mallakastara tregon se, për të është hera e shtatë që vjen në këtë vend tërheqës. “Kam ardhur edhe më parë këtu, në këtë vend të shenjtë. Zoti i bekoftë të gjithë, marrshin të gjithë nga bekimi i Baba Tomorit. Na ndihmoftë të gjithëve”, thotë ai. Për ritet tregon se, secili i bënë sipas besimit që ka, por një nga vështirësitë më të mëdha ngelet rruga.
Arbeni është nga Fieri dhe këtë festë e konsideron si një festë të madhe për të gjithë besimtarët e kësaj zone, për të gjithë ata që shkojnë për të festuar. “Unë personalisht kam mbi dhjetë vjet që vij këtu sepse gjej rehati shpirtërore. Më duket se, këtu fitoj më tepër qetësi në vetvete, gjej besimin tim. Hyjmë brenda në vendet përkatëse dhe taksim diçka nga shpiri ynë, aq sa kemi mundësi”. Therja e kurbaneve për të është një gjë e mirë, por për papastërtitë duhet të ketë më tepër rregull, për këtë duhet të kujdeset komuna apo personat që janë përgjegjës. Mes të moshuarve gjen edhe të rinj. Një djalë rreth të njëzetave ka ardhur nga qyteti i Durrësit. Për të nuk është hera e parë që ngjitet në Malin e Tomorit. Ai tregon se shkon atje sepse e tërheq vendi i shenjtë.
“Më tërheq vendi i shenjtë në radhë të parë dhe mendoj se këtu çdo gjë është e shenjtë, prandaj kam fjetur dy ditë”. Një vajzë rreth 20 vjeçe nga Berati tregon se, ngjitet në Malin e Tomorit për çdo festë, sepse edhe të parët e saj e kanë bërë këtë gjë. Ajo tregon se, shkon me dëshirë edhe se i pëlqen kjo gjë. Ritet që ajo zbaton janë: “Bëjmë kurban dhe pas ndezjes së qirinjve hyjmë ku janë varret me këmbën e djathtë që të puthim vendet e shenjta”. Nga Teqeja e Tetovës kishin ardhur një grup njerëzish, të cilëve natën u ishte dashur ta gdhinin në Berat, pasi nuk kishin pasur automjet për t’u ngjitur në Mal të Tomorit. Njëra prej tyre shprehet se: “Unë vij nga Teqeja e Tetovës, që është një ndërtesë shumë e bukur. Nuk është hera e parë që vij këtu dhe çdo vit e shikoj se bëhen punime në këtë vend malor. Kemi ardhur qysh mbrëmë, dhe do të rrimë këtu deri në mbylljen e manifestimit”. Besimtarët që ngjiteshin deri në skajin më të lartë në Çukë për të parë varrin me turbën e të përndriturit, atit shpirtëror të bektashizmit Baba Abaz Aliut, fillimisht uleshin te dera në gjunjë, hynin për pak minuta brenda, puthnin varrin dhe hidhnin atë çfarë kishin taksur, ndërsa në kthim merrnin pak sheqer. Jashtë kësaj ndërtese ndodheshin çobanët që shisnin qengjat, ndërsa pak më tej ishte një prej kasapëve që në mes të lëkurave të endura në tokë, në mes të zorrëve dhe mushkërive të qengjave të therur më parë, vazhdonte të punonte normalisht. Këtë e quanin kurban çobanët e zonës, kasapët, por edhe përfaqësuesit fetarë që nuk kishin bërë as mundin më të vogël për të shmangur këto pamje që për vizitorët lënë shije të hidhur.
Natasha Karafilaj
Natasha Karafilaj vjen për herë të parë në Malin e Tomorit nga qyteti i Fierit. Ajo tregon se nuk është një frekuentuese e rregullt e vendeve të shenjta, por kësaj here ka marrë udhën për t’u ngjitur deri majën më të lartë të Tomorit.
“Ne vijmë nga qyteti i Fierit. Është hera e parë që kam ardhur te Mali i Tomorit. Thonë se është një vend i mirë, ku mund të heqim hallet dhe vuajtjet. Unë në fakt jam e helmuar sepse vajza më është ndarë nga jeta në moshën 24-vjeçare. Ne, jo se nuk kemi besuar pasi vazhdimisht themi : “O Zot i madh”, por nuk i frekuentojmë si shumë njerëz të tjerë këto vende. Kësaj here thashë që ta bëja edhe unë këtë rrugë, me djalin, bashkëshortin dhe me kunatin. Për mirë kemi ardhur dhe sot (22 gusht) do të ikim, kemi mbërritur këtu gjatë mbrëmjes së djeshme (21 gusht), por nuk kemi mundësi që të rrimë më gjatë, pasi edhe gjendja ime shëndetësore nuk ma lejon këtë”.
Tyrbja
Studiuesi Mark Tirta për Panteonin e Tomorit 2000-vjeçar tregon se, nga burimet e dy shekujve të fundit që kanë parë pelegrinazhet e gushtit në festën e Tomorit, janë vënë re flijimet dhe dhuratat në Çukën e Kulmakut. Gjithnjë është parë Tomori si vend kulti me besime e legjenda mitike, për hyjnitë e kultit të Dodonës, të një periudhe parahistorike dhe për shenjtorët e tij të bektashizmit në katër shekujt e fundit. Në Kulmak ndodhet teqeja e ngritur në vitin 1916. Në Çukë ndodhet varri me turbën e të përndriturit, at shpirtëror të bektashizmit Baba Abaz Aliu hero i fesë në fushën e Qerbelasë në Mesopotami ku ka varrin dhe tyrben origjinale. Kulti i Abaz Aliut ka hyrë në Shqipëri prej 1600-ës. Më 1880-ën u ndërtua varri i tij që në fakt përmban një dorë dhe nga varri i tij origjinal. Ka 300 vjet që shërben si vend pelegrinazhi.
Teqeja
Shqipëria, pas Turqisë, është atdheu i dytë i bektashizmit botëror. Në vitin 1925 selia qendrore e bektashizmit botëror u zhvendos në Tiranë, pas mbylljes së urdhrave të dervishëve të dekretuar në Greqi nga Ata Turku. Bektashizmi buron nga një prej doktrinave mistike të baballarëve turkmene të përhapura në shekujt XI-XII, që nga deti Kaspik deri në Anadoll. Themeluesi i tij është Haxhi Bektashi, edhe ai një baba turkmen i ndikuar shumë nga doktrinat e mistikut persian Ahmet Jasevi. Bektashizmi zhvillohet në Turqi ku me kalimin e kohës merr një kuptim të rëndësishëm nga ana politike, sepse është i lidhur ligjërisht me korpusin e jeniçerëve. Besonin në shpëtimin e shpirtit dhe si tendencë ishin panteist (ata që besojnë se Zoti është kudo). Në Shqipëri bektashizmi ka përfaqësuar një lloj islami alternativ dhe më pak formalist.