Kaseta e datelindjeve e zotit dhe zonjes Pasko

Kaseta e datelindjeve e zotit dhe zonjes Pasko
Kush lind në një ditë, në një ditë vdes. Po nuk ka qenë frika nga një besëtytni që në shtëpinë e Mitrush Kutelit të mos festohej kurrë datëlindja e tij dhe e të shoqes, Efterpit. Të dy janë lindur më 13 shtator, si sot. Zonja Nënë, siç e prezanton Efterpi Paskon e bija Atalanta, jeton në katin përdhe të një pallati të viteve tetëdhjetë në një rrugicë të “Gjon Buzukut, bashkë me Doruntinën vajzën e pleqërisë.

Në dhomën e pritjes gjen nga një mobilje të çdo epoke zhvillimi të mekur që njohu Shqipëria. Karriget e pajës që mori me vete nga Korça vajza e Skendëve, me ndenjësen e veshur me damask mbahen më të forta se ato të Pogradecit. Kanë ndjekur çiftin në poshtepërpjetat e një jete që s’mori për mbarë prej rrethanave ku e futën vendin udhëheqësit e regjimit të ri pas Luftës së Dytë Botërore.

Kur njeriu është i vrarë shpirtërisht, si mund ishte 13 shtatori? “Nuk e festonim fare. Në atë kohë nuk festoheshin datëlindjet e grave. Pastaj u bënë fëmijët, kështu që për veten tonë nuk mendonim të festonim dhe nuk ishte ndonjë gjë e madhe.”

Efterpi Pasko është lindur në vitin 1922 të kësaj date shtatori, ndërsa Dhimitri, siç e thërret ajo me zërin e ulët, është lindur në vitin 1907 të një dite shtatori që ajo saktë nuk e ka ditur. Sepse i shoqi s’ia pat treguar dhe në dokumentet e tij data e lindjes nuk ishte asnjëherë. “Dhimitri e dinte ditëlindjen time, ma përmendte dhe ma uronte, por dhuratë prej tij merrja për festën e gruas jo për 13 shtator. Dhe kur u bënë dhe fëmijët ai i mblidhte mënjanë, çuçurisnin gjersa vendosnin, fshehur që të mos e kuptoja unë se çfarë dhurate do të më bënin. Një shall, një parfum, këto që ishin të kohës edhe të moshës që unë i përdorja.”

Një shall bojëkaf me lule, zonjës Efterpi i ka mbetur akoma. Siç i ka mbetur nga vitet bashkë një nga dy “Rosinantët”, biçikletat që i përdornin për shëtitje të gjata pasdreke nga Tirana në Durrës, në rrugë që i kufizonin fusha, kodrina dhe horizonti.

Ndërsa gruaja kërkon skena e kujtime nga njëzet vjet me një nga shkrimtarët origjinalë dhe shumë shqiptar të letërsisë shqipe, vajzat Pasko sjellin ndërmend komodinën me erëra të mira e pudra, një vend eksplorimi në fëmini për bukurinë, ndërsa sot një objekt që e fut kujtesën në një qarkullim kapilar brenda trupit të kohës, emocioneve, ndjenjave të vetvetishme e të pashpjegueshme.

Te prindërit, Efterpi kishte traditë ta festonte datëlindjen me bukëvale. Ishte një familje e vjetër, me emër të mirë e të respektuar në Korçë. Vajzë e vetme ndër gjashtë djem trashëgimtarë nga familjet Skendi, ndoqi shkollën “qytetse” që iu jepte vajzave të reja kulturën e të qënit grua shtëpie dhe nënë.

Njohja ndodhi në një ditë ngushëllimi për mort te njerëzit e vajzës. “Dhimitrin e pashë vetëm nga sytë. Kishte sy të butë.”

Fjala e pëlqimit u dha shumë shpejt dhe më 28 prill 1946 vunë unazat. “Koha e rinisë që ishte fillimi filloi e prapë për ne”, përsërit zonja Efterpi.

Dr. Paskoja konsulent pranë Bankës Kombëtare Shqiptare për çështjet e monedhës, prej fundit të vitit 1943 deri në tetor 1944, e kishte mbrojtur pasurinë e vendit nga grabitja e radhës dhe u ndoq nga nazistët, të cilët donin ta varnin përpara Bankës. Pikërisht këtë kërcënim ai e përmend në testament. Dhimitër Paskoja dha dorëheqjen nga posti i tij drejtues në bankë në gusht 1946, mbasi nuk mund të pajtohej me një politikë financiare në dëm të vendit të vet: nuk pranoi kursin e monedhës lek-dinar.

Jetonin me qira në pallatet Shallvare kur arrestohet dhe dënohet në maj 1947 me pesë vjet heqje lirie si “Armik i Popullit” për antisllavizëm dhe “nxitje të armiqësisë me popujt fqinjë”. Dërgohet në kampin e Vloçishtit ku përfunduan dhe dy burra të familjes Skendi  e ku të burgosurit u shfrytëzuan për tharjen e kënetës së Maliqit.

Në një intervistë zonja Efterpi përshkruan një moment të dhimbshëm e të paharrueshëm: “Pasi u njoha me vendimin e gjyqit, unë shkova në Korçë. Qëndrova te njerëzit e mi disa ditë dhe u ktheva përsëri në Tiranë. Në zonën e Qafës së Thanës, makina në të cilën udhëtoja u shkëmbye me autokolonën që transferonte të dënuarit për në kampin e Vloçishtit. Dhimitri që ishte ulur në karrocerinë e njërit prej kamionëve  më dalloi sipër karrocerisë së makinës ku kisha hipur, pasi na ishte prishur makina me të cilën u nisëm nga Korça dhe më thirri në emër. Sa e pashë, i thirra dhe unë. E përshëndeta dhe vazhdova rrugën për në Tiranë.” (Panorama, qershor, 2011).

Vloçishti përmendet nga kampet më të zinj të punës së detyruar ku të burgosurit kanë gjetur vdekjen nga keqtrajtimi. Dhimitër Pasko mendonte se nuk do të kthehej gjallë dhe i shkruan së shoqes që do të ishte më mirë të shikonte jetën e saj: “Pra hidhe hapin guximtar/ Ndaj jetës së gëzuar/ Dhe më harro këtu, në varr/ Të vdekur pa mbuluar.”

Letrat që i dërgon të shoqes nga burgu ndodhen në shtëpinë e zonjës Efterpi e ndoshta një ditë, kushedi, do të shohin dritën e botimit.

Më 28 prill 1949, jepet një amnisti nga e cila fiton edhe shkrimtari. Edhe atë ditë e mban mend mirë zonja. E kishte zakon t’i çonte punët në drejtim të Rrugës “Fortuzi” ku ndodhej Burgu i Tiranës. Përpara Burgut sheh një grumbull njerëzish që kalonin nga një dorë në tjetrën gazetën “Zëri i Popullit”. E mori dhe ajo dhe në listën e të falurve ishte emri i Dhimitër Paskos. “Ai e dinte që dikush e priste. Njerëzit e tij ishin në Progradec. U hap dera e burgut dhe e pashë të dilte i qetë. Mbante të njëjtin kostum që kishte veshur kur kishte hyrë në burg. Kurrë nuk foli për burgun. Çfarë ka ndodhur në Vloçisht unë tani po i marr vesh nga njerëzit.”

Familja Pasko bëhet me tre anëtarë. Jetojnë njëfarë kohe në Hotel “Donika” derisa morën një shtëpi të vogël ku jetojnë me fëmijët Polikseni, Atalanta, Pandeli dhe Doruntina. Shëtitjet me babain për te Kafe Flora, dhe shfaqjet e filmave në kinema me të ëmën ndërkohë që ai punonte në shtëpi, kanë mbetur një kujtim dhe për ta.

Në vitin 1952 Dhimitër Pasko, autor i Ago Jakupit, Tat Tanushit, I vdekuri dhe i gjalli, Rinë Katerinëza, Natë Qershori, Lugetërit e fshatit tonë etj., autor që i ishte mohuar e drejta e botimit, njohës i disa gjuhëve të huaja, punësohet “përkthenjës me normë” në shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Përkthen nga letërsia rumune, ruse, turke, kineze, persiane, arabe. “Norma ishte e rëndë”, tregon zonja Efterpi. “Qëllonte që kur kishte në dorë Frymë të vdekura nuk mund të përkthente qoftë dhe një faqe. Më thoshte: Kokën e kam plotë po s’jam i zoti.” Ajo e ndihmonte me daktilografimin e dorëshkrimeve në një “Olivetti”.

Një mik i familjes, arkitekti dhe përkthyesi Petraq Kolevica, përshkruan një skenë si kjo te Paskot: “Në atë kuzhinën e tyre të vogël e kam parë vetë sesi Efterpi, nga vendi pranë makinës, ku qepte gjithçka që i duhej shtëpisë e fëmijëve, ndiqte me vëmendje gjellën që ziente përmbi sobë. Kur mbaronte me këto dy punë, kthente karriken nga tryeza, ku ishte makina e shkrimit dhe ia niste daktilografimet e përkthimeve të përgatitura nga Mitrushi, në mënyrë që edhe ajo të nxirrte ndonjë lekë më shumë për ato shtatë gojë të asaj familje. Pas vdekjes së parakohshme të Mitrushit ajo punoi për disa vjet si daktilografiste për të nxjerrë bukën e fëmijëve ende të parritur.”

Dhimitër Pasko ndërroi një mesnatë të vitit 1967 të cilën zonja Efterpi e kujton përditë. Nëse për një të gjallë mund të quhet ngushëllim që njeriun e zëmrës tashmë të vdekur ta ketë pranë si të gjallë, zonja Efterpi u ngushëllua që Dhimitri kishte shkruar në testament këto fjalë: “Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogradec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është!”

 

Vepra më e dashur

“E madhe është gjëma e mëkatit – Tat Tanushi i Bubullimës” është vepra më e dashur e zonjës Efterpi. E ka lexuar disa herë dhe arriti ta shohë dritën e botimit pas gati gjysmë shekulli nga koha e shkrimit më 1947.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama