Në ditën kur Federata Spanjolle e Futbollit zyrtarizoi largimin e Visente Del Boske nga pankina e Spanjës, Iker Kasijas vendosi të bënte paqe me trajnerin i cili e la në pankinë gjatë Euro 2016.
Del Boske deklaroi dy ditë më parë se Kasijas nuk ishte sjellë mirë me të dhe me stafin e përfaqësueses që nga momenti kur ata kishin vendosur ta ulnin në stol për të bërë De Gean titullar.
Por portieri ka shuar çdo polemikë me një mesazh në rrjetet sociale, duke lënë të kuptohet se mes tij dhe trajnerit ishte sqaruar gjithçka pas një takimi të zhvilluar në zyrat e Federatës Spanjolle.
Ai ka postuar një foto përkrah trajnerit që do të marrë detyrë tjetër brenda Federatës. "Sot në mëngjes, në Qytetin e Futbollit (Zyrat e federatës). 25 vite së bashku dhe shumë që na presin! Një përqafim Mister! Paç fat!", ishin fjalët e portierit.