Z. Kasoruho, keni qenë vetëm 17 vjeç kur ju arrestuan e ju dënuan se “deshët të rrezonit pushtetin”. Dikush ju spiunoi edhe juve. Ç’ndjesi ju shkaktojnë këto histori ku “spiunë” apo dëshmitarë, janë shkrimtarët?
Në vitin 1949 ne ishim një grup djemsh 16-17 vjeçarë dhe kishim ëndrra të asaj moshe e dëshirën e madhe për të jetuar në liri. Liria që trumbetohej aq shumë ato vite, nuk ishte liri. Ndaj, ngritëm krye dhe shkruam e shpërndamë disa trakte në qytete të ndryshme. Ai regjim ishte aq i fortë dhe në mënyrë aq kapilare gjurmonte shoqërinë e kohës, sa pa u mbushur tre muaj nga shkrimi i traktit të parë, filloi arrestimi i grupit tonë. E kuptova që kishin rënë në gjurmët tona, kur shikoja në rrugicën e shtëpisë njerëz të dyshimtë që më gjurmonin dhe më ruanin edhe kur kthehesha nga shkolla. Nuk e dija ç’bëhej me shokët e mi, se ata jetonin njëri në Shkodër e tjetri në Himarë. Ditët e para të arrestimit mësova nga hetuesit që ishin arrestuar edhe ata. U takuam vetëm ditën e gjyqit, 11 muaj mbas izolimit.
Kur lexoj këto ngjarje të të tjerëve, më kujtohet historia ime dhe e shumë të tjerëve që i kam njohur nëpër burgje, një pjesë e mirë e të cilëve ka vuajtur shumë më tepër se unë.
Një nga çështjet më të përfolura së fundmi është ajo “Kongoli”, ç’mendoni për gjithë këtë zhurmnaje? Është kjo e justifikuar apo janë të gjitha debate të “kota”?
Nuk ka asnjë arsye pse të përgojohet apo të qortohet rrëfimi i Fatos Kongolit, pasi, në fund të fundit, nuk është se ka hapur me të padrejtë ndonjë dosje, nuk është se ka shkelur ndonjë ligj për trajtimin e tyre, por ishte, besoj, një përpjekje morale e tij për të çliruar vetëdijen nga ajo që ai e quante peshë e rëndë, dhe besoj se ka qenë i sinqertë. Për sa kohë Kongoli e tregoi me mjete artistike në romanin “Kufoma” këtë lloj historie, nuk u paragjykua nga askush. Në fund të fundit, romani e ka vlerën edhe pse edukon. Ta vësh në shtyllën e turpit Kongolin për një gjest kaq të guximshëm, do të thotë të kesh frikë nga e vërteta dhe ta paragjykosh atë.
Debatet e zhvillojnë dhe e pasurojnë mendimin shoqëror. Kam përshtypjen se mënyra se si u zhvillua debati nuk ishte rruga më e drejtë dhe më e mençur. Nuk besoj që Kongoli vetë të ketë dashur ndarjen e përshtypjeve dhe të mendimeve në dy fusha krejt të kundërta dhe as nuk besoj ta ketë pritur një gjë të tillë, sepse nuk ma do mendja që njeriu t’i vejë “njollën e turpit” vetes, vetëm e vetëm për të siguruar një shitje të librit. Mendoj se ky është një pohim absurd i këtij debati.
Si ju duket rrëfimi i Kongolit? Një gjest qytetar, një pastrim ndërgjegjeje, një megalomani….?
Në rastin e rrëfimit të Kongolit më vjen në mendje ai proverbi që thotë: “Preferoj më mirë një të vërtetë të hidhur, sesa një gënjeshtër lajkatare”
Ju e njihni personalisht Kongolin, keni përkthyer libra të tij. Ju është dukur si një njeri që kishte brenga nga e shkuara, që kishte “skelete në dollap”?
Nuk besoj se ka njeri që të mos ketë “skelete të ndryra në raft”. E rëndësishme është që të gjejnë guximin e t’i afrohen të vërtetës. Kongoli e ka bërë.
I biri i Hysenil Dumes (ku Kongoli ka dale dëshmitar) është shprehur se Kongoli ka bërë ndjesë publike, por nuk u ka kërkuar atyre falje. Mos do të kishte qenë më e udhës një falje personale, se sa kaq publike?
Në këtë mënyrë si veproi Kongoli, pati guximin që tejkaloi ndjesën personale, duke i dhënë një mësim shoqërisë shqiptare me shembullin se është një lloj më e lartë ndjese – ajo publike. Arsyeja e thjeshtë të shtyn të mendosh se një ndjesë publike si ajo e Kongolit është shumë më e vështirë të bëhet sesa një personale që do të ishte mbyllur në qerthullin e pak familjarëve.
Po bëhen ca si shumë shkrimtarët e artistët që kanë dalë si dëshmitarë të rremë nëpër gjyqe apo kanë qenë agjentë të sigurimit. Vërtetë kaq shumë kanë qenë?
Këto histori më kujtojnë një tregim të Aleksandër Manxonit, ku rrëfen për një fshatar që shkonte në qytet të shiste pulat e veta. Të gjitha i kishte lidhur në fije njërën pas tjetrës. E fundit çukiste atë më sipër se kujtonte se e kishte lidhur ajo, e dyta pulën sipër saj, e kështu me radhë. Nuk e kuptonin të gjorat se litarin që i kishte lidhur e mbante fort i zoti i kotecit të tyre e të gjitha ishin destinuar për t’u therur.
Ishte një sistem që funksiononte me mjeshtëri djallëzore për të shpërfytyruar çdo tipar të njeriut: moralin, dinjitetin, personalitetin. Shkrimtarët ishin pjesë e këtij populli e mbi ta rëndonte e njëjta peshë diktature si mbi gjithë të tjerët. Nuk kam të drejtë të gjykoj në kanë qenë shumë apo pak, por çdo rast i çdo historie ka pasur rrethanat e veta specifike, të cilat sot është e vështirë të kuptohen, në mos krejt e pamundur, po aq sa mbesat apo nipi im nuk arrijnë të kuptojnë se si është e mundur që gjyshin e tyre e kanë futur në burg vetëm pse shkroi e shpërndau tre fije trakti kundër pushtetit.
Keni njohur të tillë (agjentë, dëshmitarë) apo gjatë kohës së burgut, njerëz të dënuar pikërisht për shkak të këtyre dëshmive, apo spiunimeve?
Habitem edhe vetë pse mbaj mend dhe nuk jam i zoti t’i resit nga kujtesa emrat apo fytyrat e hetuesve, gjyqtarëve, prokurorëve, më shumë sesa emrat e atyre mjeranëve që u zvetënuan moralisht të detyruar nga rrethana që vetëm këto dy kategori njerëzish i dinë.
Megjithatë, ashtu si e kam thënë edhe në libër, nuk harroj të kujtoj gjithmonë me mirënjohje ish-gardianin Muharrem Sotomani, që jo vetëm më ndihmoi në birucë, por edhe pas gjashtëdhjetë vjetësh kur e takova, ai më dha një mësim tjetër humanizmi me fjalët që i kam ende në vesh: “Ligji ishte ligj, por e kishte në dorë njeriu se sa do t’i shtrëngonte prangat në dorën e të burgosurve”
Për hapjen e dosjeve ka mendime nga më të ndryshmet. Ç’mendoni? Është koha për të ndërmarrë një akt të tillë apo mund të shpërthente ndonjë “luftë e vogël civile”, sepse dosjet mund të zbulojnë çudira…?
Në shumë vende të botës arkivat dhe përdorimi i tyre rregullohet me ligj. Besoj se edhe këtu kështu duhet të veprohet për t’i dhënë fund shpërdorimeve, aq më shumë publikisht. Kjo edhe për t’i prerë rrugën insinuatave që bëhen me qëllim të paracaktuar dhe diskriminues për njerëz të ndryshëm. Duke kombinuar shkronja të alfabetit, mund të “prodhohen” mijëra e mijëra spiunë apo dëshmitarë nëpër gjyqe. Jam i mendimit se shoqëria jonë vlen të njihet me faktin dhe të mësojë se janë zhvilluar me qindra gjyqe dhe me mijëra dënime për të mbajtur në këmbë atë lloj diktature se nuk e pati shoqen në Europë.
Kongoli na tregoi për një gjyq të tillë. Le të mësojmë nga libri i Kongolit dhe i të tjerëve vlerën e së vërtetës, e cila nuk duhet harruar asnjëherë.