Kastraveci vrases ja se si mos te prekeni nga bakteri

'Kastraveci vrases', ja se si mos te prekeni nga bakteri
Në vendin tonë nuk ka asnjë rast të infektuar apo të supozuar me bakterin Esheria-Coli. Ky i fundit është një tjetër bakter i rrezikshëm, që po përhpet me shpejtësi në të gjithë botën dhe po merr jetë njerëzish. Esheria-Coli është bakteri i radhës që kërcënon jetët tona pas virsuit AH1N1 (gripi i derrit) dhe gripit të shpendëve, dy vite më parë. Ky bakter mësohet të jetë përhapur nga zarzavatet, konkretisht nga kastraveci i importuar. Si fillim ai u shfaq në Gjermani, vend ku dhe u shënuan viktimat e para, ndërkohë që aktualisht është përhapur edhe në vende të tjera të Evropës.

Rreziku zero

Shqipëria nuk ka asnjë rast të prekur me bakterin vrasës Esheria-Coli. Lajmi është konfirmuar dje nga vetë ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili gjatë një konferencë për shtyp, duke iu referuar emergjencës që ka përfshirë Europën në lidhje me përhapjen e kësaj epidemie. Duke bërë me dije se në vendin tonë nuk ka asnjë rast të infektuar apo të supozuar me këtë sëmundje, ministri Vasili theksoi se të gjitha institucionet shëndetësore janë porositur që të operojnë si në një gjendje emergjence. I pyetur nga mediat se sa rrezikon Shqipëria që kjo sëmundje të përhapet, ministri Vasili theksoi se rreziku në këtë moment për një përhapje në vendin tonë është zero.

Ministri Vasili

"Shqipëria nuk kemi importe nga këto vende ku është shfaqur bakteri pasi kemi pasur importe nga rajoni. Shqipëria është vendi më pak i rrezikuar por kjo nuk duhet të thotë të mos jemi vigjilencë në lidhje me këtë sëmundje”,theksoi Vasili duke shtuar se është shpejt për ta përkufizuar këtë sëmundje si një epidemi por shfaqja e saj dhe stina e ngrohtë tregon se duhet të jemi vigjilentë në lidhje me sëmundjen. Gjithashtu, ministri Vasili theksoi se duhet të merren masa të forta higjieno-sanitare që nisin që me larjen e perimeve, larjen e mjeteve të kuzhinës dhe mbajtjen e higjenës vetiake duke larë duart me sapun.

Si mjekohet

Specialistët e shëndetësisë thonë se në këto raste antibiotikët nuk ndihmojnë, përkundrazi, nëse vriten bakteret, atëherë çlirohen më shumë toksina. E vetmja mënyrë luftimi është dializa, pra pastrimi mekanik i gjakut. Që prej ditës së premte mjekët e Spitalit Universitar në Hamburg po e aplikojnë për shpëtimin e 6 pacientëve rëndë një medikament me antitrupin Eculizumab. Ky mund të ndihmojë kundër insuficiencës së veshkave. Bari, së pari, bllokon një pjesë të sistemit imun, atë të komplementit dhe së dyti, nëpërmjet kësaj, ulet shkatërrimi i qelizave të gjakut dhe mpiksja e tij. Se sa efektiv do të jetë ky bar, kjo do të vërtetohet në vazhdim.
Përhapja
Ndërkohë në Europë po shtohet paniku nga bakteri Esheria-Coli. Pas Gjermanisë, ku numri i viktimave shkoi në dhjetë, ai rezulton të jetë përhapur edhe në Suedi, Danimarkë, Britani, Holandë e Austri.

Pyetje dhe përgjigje mbi bakterin vrasës

1. Pse preken më shumë femrat sesa meshkujt?

Mendohet që femrat merren më shumë me përgatitjen e vakteve gjë që rrit mundësinë e prekjes.

2. Duhet të heqim dorë nga përdorimi i frutave dhe perimeve?

Jo, por duhet t’i blini ato nga prodhues të vendit të cilët i njihni.

3. Çfarë masash paraprake duhet të kihen parasysh?

Frutat dhe perimet e gjalla të lahen mirë me ujë të vakët, ose më mirë të zihen, sepse kjo vret bakteret.

4. Duhet të përdorim disinfektues të tjerë për të pastruar frutat dhe perimet?

Jo, sepse ato mbeten në lëkurë dhe ju i hani.

5. A janë kastravecat e tregtuara me qese të mbrojtura?

Jo, sepse ato vishen me celefon direkt dhe nuk lahen.

6. Si mund të ruhemi nga infektimi me bakterin?

Merrni masa të rrepta të higjienës. Mjetet e gatimit si thika, vendi i punës, aparatet e ndryshme të kuzhinës duhet të pastrohen mirë. Lani duart për 20 sekonda me sapun. Pas përdorimit të tualetit dhe kontaktit me kafshët, lani duart.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama