“Mjeshtri i Madh” Kastriot Tusha, këngët e interpretuara në koncertin recital “100 vjet romanca shqiptare” me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, kësaj herë i sjell për publikun në një libër. Janë 9 romanca të ripunuara, të rindërtuara dhe të riinterpretuara në versionin e orkestruar për një formacion kamertal, që në të ardhmen do të mbeten një gur i çmuar në arsenalin e trashëgimisë sonë kulturore dhe për identitetin tonë kombëtar. Në një bisedë për “Shekullin”, tenori Kastriot Tusha tregon rreth botimit të këtij libri dhe rëndësisë që ka ky botim për artistët e rinj. Njëkohësisht pjesë e fondit të bibliotekës së Fakultetit të Muzikës është edhe libri “Të luajmë së bashku”, i profesor dr. Isak Shehut.
“Tenori Tusha, me zërin e tij karakteristik ka interpretuar me shumë sukses në të gjitha gjinitë vokale, duke filluar nga opera deri te romanca e kënga. Përvoja shumëvjeçare dhe talenti i padiskutueshëm kanë bërë që ai të përballojë me mjaft sukses çdo lloj vepre muzikore që i është ofruar. Në këtë kuadër, edhe në realizimin e koncertit “100 vjet romanca shqiptare”, ai ishte i përkryer në të gjitha drejtimet. Të gjitha momentet emocionale që ai përçon si: lirike, hyjnore, elegjiake apo epiko-heroike, janë të realizuara mjaft mirë”, thotë profesor Shehu për Tushën. Romancat që e përjetësojnë këtë përkufizim të profesor Isakut janë romancat: “Trëndafili”, “Moj e bukura në krua”, “Eja vashë”, “Hana, djaloshare”, “Ankohem nga një plep”, “Të shoh në sy”, “Guri i besës”, “Kënga e Milit” dhe “Mijëra vjet”.
Sipas prof. Shehut, botimet muzikore në Shqipëri kanë qenë shumë të rralla. “Të gjithë trashëgiminë kulturore në Shqipëri e kemi në shkrim dore. Prandaj botimi dhe digjitalizimi i kësaj literature ka shumë rëndësi. Ne të dy librat i kemi çuar në bibliotekën tonë, në mënyrë që të ndikojnë në jetëgjatësinë e kësaj muzike”, thotë Shehu. Sipas tij, loja në grup është baza e edukimit muzikor për të gjithë interpretuesit në fushën e muzikës. “Elementët kryesorë të lojës në instrument si: ritmi, melodia e harmonia, edukohen kryesisht nga loja në grup. Sado që të studiojmë vetëm nëpër studio, me pedagogët apo me metronomin e diapazonin, në fund të fundit do të përballemi me lojën në duo, trio, kuartet, kuantet e deri në formacionet e mëdha korale apo orkestrale”, shprehet profesor Isaku. Ndërsa profesor Tusha tregon se, përmbledhja e romancave që ka botuar janë realizuar nga kompozitorë shqiptarë.
“E veçanta është se unë i kam kënduar dhe i kam orkestruar, sepse disa kompozitorë kanë vdekur dhe nuk kanë arritur që t’i regjistrojnë më parë”. Tusha kompozimin e këtyre romancave i ka bërë me ndihmën e kompozitorëve më me emër si: Isak Shehu, Endri Sina, Zef Çopa etj. “I kam dhënë jetë edhe një kompozimi të Tonin Arapit, që ka ndërruar jetë dhe nuk ka mundur ta orkestronte më parë. Disa nga këto pjesë kanë ekzistuar vetëm për piano dhe për zë. Në librin tim kam botuar partiturat orkestrale, por kam bërë edhe një zbërthim të ndërtimit të romancës nga ana teknike vokale. Mbështetjen kryesore për botimin e këtyre librave e ka dhënë Irena Toçi, ajo është e vetmja që na u përgjigj sapo i paraqitëm problemin”, thotë Tusha. Të dy profesorët ngrenë shqetësimin se, publiku duhet të edukohet me të gjitha llojet e muzikës që ne kemi. “Ne jemi një vend aq i vogël, por që në çdo kilometër na ndryshon melosi. Për shembull, kemi një polifoni të bukur, por problemi është se kush po e mund këtë lloj muzike të vërtetë, nga kush po stimulohet. A ndodh kjo me qëllim apo pa qëllim?”
Bio
Kastriot Tusha
Kastriot Tusha lindi në Elbasan, më 14 prill 1963. Në vitin 1988 diplomohet në Akademinë e Arteve të Tiranës për kanto, me rezultate shumë të mira. Një vit më vonë, më 1989 fiton vendin e solistit në Teatrin e Operës dhe të Baletit (TOB). Gjatë periudhës 1999 – 2006 emërohet pedagog i jashtëm në katedrën e kantos të Akademisë së Arteve, aktualisht Universiteti i Arteve, ku vazhdon të japë mësim dhe sot.
Isak Shehu
Isak Shehu lindi në qytetin e Peshkopisë, ku mori edhe mësimet e para. Në vitin 1981 u diplomua për kompozim e trombë në Akademinë e Arteve. Më pas u specializua për pedagogji muzikore dhe sofistike trombistike në Itali. Aktualisht është profesor në UA. Përveçse botimeve të tjera që ka realizuar në këtë fushë, ai është instrumentisti i parë që nxori instrumentin e trombës në skenat shqiptare.