Në kuadrin e temës së madhe Shqipëria fokusohet në rijetëzimin e monumenteve të kulturës dhe të strukturave ndërtimore ushtarake në vendin tonë.
Pavijoni shqiptar propozon nëntë shembuj nga komplekse të trashëgimisë kulturore dhe arkitektonike nga antikiteti në kohët moderne. “Shqipëria prezanton këtu historinë dhe kulturën e saj me thjeshtësi dhe dinjitet përballë kulturave të tjera në Venecia”, thotë Ilir Voci.
Pesë nga nëntë projektet përfaqësuese u shpallën fituese nga konkursi kombëtar që organizoi për këtë rast Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me temë “Rijetëzimi funksional dhe estetik i ndërtesave. Ndërthurja e historisë dhe traditës me tendencat bashkëkohore në arkitekturë”. Projekti kryesor fitues ishte i Ilir Vocit për modelin e rijetëzimit të Vilës Themistokli në Korçë.
Të tjerët janë projekte për rijetëzimin e akropolit në Kështjellën e Beratit, oborrit të brendshëm të Muzeut Historik në Tiranë, të qendrave historike të Gjirokastrës e Shkodrës dhe të Kështjellës së Bashtovës. Tri janë propozime që marrin në konsideratë trashëgiminë e epokës së Shqipërisë Socialiste të cilat, sipas Vocit, kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve të huaj: projekti i Tuneleve Nënujore në Porto Palermo dhe i bunkerëve në zonën pranë, të cilët janë quajtur nga autorët herë kërpudha e herë katedrale betoni.
“In Heritage” pretendon të përcjellë një qasje moderne ndaj arkitekturës në Shqipëri. Propozues të këtyre ideve janë arkitektë të rinj, disa edhe studentë: Edvana Vangjelit, Eneida Seraj, Brion Basha, Marvi Basha, Elian Stefa, Gyler Mydyti. Është pjesëmarrja e dytë e Shqipërisë në Bienalen e Arkitekturës në Venecia.
Çfarë i propozon Pavijoni Shqiptar “Tokës së përbashkët” të Bienales së Venecias?
Bienalja e këtij viti kishte temë “Common Ground” e trajtuar nga David Chipperfield. Brenda këtij koncepti pavijoni shqiptar “In Heritage” - pra brenda në trashëgimi, gjithçka rreth trashëgimisë - qëndronte mirë sepse dëshmonte punën e gjeneratave të tëra në Shqipëri të cilat kanë krijuar një trashëgimi që është sa e vjetër po edhe e re.
Me çfarë përfaqësohen e vjetra dhe e reja?
Me ato të cilat 100 vjet përpara kanë qenë projekte e sot janë trashëgimi, ndërkohë që disa propozime të cilat sot janë të tilla, ndoshta mbas 100 vjetësh do të jenë trashëgimi. Koncepti ynë trajton një vazhdimësi të trashëgimisë, pavarësisht se cilit sistem i ka përkitur. Prandaj ne kemi në Goldoni Room në Palazzo Zorzi një instalacion bunkerësh ku flasim për mënyrat se si kjo trashëgimi mund të rijetëzohet e me pak shpenzime të kthehet në një akses turistik. Nëse për shqiptarët është diçka e zakonshme, për evropianët është diçka e çuditshme: si mund të ndërtohen në 28 mijë km2 ku jetojnë 3 milionë njerëz, 750 mijë bunkerë?
Si kurator ftova edhe disa projekte që kanë të bëjnë me kontributin e njerëzve në ruajtjen e trashëgimisë. Flasim për Gjirokastrën, për kontributin e Culture Heritage Without Borders se si me kampet e restaurimit ndihmon në mbrojtjen e trashëgimisë.
Gjithë pavijoni shqiptar është trajtuar mbi konceptin e prerjes së qytetit dhe të pamjes panoramike. Prezantojmë bulevardin e Korçës me arkitekturën e tij tradicionale, restaurimin e vilës Themistokli, pamjet e dy rrugëve të restauruara në Shkodër “Kol Idromeno” dhe “Kardinal Mikel Koliqi”, një prerje të të gjithë bulevardit të Tiranës i cili para 80 vitesh ka qenë projekt e sot është trashëgimi, e ndoshta projekti i sotëm mund të jetë trashëgimi në një të ardhme.
Janë të realizueshme propozimet?
Varet nga vendimmarrësit nëse mund të bëhen realitet. Për mua është mjaft ngacmues një aspekt i trashëgimisë që do ta ilustroja me modelin e Fototekës Marubi. Pavarësisht se në historinë botërore të fotografisë kjo pasuri nuk përmendet, e krijuar në tri breza nga Pjetër te Gegë Marubi, ajo është fototeka nga më të pasurat në Ballkan. Nëse 100 vjet përpara Pjetër Marubi themeloi në Shkodër një studio, sot jemi në një situatë tjetër: shumë shqiptarë të ikur mbas viteve ‘90 po bëjnë të njëjtën gjë që kanë bërë të huajt dikur në Shqipëri. Për shembull, Anri Sala është duke kuruar përfaqësimin e Francës në Bienalen e ardhshme të Venecias. Shqipëria ka potencialin për t’u përballur e barabartë në vlera qytetërimi me gjithë vendet e tjera. Kjo është ndjesia që pata në ditët e para të Bienales së Arkitekturës.
Çfarë ngjall kuriozitet?
Ekspozimi ynë në Palazzo Zorzi që është qendra e UNESCO për Evropën, por që ndodhet jashtë Giardini-t dhe Arsenale-s, është nder por në të njëjtën kohë, duke qenë një pallat i restauruar rishtazi, i ka të kufizuara mundësitë e shprehjes arkitektonike, nuk mund të ndërhysh. Pavijoni do të qëndrojë i hapur tre muaj dhe për të ndihmuar vizitueshmërinë do të vendosim një sinjalistikë në ditët që vijnë.
Vizitorët i bëjnë kuriozë dy gjëra: fakti i Shqipërisë së panjohur dhe fakti që ne flasim për trashëgiminë. Gjejnë aty një Shqipëri tjetër, me traditë të hershme ndërtimi, me tri qytete të mbrojtura nga UNESCO, me trashëgiminë komuniste, me një projekt për rivitalizimin e tuneleve të Porto Palermos për t’i kthyer në muzeum të Luftës së Ftohtë, apo projekti i trashëgimisë industriale. Vendi ynë ka një numër të pafund strukturash industriale me të cilat diçka duhet të ndodh.
Çfarë idesh keni ju?
Në radhë të parë kërkojmë vëmendje që të mos degradojnë. Të shpërndara në Elbasan, Kavajë, Fier, Korçë, Laç etj., Shqipëria është e pafund me këtë lloj trashëgimie që ka ardhur për shkak të industrializimit pa kriter dhe pa koncepte.
Në takimin me drejtorin e Bienales Chipperfield i shpreha dëshirën që të organizojmë një ditë të Shqipërisë, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë e cila do të shërbente për të bërë një apel për vëmendjen që duhet t’i kushtojë shteti kësaj sfere të trashëgimisë. Unë mendoj se është një moment kyç ky ku ndodhet trashëgimia jonë. Pavijoni shqiptar është një prezantim për botën jashtë aq edhe apel për botën shqiptare për të ruajtur ato vlera që kemi trashëguar nga e kaluara.
Flasim për monumentet kur rrëzohen përdhe dhe nuk flitet më për t’i rindërtuar për t’i kthyer në gjendjen e mëparshme. Mendoj se kjo punë çalon tek ndjeshmëria e ulët në radhë të parë e vet qytetarit shqiptar, pastaj e pushtetit lokal e më lart.
Ky është apeli që bëjmë ne: qytetarët, sidomos ata që jetojnë në qytete si Gjirokastra, Berati, Korça, Shkodra por dhe qytete të reja që në kontekstin e viteve që vijnë kanë edhe ato trashëgiminë e tyre, duhet të bëhen koshientë për vlerat për të cilat qytetet e tyre mund të jenë atraktive.
Ku po shkojnë ëndrrat e arkitektit universal?
Shkojnë tek realizimi. Por që ëndrra e një arkitekt të bëhet realitet, nuk ka nevojë vetëm për fuqinë e ëndrrës dhe forcën e fantazisë. Ky nuk është thjesht një debat filozofik.
Gjetët në Bienale shembullin e një arkitekture të tillë?
Më bëri përshtypje projekti i studios nga Venezuela që do të vlerësohej me Luanin e Artë të Bienales. Bëhet fjalë për një banesë gjigante në Karakas për të cilën studioja kishte propozuar dhe kishte ngritur në Bienale një restorant dhe paratë do të shkonin për të sistemuar të pastrehët e qytetit në këtë godinë të braktisur. Kjo është për mua “toka e përbashkët” e një ëndrre arkitektonike. Këta arkitektë kishin menduar të rivitalizojnë një objekt dhe kishin gjetur një fabul.
Ne kemi gjetur fabulën të sensibilizojmë aq sa mundemi ndërgjegjen e qytetarëve shqiptarë, pra atyre që zotërojnë një pasuri t’u themi ta mbrojnë sot për t’ua lënë atyre që vijnë. Në këtë kontekst e shoh edhe rivitalizimin e tuneleve të Porto Palermos dhe i një zone bunkerësh atje pra për të kthyer në bregdetin e Jonit një fokus turistik nga koha e komunizmit, apo të shikojë një muze sipas koncepti të studios së Elisabetta Terragni-t.
Arkitektët përbëjnë një nga grupimet më të kritikuara në Shqipëri për mosreagimin, indiferencën në një kohë që biznesi i ndërtimit ka ecur me furi.
Ne kemi pjesën tonë të fajit në këtë histori. Koncepti im kuratorial për ekspozitën flet edhe për këtë gjë, për një rezistencë që duhet të bëjnë arkitektët për të ruajtur trashëgiminë. Nëse pikërisht arkitektët do të kenë ndjeshmërinë për të unifikuar forcat them se do të jetë më e lehtë për të ruajtur trashëgiminë. Flas nisur edhe nga përvoja personale që kam patur në Korçë.
Pas Tiranës, Durrësit, Sarandës po edhe Vlorës, është po aq kërcënues ndërtimi për qytete të tjera?
Nëse në fazën e parë të bumit të ndërtimit Tirana, Durrësi, Vlora, kishin fluksin më të madh, tani ky fluks ka filluar të decentralizohet, kam parasysh Korçën, Beratin, Gjirokastrën, Shkodrën në një pjesë të saj. E shikoj rrezikshmërinë më të madhe tek ky presion që po vjen tani në këto qytete.
Kemi theksuar në konceptin tonë se Shqipëria e prezanton koleksionin e trashëgimisë me përulësi dhe thjeshtësi, por e prezanton me forcë dhe denjësisht për t’u përballur me erën e re të botës globale. Në ekspozitë kishim edhe Maks Velon i cili shoqëronte gjithë pavijonin tonë me skica të arkitekturës shqiptare ndër vite, kryesisht të Korçës, Tiranës, Shkodrës. Pastaj Artan Shabani me një skulpturë që quhej Homo Balkanikus po që mua do më të pëlqente ta quaja Homo Albanicus. Produkti i pavijonit tonë është produkt i këtyre njerëzve, i këtij shqiptari që me mistri, me çekiç në dorë dhe me daltën e vet, me thjeshtësi ka ndërtuar këtë trashëgimi. Njerëzit mbase më të mirë që kam takuar në jetën time kanë qenë ustallarët e ndërtimit. Pra këta njerëz që e kanë materializuar idenë arkitektonike në trashëgimi.
Kur do të vijë ai moment që arkitektët shqiptarë të konkurrojnë barabartë në konkurset ndërkombëtare të arkitekturës në Shqipëri?
Kur vendimmarrja të çlirohet nga paragjykimet, kur ta vendosë konkurrimin në kushte normale vlerësimi, kur të jetë e përgatitur që ta pranojë arkitektin shqiptar si të barabartë. Një gjeneratë e re arkitektësh po shkollohet në Perëndim. Në stafin tim të punës kisha tre arkitektë të rinj, Eno Kotmilo, Albana Koçollari dhe Brion Basha. E them me plot gojën: një gjeneratë e re po hynë ngadalë në tregun e arkitekturës në Shqipëri.
Çmimet
Bienalja e Arkitekturës së Venecias mbahet si zakonisht në Kopshtet e Bienales dhe në Arsenale, por edhe në hapësira të qytetit. Në edicionin “Toka e Përbashkët” nën drejtimin e David Chipperfield-it, marrin pjesë 55 vende. Pesë vende marrin pjesë për herë të parë: Angola, Republika e Kosovës, Kuvajtit, Peruja dhe Turqia. Në total janë 104 pjesëmarrës.
Në ditën e inaugurimit, më 29 gusht juria ndërkombëtare e Bienales e përbërë nga Wiel Arets (Presidente, Holandë), Kristin Feireiss (Gjermani), Robert A.M. Stern (ShBA), Benedetta Tagliabue (Itali), Alan Yentob (Britani e Madhe) dha çmimet. Japonia mori Luanin e Artë për prezantimin më të mirë kombëtar “Është e mundur arkitektura këtu? Shtëpi për të gjithë”. Një nga arkitektët më të njohur Toyo Ito, në bashkëpunim me të rinj dhe komunitetin lokal propozon një qendër katastrofa kombëtare.
Me Luan të Artë për projektin më të mirë “Kulla David/Gran Horizonte”. Studioja e arkitekturës nga Venezuela në bashkëpunim me banorët e Karakasit propozojnë identitet të ri për një ndërtesë të braktisur e të papërfunduar e cila shërben si shtëpi për të pastrehët.
Luani i Argjendtë për studion irlandeze Grafton Architects, për paraqitjen e një kampusi universitar në Lima.
Katër çmime speciale u dhanë për Poloninë, ShBA, Rusinë dhe një për Italinë.
Luani i Karrierës me propozim të drejtorit David Chipperfield iu dha arkitektit portugez Álvaro Siza Vieira (1933).